KMDLNJ: Gjykata Speciale Raciste shkel dinjitetin e shqiptarëve dhe të drejtën për vizita
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Kosovë ka reaguar ashpër ndaj Gjykatës Speciale, duke e cilësuar atë si “rimishërim të inkuizicionit” dhe duke kritikuar institucionet e Kosovës për mosveprim ndaj shkeljeve të të drejtave të njeriut. Në një deklaratë të publikuar sot, KMDLNJ thekson se Gjykata Speciale në trajtimin e


Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Kosovë ka reaguar ashpër ndaj Gjykatës Speciale, duke e cilësuar atë si “rimishërim të inkuizicionit” dhe duke kritikuar institucionet e Kosovës për mosveprim ndaj shkeljeve të të drejtave të njeriut.
Në një deklaratë të publikuar sot, KMDLNJ thekson se Gjykata Speciale në trajtimin e të paraburgosurve shqiptarë dhe shtetasve të Kosovës, shkel në mënyrë brutale të drejtat e njeriut dhe standardet ndërkombëtare.
“Kush ka menduar se ka ikur koha e inkuizicionit, del se ka gabuar shumë. GJRS – Gjykata Raciste Speciale është rimishërim i inkuizicionit në zemër të Evropës, ku brutalisht shkelet dinjiteti i njeriut të privuar nga liria”, thuhet në reagim.
Organizata nënvizon se, në vendin e iluminizmit dhe të të drejtave themelore, “kemi terr informativ dhe mungesë të drejtave themelore të njeriut nga burokratët juridikë ndërkombëtarë”.
KMDLNJ thekson se institucionet e Kosovës nuk kanë ndërhyrë në mënyrë efektive, duke përdorur metaforën e “lojës së strucit”: “Institucionet e Kosovës brutalisht ndërhyjnë në të gjitha nivelet e gjyqësorit ndërsa sa i përket GJRS – Gjykatës Speciale Raciste, e kanë luajtur lojën e strucit. Askush nuk ka kërkuar që ato të ndërhyjnë në drejtësi, por ka qenë detyrim ligjor të sigurojnë transparencë dhe llogaridhënie”, thuhet më tej në reagim.
Një rast konkret i përmendur është ai i Salih Mustafës – Calit, për të cilin KMDLNJ shprehet se moslejimi i vizitës të babait të tij, i cili ndërroi jetë, tregon “rrënimin moral të Gjykatës Speciale dhe të institucioneve të Kosovës”. Organizata thekson se edhe në raste të tjera, përfshirë Hysni Gucatin, Nasim Haradinajn, Pjetër Shalën, Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin dhe Kadri Veselin, janë vërejtur shkelje të të drejtave dhe trajtim jo-mbarëvajtës.
“Këta të paraburgosur, të zhveshur nga çdo e drejtë, po kalojnë kalvarin shpirtëror nga kriminelët juridikë të Hagës dhe rrogëtarët e tyre politikë në Prishtinë. Heshtja e institucioneve ka përligjur diskriminimin e Gjykatës Raciste Speciale ndaj pengjeve të Hagës, të gjithë shqiptarë dhe të gjithë shtetas të Kosovës, udhëheqës të luftës dhe ndërtues të shtetit dhe paqes”, shtohet në deklaratë.
KMDLNJ vë në pah se Gjykata Speciale injoron Kushtetutën e Kosovës dhe standardet ndërkombëtare, përfshirë Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Rregullat e Nelson Mandelës për trajtimin e të paraburgosurve. Organizata e quan këtë sjellje si “fytyrë të shëmtuar të Gjykatës” dhe kërkon nga institucionet e vendit të respektojnë të drejtat e njeriut dhe të sigurojnë mbrojtje juridike cilësore.
Në përfundim, KMDLNJ bën thirrje që respekti ndaj vlerave të luftës dhe sakrificës për liri të jetë themel mbi të cilin ngrihen vlerat tjera në Kosovë.
“Te ne është e kundërta: antivlerat dhe antikombëtarët mbajnë poste të larta shtetërore, ndërsa vlerat e vërteta janë të margjinalizuara ose në burg”, përfundon deklarata.
