Korrupsion, mungesë terapish dhe protesta: Shëndetësia në RMV gjatë vitit 2025 me pak reforma dhe shumë probleme

Viti 2025 për shëndetësinë në Maqedoninë e Veriut u karakterizua nga problemet strukturore të thella, kriza të vazhdueshme në furnizimin me terapi, mungesë serioze të kuadrit mjekësor, akuza për korrupsion, si dhe tensione të forta mes institucioneve, punonjësve shëndetësorë dhe pushtetit. Informacionet gjatë gjithë vitit pasqyruan një sistem që funksionon me vështirësi, ku pacientët shpesh […]

Jan 4, 2026 - 10:00
 0
Korrupsion, mungesë terapish dhe protesta: Shëndetësia në RMV gjatë vitit 2025 me pak reforma dhe shumë probleme

Viti 2025 për shëndetësinë në Maqedoninë e Veriut u karakterizua nga problemet strukturore të thella, kriza të vazhdueshme në furnizimin me terapi, mungesë serioze të kuadrit mjekësor, akuza për korrupsion, si dhe tensione të forta mes institucioneve, punonjësve shëndetësorë dhe pushtetit. Informacionet gjatë gjithë vitit pasqyruan një sistem që funksionon me vështirësi, ku pacientët shpesh mbetën peng i burokracisë, interesave financiare dhe keqmenaxhimit. Shëndetësia u përball edhe me ndryshime politike të rëndësishme, përfshirë ndërrimin e ministrit të Shëndetësisë, gjë që solli një fazë të re premtimesh, por edhe vazhdimësi të problemeve të vjetra. Çështje si Onkologjia, Spitali i Tetovës, mungesa e insulinës, protestat dhe ikja masive e kuadrit shëndetësor dominuan diskursin publik, shkruan Portalb.mk.

Një aspekt tjetër i rëndësishëm ishte përplasja mes shëndetësisë publike dhe asaj private, sidomos në pjesën e ndërhyrjeve kardiologjike, ku u zbuluan skema përfitimi në dëm të pacientëve. Paralelisht, pati edhe zhvillime pozitive, si disa ndërhyrje mjekësore të realizuara për herë të parë në vend, por ato mbetën të izoluara përballë krizës së përgjithshme.

Në vijim, po ofrojmë një pasqyrë sa më të gjerë dhe analitike të zhvillimeve.

Kriza me terapitë

Onkologjia në Shkup ishte një nga temat më të ndjeshme gjatë vitit 2025. Viti nisi me mungesë të terapisë biologjike, duke lënë pacientët onkologjikë pa trajtim adekuat për javë dhe muaj. Përveç barnave, u theksua edhe mungesa e stafit mjekësor, çka e rëndoi edhe më tej situatën për pacientët që tashmë përballeshin me sëmundje të rënda dhe me nevojë për trajtim të vazhdueshëm.

Edhe pse në prill u njoftua se terapia biologjike kishte mbërritur dhe se buxheti për Onkologjinë ishte rritur, problemet nuk u shuan plotësishtNë qershor u raportua mungesa e kimioterapisë “Taxol”, duke treguar se sistemi i furnizimit me barna jetike vazhdon të jetë i paqëndrueshëm. Paralelisht, vazhduan edhe seancat gjyqësore dhe hetimet për skandalin “Onkologjia, i cili hodhi dyshime serioze mbi menaxhimin e barnave, shpërndarjen e terapive dhe trajtimin e pacientëve.

Kriza e barnave nuk u kufizua vetëm te pacientët onkologjikë. Gjatë vitit 2025, shoqatat e diabetikëve reaguan disa herë publikisht për mungesë dhe vonesa në shpërndarjen e insulinës dhe terapisë antidiabetike nëpër farmacitë e RMV-së. Këto mungesa shkaktuan pasiguri të madhe te pacientët me diabet, të cilët varen çdo ditë nga terapia për të ruajtur jetën dhe shëndetin. Reagimet e shoqatave dhe paralajmërimet për protesta treguan se problemi i barnave jetike është sistemik dhe prek kategori të ndryshme pacientësh.

Në fund të vitit, ministri i Shëndetësisë Azir Aliu paralajmëroi decentralizimin e onkologjisë, si një përpjekje për të ulur presionin mbi Qendrën Klinike Shkup dhe për të përmirësuar qasjen në trajtim. Megjithatë, përballë mungesave të vazhdueshme të terapive onkologjike dhe antidiabetike, mbeti e paqartë nëse këto masa do të sillnin zgjidhje reale apo do të mbeteshin vetëm ndërhyrje politike për të zbutur pakënaqësinë publike dhe presionin e pacientëve.

