KEDS-i paralajmëron rrezik në furnizimin e rregullt me rrymë: Konsumi është rritur ndjeshëm
Në muajin e fundit të vitit 2025, Gjilani, Rahoveci, Vitia, një pjesë e konsiderueshme e Gjakovës, Prizreni, Malisheva, disa fshatra në rrethinën e Suharekës, si dhe disa fshatra të Mitrovicës, janë prekur ndjeshëm nga mungesa e furnizimit me rrymë. Lidhur me këtë çështje, KEDS tha se konsumi i energjisë gjatë dhjetorit është rritur ndjeshëm, derisa


Në muajin e fundit të vitit 2025, Gjilani, Rahoveci, Vitia, një pjesë e konsiderueshme e Gjakovës, Prizreni, Malisheva, disa fshatra në rrethinën e Suharekës, si dhe disa fshatra të Mitrovicës, janë prekur ndjeshëm nga mungesa e furnizimit me rrymë.
Lidhur me këtë çështje, KEDS tha se konsumi i energjisë gjatë dhjetorit është rritur ndjeshëm, derisa korporata paralajmëroi se nëse ky trend vazhdon, ekziston rreziku që të ndikojë negativisht në furnizimin e rregullt dhe të qëndrueshëm me energji elektrike.
“Nga fillimi i muajit, respektivisht nga 1 dhjetori deri më 18 dhjetor 2025, piku i konsumit ka arritur vlerën 1358 MW, që tregon një rritje të theksuar krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Si pasojë e kësaj rritjeje, po vërehen edhe ndikime në asetet e sistemit të shpërndarjes. Nëse ky trend i rritjes vazhdon, ekziston rreziku që të ndikojë negativisht në furnizimin e rregullt dhe të qëndrueshëm me energji elektrike, veçanërisht në disa rajone ku kapacitetet e shpërndarjes janë të kufizuara, që vijnë si shkak i kapaciteteve të pamjaftueshme në burim, ashtu edhe në nivelin e transmetimit”, ka deklaruar KEDS-i.
KEDS po ashtu thotë se është angazhuar me të gjitha ekipet operative për të siguruar furnizim të vazhdueshëm me energji elektrike, duke përdorur të gjitha kapacitetet ekzistuese të shpërndarjes.
“KEDS ka investuar dhe vazhdon të investojë në modernizimin e rrjetit dhe rritjen e kapaciteteve të shpërndarjes. Këto investime, siç jeni informuar më parë, përfshijnë konvertimin e linjave të tensionit të mesëm nga 10 kV në 20 kV në disa qytete, përfshirë Ferizajn, Malishevën dhe Prishtinën. Ju falenderojmë për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin”, thuhet në përgjigjen e KEDS-it.
