Kodi zgjedhor ndez debat: ASH për 8 njësi, të tjerët kundër

Më 24 prill në Ministrinë e Drejtësisë duhet të vazhdojë diskutimi i grupit të punës i formuar për ndryshime në kodin zgjedhor. Pas takimit të fundit ku janë diskutuar ndryshimet e nevojshme për harmonizim me vërejtjet e OSBE/ODIHR, në takimin e radhës duhet të prezantohen propozimet e partive politike e që kanë të bëjnë kryesisht […]

Prill 17, 2026 - 18:00
Kodi zgjedhor ndez debat: ASH për 8 njësi, të tjerët kundër

Më 24 prill në Ministrinë e Drejtësisë duhet të vazhdojë diskutimi i grupit të punës i formuar për ndryshime në kodin zgjedhor. Pas takimit të fundit ku janë diskutuar ndryshimet e nevojshme për harmonizim me vërejtjet e OSBE/ODIHR, në takimin e radhës duhet të prezantohen propozimet e partive politike e që kanë të bëjnë kryesisht me numrin e zonave zgjedhore, listat e hapura dhe pragun zgjedhor.

Ndërkohë në këtë grup pune duan të kyçen edhe organizatat civile. Për këtë qëllim, ata realizuan takim me ministrin e drejtësisë, Igor Fillkov.

Në takim u tha që të dorëzojnë propozime konkrete dhe sugjerime për avancimin e ligjvënies zgjedhore, të cilat do të shqyrtohen nga ana e grupit të punës, gjë që u pranua nga ana e përfaqësuesve të iniciativave të pavarura civile. Dera për bashkëpunim jo vetëm që është e hapur por e njëjta nxitet në mënyrë aktive. Ministria e Drejtësisë vazhdimisht konsultohet me të gjitha palët e interesuara. Janë mbajtur takime pune me KSHZ-së dhe Agjencinë e Mediave ndërsa është caktuar takim edhe me Komisionin Antikorrupsion. – Ministria e Drejtësisë.

Të pavarurit kërkojnë që në ndryshimet e ligjit, pjesëmarrja e tyre në listën zgjedhore të shënohet në mënyrë më precize. Në vend që të shkruajë “grup zgjedhësish”, me qëllim që më lehtë të njihen në listë, të shkruajë emri i grupit të pavarur si për shembull “Shans për Qendrën”. Gjithashtu kërkojnë që saktë të precizohet numri i nevojshëm për mbledhjen e nënshkrimeve për të garuar si të pavarur dhe afatin e mbledhjes së tyre. Të pavarurit gjithashtu kërkojnë edhe buxhet nga shteti për reklamim pasi për momentin buxheti parashihet vetëm për partitë politike.

Partitë politike kërkesat i kanë të qarta që nga fillimi. Në përgjithësi, të gjitha partitë politike janë për vetëm një njësi zgjedhore por me kusht që të vendoset prag prej 5% të numrit të përgjithshëm të votuesve që do të thotë se për t’u bërë me deputetë në Kuvend, partitë ose koalicionet duhet të marrin së paku 90mijë vota në zgjedhje parlamentare. Partitë më të vogla këmbëngulin që pragu të jetë më i vogël mes 2-3%. E vetmja Aleanca për Shqiptarët është e mendimit se vendi duhet të ndahet në 8 njësi zgjedhore pasi në të kundërtën siç thonë, shqiptarët humbin numër të konsiderueshëm të deputetëve. Në tavolinë gjithashtu është duke u diskutuar edhe mundësia për lista të hapura në zgjedhje. /Alsat.mk