Klinika Universitare për Radioterapi dhe Onkologji në Shkup. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Klinika Universitare për Radioterapi dhe Onkologji në Shkup. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Mungesa e kuadrit mjekësor dhe ikja e stafit

Mungesa e mjekëve dhe infermierëve ishte një nga problemet më të theksuara të vitit 2025. Të dhënat treguan se vetëm gjatë një viti, Maqedonia e Veriut humbi qindra mjekë, ndërsa sistemi vazhdon të mbështetet mbi një numër gjithnjë e më të vogël profesionistësh. Spitale si ai i Kumanovës dhe Tetovës u përballën me mungesë kritike të stafit.

Punësimi i 600 specialistëve mjekësorë u cilësua si proces i ngadaltë dhe i papranueshëm, ndërsa konkurset shpesh u bllokuan nga procedura administrative dhe vendime politike. Në disa raste, Fondi Shëndetësor dhe Ministria e Financave refuzuan pëlqimin për punësime, pa dhënë sqarime të qarta.

Kjo situatë ndikoi drejtpërdrejt në cilësinë e shërbimeve shëndetësore dhe rriti mbingarkesën e mjekëve ekzistues, duke krijuar një cikël të vazhdueshëm lodhjeje, pakënaqësie dhe largimi nga vendi.

Staf pa kontrata, pavarësisht premtimeve situata nuk u zgjidh

Spitali i Tetovës u shndërrua në simbol të kaosit institucional në shëndetësi gjatë vitit 2025. Protestat e personelit mjekësor për rroga, kontrata dhe vendime pune vazhduan për muaj me radhë. Infermierët dhe punonjësit shëndetësorë denoncuan kërcënime, zvarritje të qëllimshme dhe mungesë transparence nga drejtuesit e institucionit dhe nga autoritetet qendrore.

Edhe pas ndërrimit të drejtorëve dhe premtimeve të ministrit të Shëndetësisë Azir Aliu për zgjidhje të shpejtë, situata nuk u zgjodh siç premtoi ministri, konkursi u zvarrit vazhdimisht.

Problemet me punësimet nuk u kufizuan vetëm në Tetovë. Edhe Spitali i Kumanovës u përball me krizë serioze të stafit, ku u kërkua punësimi i 72 punonjësve të rinj për të garantuar funksionimin normal të shërbimeve. Megjithatë, kërkesa u refuzua nga Ministria e Financave dhe procedurat u zvarritën në labirintet institucionale, pa sqarime të qarta për arsyet e mosdhënies së pëlqimit. Kjo la spitalin të funksionojë me kapacitete të reduktuara dhe rriti presionin mbi stafin ekzistues.

Në fund të vitit, protestat në Tetovë rifilluan. Personeli që kishte punuar me vite në kontrata të pasigurta u zëvendësua brenda natës, duke e shndërruar Spitalin e Tetovës, por edhe atë të Kumanovës në shembuj konkretë të mungesës së strategjisë afatgjatë, planifikimit të qëndrueshëm dhe ndërhyrjeve politike në shëndetësinë publike.

Protesta në Spitalin e Tetovës. Foto nga Portalb.mk.

Protesta në Spitalin e Tetovës. Foto nga Portalb.mk.

Korrupsioni dhe ryshfeti në shëndetësi

Akuza për korrupsion shënuan pothuajse çdo muaj të vitit 2025, duke e kthyer shëndetësinë në një nga sektorët më të ekspozuar ndaj dyshimeve për keqpërdorime. Që në janar, ish-ministri i Shëndetësisë Arben Taravari pranoi publikisht se korrupsioni ekziston në shëndetësi, duke i inkurajuar qytetarët dhe pacientët që të denoncojnë rastet e ryshfetit dhe abuzimeve. Kjo deklaratë u interpretua si pranim i një problemi të thellë dhe të njohur prej vitesh, por që rrallë herë ishte artikuluar kaq hapur nga një zyrtar i lartë.

Skandali mori përmasa edhe më të mëdha në prill, kur u arrestua drejtori i një institucioni shëndetësor, i dyshuar për marrje ryshfeti në vlerë prej 20.000 eurosh. Ky rast u konsiderua nga opinioni publik si një nga rastet më flagrante të korrupsionit në shëndetësi në vitet e fundit, pasi përfshinte drejtpërdrejt një funksionar të lartë dhe ngriti dyshime serioze për mënyrën se si merren vendime për shërbime, punësime apo furnizime brenda institucioneve shëndetësore.

