Kina evakuon një milion banorë nga shtëpitë ndërsa goditet nga një stuhi e fuqishme

Autoritetet kineze kanë evakuuar më shumë se një milion njerëz nga shtëpitë e tyre në pjesën lindore të Kinës, përfshirë Shangain, pasi tajfuni Dolphin goditi vendin. Tajfuni kishte erëra me shpejtësi maksimale prej 150 kilometrash në orë ...

gusht 10, 2026 - 08:30
Kina evakuon një milion banorë nga shtëpitë ndërsa goditet nga një stuhi e fuqishme
kina-evakuon-nje-milion-banore-nga-shtepite-ndersa-goditet-nga-nje-stuhi-e-fuqishme

kina-evakuon-nje-milion-banore-nga-shtepite-ndersa-goditet-nga-nje-stuhi-e-fuqishme

Autoritetet kineze kanë evakuuar më shumë se një milion njerëz nga shtëpitë e tyre në pjesën lindore të Kinës, përfshirë Shangain, pasi tajfuni Dolphin goditi vendin.

Tajfuni kishte erëra me shpejtësi maksimale prej 150 kilometrash në orë kur goditi fillimisht Yuhuanin, në provincën Zhejiang, të dielën në orën 17:30 sipas kohës lokale (09:30 GMT), ndërsa rreth një orë më vonë goditi për herë të dytë qytetin Wenzhou, njoftuan autoritetet meteorologjike.

Tajfuni paralizoi transportin në të gjithë rajonin, ndërsa vetëm në Shangai u anuluan 1.400 fluturime, shkruan BBC, transmeton KosovaPress.

Autoritetet kineze kishin lëshuar më herët alarmin e kuq, nivelin më të lartë të paralajmërimit, për tajfunin Dolphin, por deri të hënën në mëngjes ai u ul në kategorinë e stuhisë tropikale.

Stuhia po lëviz drejt pjesëve të brendshme të Kinës, ndërsa autoritetet vazhdojnë të paralajmërojnë për reshje të rrëmbyeshme, përmbytje të rënda dhe rrezik nga rrëshqitjet e dheut deri të mërkurën.

Reshje të dendura shiu janë parashikuar të hënën në provincat Shandong, Henan, Hubei, Anhui, Jiangsu dhe Zhejiang, si dhe në qytetin e Shangait.

Qeveritë lokale u kanë bërë thirrje qytetarëve që të shmangin aktivitetet në ambiente të hapura, ndërsa disa prej atraksioneve kryesore turistike vazhdojnë të jenë të mbyllura, përfshirë pjesë të Disneyland dhe Legoland, si dhe disa platforma panoramike përgjatë zonës Bund në Shangai.

Pamjet e transmetuara nga mediat shtetërore tregojnë biznese në katet përdhesë të përmbytura në ish-Koncesionin Francez në Shangai, një zonë e frekuentuar nga turistët, si dhe njerëz duke ecur nëpër ujë që u arrin deri te kyçet e këmbëve.

Disa media shtetërore kanë raportuar se një djalë nëntëvjeçar nga Wenlingu, në Zhejiang, rezulton i zhdukur pasi është rrëmbyer nga uji në det. Zyrtarët kinezë nuk kanë raportuar viktima.

Sipas parashikimeve meteorologjike, në disa pjesë të Zhejiangut mund të bien nga 250 deri në 500 milimetra shi gjatë ditëve të ardhshme.

Autoritetet në Hangzhou, kryeqytetin e provincës Zhejiang, kanë hequr tarifat e parkimit në të gjitha hapësirat publike për shoferët që kërkojnë strehim nga erërat e fuqishme dhe përmbytjet.

Në pjesë të tjera të provincës, autoritetet në Wenzhou kanë zhvendosur rreth 900 mijë banorë dhe kanë hapur më shumë se 1.000 strehimore emergjente, ndërsa rreth 390 mijë persona janë evakuuar nga shtëpitë e tyre në qytetin Taizhou.

Në provincën bregdetare Fujian, autoritetet detare kanë pezulluar dhjetëra linja tragetesh për pasagjerë dhe kanë ndalur më shumë se 100 projekte ndërtimore në det.

Stuhia përshkoi një distancë prej rreth 6.000 kilometrash përpara se të godiste tokën, çka sugjeron se jetëgjatësia e saj ishte më shumë se tri herë më e madhe se ajo e një tajfuni mesatar, sipas transmetuesit shtetëror kinez CCTV.


Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.