Komisioni i Venecias me mbështetje të kushtëzuar për Ligjin për Përfaqësim të Drejtë
Komisioni i Venecias ka publikuar mendimin e tij për Ligjin për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, të dorëzuar nga Qeveria disa muaj më parë. Opinioni i shprehur është në masë The post Komisioni i Venecias me mbështetje të kushtëzuar për Ligjin për Përfaqësim të Drejtë appeared first on Flaka, në çdo lajm... .
Komisioni i Venecias ka publikuar mendimin e tij për Ligjin për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, të dorëzuar nga Qeveria disa muaj më parë. Opinioni i shprehur është në masë të përgjithshme pozitiv, por i shoqëruar me kritika të qarta dhe rekomandime thelbësore për ndryshime substanciale në tekstin ligjor.
Në thelb, Komisioni e mirëpret qëllimin dhe frymën e propozim-ligjit, duke vlerësuar largimin nga sistemi i ngurtë i Balancuesit dhe kalimin drejt një modeli më fleksibël, i cili kombinon përfaqësimin adekuat me punësimet mbi bazën e meritës. Sipas Komisionit, ky drejtim është në përputhje me standardet evropiane dhe ndërkombëtare.
Po ashtu, Komisioni vlerëson pozitivisht faktin që propozimi është dorëzuar herët për rishqyrtim dhe se ligji përfshin parime të rëndësishme si kompetenca profesionale, mosdiskriminimi, vetëdeklarimi vullnetar dhe përfaqësimi proporcional jo matematikisht i ngurtë.
Megjithatë, Komisioni i Venecias vlerëson se draft-ligji është tepër i përgjithshëm dhe i paplotë. Sipas opinionit, ligji duhet të përmbajë më shumë nene substanciale, ndërsa metodologjia dhe aktet nënligjore duhet të jenë më të kufizuara në rol. Kritika kryesore është se ligji nuk përcakton qartë mënyrën se si punësimi do të funksionojë në praktikë, duke lënë elemente kyçe për t’u rregulluar më vonë me akte nënligjore dhe legjislacion sektorial.
Komisioni thekson se, për arsye të sigurisë juridike, legjitimitetit demokratik dhe efektivitetit praktik, rregullat bazë të punësimit, garancitë për përzgjedhje mbi bazën e meritës dhe kufijtë e masave pozitive duhet të përcaktohen shprehimisht në vetë ligjin.
Si përfundim, Komisioni i Venecias nuk e refuzon ligjin, por jep një mbështetje të kushtëzuar, duke e konsideruar draftin si hap në drejtimin e duhur vetëm nëse ai pëson ndryshime thelbësore për të sqaruar mekanizmat e zbatimit, për të garantuar përparësinë e kualifikimeve, për të parandaluar abuzimet dhe për të siguruar proporcionalitet dhe transparencë.
Ndërkohë, nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani, ka reaguar ashpër ndaj këtij propozim-ligji, duke e cilësuar atë si “shembull klasik të mashtrimit politik”.
“Shumë fjali të bukura, shumë vullnet i mirë, por asnjë garanci reale. Ligjet nuk bëhen për njerëz me qëllime të mira, por pikërisht për rastet kur vullneti i mirë mungon, për t’i mbrojtur qytetarët nga arbitrariteti i pushtetit,” deklaroi Osmani.
Sipas tij, dallimi thelbësor mes ligjit të ri dhe Balancuesit qëndron në faktin se Balancuesi ishte instrument konkret për zbatimin e Amendamentit 6 të Kushtetutës, ndërsa ligji i ri, sipas Osmanit, mbetet vetëm një deklaratë politike pa mekanizma detyrues.
“Balancuesi ka mbrojtur të gjitha komunitetet, në çdo nivel. Ai ka garantuar përfaqësim të drejtë për maqedonasit, shqiptarët, turqit, romët dhe vllehët, duke ua hequr drejtuesve të institucioneve mundësinë për përzgjedhje arbitrare etnike apo politike,” tha Osmani.
Ai theksoi se Balancuesi ka vepruar në mënyrë parandaluese, para punësimit, duke e kthyer barazinë nga vullnet në detyrim kushtetues, ndërsa ligji i ri, sipas tij, e zhvendos barazinë nga e drejtë në dëshirë politike.
“Heqja e Balancuesit nuk është modernizim, por regres institucional. Ky ligj është paketim i një çmontimi – titull i bukur, përmbajtje bosh,” përfundoi Osmani.
Debati për Ligjin për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat pritet të intensifikohet në javët në vijim, ndërsa Qeveria do të duhet të vendosë nëse do t’i inkorporojë rekomandimet e Komisionit të Venecias para se ligji të procedohet më tej në Kuvend.
The post Komisioni i Venecias me mbështetje të kushtëzuar për Ligjin për Përfaqësim të Drejtë appeared first on Flaka, në çdo lajm... .