Korrupsion, ryshfet. Foto e krijuar me inteligjencë artificiale në Gemini
Korrupsion, ryshfet. Foto e krijuar me inteligjencë artificiale në Gemini

Gjatë verës, MPB raportoi edhe raste të tjera konkrete, ku personel mjekësor u kap duke marrë ryshfet nga pacientët, ndërsa u ngritën padi penale ndaj mjekëve dhe administratorëve për keqpërdorim të detyrës dhe falsifikim dokumentesh. Paralajmërimi për “zero tolerancë” ndaj korrupsionit u shoqërua me publikimin e disa rasteve, përfshirë mjekë të dyshuar për marrje ryshfeti dhe administratorë të akuzuar për manipulim të procedurave, që i cekëm më lart.

Megjithatë, pavarësisht arrestimeve dhe padive, perceptimi publik mbeti se ndëshkimet janë selektive dhe se korrupsioni në shëndetësi është sistemik. Dyshimet u përqendruan sidomos te tenderët, punësimet dhe marrëdhëniet mes shëndetësisë publike dhe asaj private, ku për vite me radhë dy kompani kanë dominuar tenderët dhe ku shërbimet shëndetësore shpesh perceptohen si të “blera”, e jo si të garantuara nga shteti. Kjo krijon bindjen se rastet e zbuluara janë vetëm maja e ajsbergut dhe se lufta reale kundër korrupsionit ende nuk ka nisur.

Përplasja me shëndetësinë private dhe operacionet e panevojshme

Një nga zhvillimet më serioze të vitit 2025 në shëndetësi nisi jo nga institucionet, por nga reagimi publik i kardiokirurgut dr. Sashko Kedev, i cili e ngriti i pari si çështje shqetësuese numrin e madh të ndërhyrjeve kardiologjike të panevojshme që po kryheshin spitalet private në vend. Kedev paralajmëroi se pacientë po operoheshin pa indikacione të qarta mjekësore dhe se sistemi kishte dështuar të vendoste mekanizma kontrolli. Vetëm pas këtyre deklaratave publike, Ministria e Shëndetësisë u detyrua të reagojë, duke formuar komisione për verifikimin e rasteve të dyshimta.

Komisionet e formuara nga Ministria fillimisht analizuan tetë raste të ndërhyrjeve në zemër, ndërsa më vonë numri u zgjerua. Sipas ministrit të Shëndetësisë Azir Aliu, analiza konstatoi se në disa raste ishin kryer operacione të panevojshme kardiokirurgjike, të cilat nuk përputheshin me standardet mjekësore dhe udhëzimet klinike. Deri në vjeshtë, komisioni kishte identifikuar të paktën dhjetë raste problematike, ndërsa Fondi i Sigurimit Shëndetësor konfirmoi se kishte pranuar 15 ankesa zyrtare nga pacientë dhe familjarë që dyshonin se ishin dëmtuar nga këto ndërhyrje.

Ministri Aliu deklaroi se bëhet fjalë për “praktika të papranueshme që kanë për qëllim përfitimin financiar”. Nga ana tjetër zyrtarët refuzuan për muaj me radhë të publikojë emrat e spitaleve dhe mjekëve të përfshirë, duke u arsyetuar me etikën profesionale dhe procedurat ligjore në vazhdim.

Kjo qasje ngjalli reagime të forta publike dhe politike. Opozita dhe shoqëria civile kritikuan Ministrinë për mungesë transparence, duke theksuar se pa denoncimin e dr. Kedev, kjo çështje nuk do të ishte hapur fare. Premtimi për publikimin e emrave të spitaleve që kanë kryer ndërhyrje të panevojshme u përsërit disa herë, por deri në fund të vitit 2025 mbeti i papërmbushur.

Kjo çështje hapi një debat të gjerë mbi rolin e shëndetësisë private në RMV, mungesën e mbikëqyrjes institucionale dhe interesat financiare që shpesh mbizotërojnë mbi etikën mjekësore dhe sigurinë e pacientëve. Rasti i ngritur nga dr. Kedev u shndërrua në simbol të një sistemi që reagon vetëm nën presion publik, duke ngritur pikëpyetje serioze nëse institucionet janë të gatshme dhe të afta të mbrojnë interesin e pacientëve pa sinjalizime të jashtme.

Infrastruktura, parkingu dhe menaxhimi financiar

Qendra Klinike Shkup ishte gjatë gjithë vitit 2025 një nga pikat më të debatueshme, kryesisht për shkak të çështjes së parkingut dhe planit për ndërtimin e garazheve në kate. Vendimi për t’ia dhënë menaxhimin e parkingut një kompanie private, konkretisht “Gjoka Construction” nga Shqipëria, si dhe paralajmërimi për rritjen e çmimit nga 30 në 50 denarë, shkaktuan reagime të ashpra në opinion.

