Komisionerja Marta Kos: Evropa duhet të jetë gati për një union më të madh – rreziqet nuk presin

Komisionerja për Zgjerimin në Bashkimin Evropian, Marta Kos, në fjalimin e saj gjatë forumit për zgjerimin në Komisionin Evropian, ka bërë thirrje për një debat të hapur dhe të menjëhershëm rreth të ardhmes së unionit dhe pranimit të anëtarëve të rinj. Ajo theksoi se zgjerimi është bërë sërish çështje qendrore për paqe, demokraci dhe siguri

Nëntor 18, 2025 - 12:00
 0
Komisionerja Marta Kos: Evropa duhet të jetë gati për një union më të madh – rreziqet nuk presin
Komisionerja Marta Kos: Evropa duhet të jetë gati për një union më të madh – rreziqet nuk presin

Komisionerja Marta Kos: Evropa duhet të jetë gati për një union më të madh – rreziqet nuk presin

Komisionerja për Zgjerimin në Bashkimin Evropian, Marta Kos, në fjalimin e saj gjatë forumit për zgjerimin në Komisionin Evropian, ka bërë thirrje për një debat të hapur dhe të menjëhershëm rreth të ardhmes së unionit dhe pranimit të anëtarëve të rinj.

Ajo theksoi se zgjerimi është bërë sërish çështje qendrore për paqe, demokraci dhe siguri në kontinent.

“Në këtë pikë kritike të historisë sonë, pyetjet për të ardhmen e Evropës janë po aq të mëdha sa ato që u përballën themeluesit e unionit në vitet ’50”, tha Kos në hapje të fjalimit, duke kujtuar krizat dhe sfidat me të cilat po përballet BE-ja.

Kos tha se BE-ja sot po përballet me detyrën urgjente për të mbrojtur demokracitë evropiane nga ndikimet autokratike dhe për të ruajtur hapësirën e lirisë në kontinent.

“Duhet të shtyjmë prapa forcat që synojnë të destabilizojnë kontinentin tonë. Duhet ta mbrojmë hapësirën tonë të lirisë dhe të demokracisë,” u shpreh ajo.

Sipas saj, politika e zgjerimit, historikisht, ka qenë një motor i ndryshimeve pozitive si brenda BE-së ashtu edhe në vendet kandidate. Por Kos paralajmëroi se këto sfida nuk duhet të shoqërohen me “asnjeri lloj iluzioni apo rrugë të shkurtra”.

Komisionerja theksoi se procesi i anëtarësimit duhet të mbetet plotësisht i besueshëm:

“Kandidatët duhet të përshtaten me acquis të BE-së dhe ta zbatojnë atë plotësisht. Nuk ka dhe nuk do të ketë rrugë të shkurtra.”

Ajo paralajmëroi se dobësitë në sundimin e ligjit ose institucionet demokratike mund të hapin derën për ndikime të huaja, korrupsion dhe krim të organizuar.

BE-ja po përgatitet për një union më të madh

Kos njoftoi se Komisioni është duke zhvilluar një analizë gjithëpërfshirëse për gatishmërinë e BE-së për pranimin e shteteve të reja – përfshirë ndikimin në buxhet, politikat kyçe dhe strukturën e vendimmarrjes.

“Duhet t’u japim përgjigje të forta shqetësimeve të qytetarëve tanë: Çfarë do të thotë zgjerimi për modelin tonë social? Si do të sigurojmë funksionimin efikas të unionit? Si garantojmë që rregullat respektohen edhe pas anëtarësimit?” tha Kos.

Ajo bëri thirrje për rritjen e komunikimit me publikun evropian, duke theksuar se “dy të tretat e qytetarëve mendojnë se nuk janë të informuar mjaftueshëm – dhe kjo duhet të ndryshojë”.

Kos tha se në të kaluarën zgjerimi shikohej kryesisht përmes prizmit të zhvillimit ekonomik, por sot është një çështje sigurie.

“Nëse fqinjët tanë zgjedhin rrugën evropiane, ata vihen nën sulm,” u shpreh ajo, duke përmendur Ukrainën dhe Moldavinë.

Ajo nënvizoi se integrimi gradual është jetik dhe se BE-ja duhet të bëjë më shumë për të mbrojtur vendet kandidate nga ndikimet e jashtme dhe ndërhyrjet hibride.

Kos theksoi se lufta hibride kundër demokracive evropiane ka filluar në Ukrainë dhe më pas është zgjeruar në pjesë të tjera të kontinentit.

“Regjimet autokratike nuk luajnë sipas rregullave tona. Ato shfrytëzojnë hapjen tonë. Ndaj duhet të mbrohemi së bashku,” tha ajo.

Ajo përmendi iniciativën e re të Komisionit – “democracy shield” – e cila për herë të parë përfshin edhe vendet kandidate, duke e cilësuar atë “një hap të rëndësishëm drejt integrimit gradual”.

Në mbyllje, Kos tha se Evropa nuk ka luksin të presë.

“Rreziqet nuk presin. Zgjerimi nuk është vetëm një proces teknik – është një domosdoshmëri strategjike,” theksoi ajo.

Ajo e përmbylli fjalimin me thirrjen për të nisur debatin pa vonesa:

“Kjo është arsyeja pse forumi i sotëm është kaq i rëndësishëm. Le ta nisim këtë debat së bashku — tani.”