Qendra Klinike Universitare "Nënë Tereza" në Shkup. Foto nga Portalb.mk
Qendra Klinike Universitare “Nënë Tereza” në Shkup. Foto nga Portalb.mk

Çështja e parkingut u shndërrua edhe në arenë përplasjeje politike, sidomos mes ish-ministrit të Shëndetësisë Arben Taravari dhe kryeministrit Hristijan Mickoski, të cilët dhanë deklarata kontradiktore për mënyrën e menaxhimit, përgjegjësitë institucionale dhe formën e partneritetit publik-privat. Pas ndryshimeve në udhëheqjen e Ministrisë, problemi me parkingun duket se shkon drejt zgjidhjes. Në dhjetor, ministri Aliu tha se toka e hapësirës së parkimit do të regjistrohet në pronësi të Republikës së Maqedonisë së Veriut, me çka hiqet pengesa administrative për nënshkrimin e kontratës me Ndërmarrjen Publike “Parkingu i Qytetit – Shkup”. Kjo kontratë do të mundësojë modernizimin dhe rritjen e ndjeshme të kapaciteteve të parkimit, si dhe vendosjen e rendit. Sidoqoftë kjo nuk është zgjidhje përfundimtare, është vetëm fillimi.

Paralelisht me debatet për parkingun, viti 2025 u shoqërua edhe me polemika rreth projekteve simbolike dhe të papërfunduara. Një prej tyre ishte parku memorial për viktimat e zjarrit në Spitalin Modular të Tetovës, i cili u promovua me ceremoni publike dhe deklarata solemne, por që edhe muaj pas promovimit pompoz mbeti pa asnjë punim konkret në terren.

Një tjetër shembull flagrant i keqmenaxhimit financiar dhe mungesës së planifikimit afatgjatë ishte Spitali i Kërçovës. Pas shpenzimit të miliona eurove ndër vite, u bë e ditur se objekti ekzistues nuk do të përfundohet dhe se do të ndërtohet një spital i ri nga themeli. Ministrat e Shëndetësisë, njëri pas tjetrit, e shpallën këtë projekt si “prioritet”, por deri në fund të vitit 2025 nuk u pa asnjë hap konkret drejt realizimit. Spitali i Kërçovës mbeti simbol i dështimit institucional, ku fondet publike janë shpenzuar pa rezultat.

Në tërësi, infrastruktura shëndetësore në vitin 2025 u karakterizua nga projekte të zvarritura, vendime të kontestuara dhe përplasje politike, ku mungesa e planifikimit strategjik dhe e llogaridhënies e thelloi edhe më shumë mosbesimin e qytetarëve ndaj institucioneve shëndetësore.

Rasti i Koçanit – mbingarkesa dhe ndihma ndërkombëtare

Në mars të vitit 2025, një tragjedi e rëndë tronditi Maqedoninë e Veriut, kur një zjarr shpërtheu në diskotekën e Koçanit, duke lënë 13 pacientë të lënduar rëndë. Shkalla e dëmeve dhe gjendja kritike e pacientëve nxori në pah dobësitë e sistemit spitalor në menaxhimin e emergjencave me shumë viktima, duke krijuar mbingarkesë të menjëhershme në spitalet lokale dhe në Qendrën Klinike Shkup.

Për shkak të nevojës për trajtim special dhe pajisjeve të avancuara, pacientët u dërguan jashtë vendit, në spitale të specializuara në Bullgari, Turqi, Greqi dhe Serbi. Ky veprim tregoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në situata të jashtëzakonshme, por gjithashtu nxori në pah mungesën e kapaciteteve të avancuara në vend dhe vështirësitë logjistike për pacientët dhe familjarët e tyre.

Arritje mjekësore dhe anë pozitive

Pavarësisht krizave, viti 2025 solli edhe disa arritje të rëndësishme. Për herë të parë në RMV u krye implantimi i kockës së dhuruesit të vdekur te një fëmijëtransplantimi i meniskut dhe operacione në tru me sistem stereotaksik.

Gjithashtu, u realizuan operacione për humbje peshe me shpenzimet e shtetit, duke hapur mundësi të reja për pacientët me obezitet të rëndë.

Këto raste treguan se kapaciteti profesional ekziston, por mbetet i kufizuar nga problemet sistemike dhe mungesa e mbështetjes afatgjatë.

Një tjetër arritje pozitive është rritja e kapitacionit të mjekëve amë dhe gjinekologëve. Sipas këtij vendimi, vlera e kapitacionit për mjekësinë e përgjithshme dhe gjinekologjinë u tha do të rritet nga 75 në 100 denarë, ndërsa për stomatologjinë nga 61 në 75 denarë, që përfaqëson një rritje prej 33%, përkatësisht 23%. Kjo rritje vjen pas një stagnimi shumëvjeçar gjatë periudhës 2019–2022, kur ishte 63 denarë dhe 48 denarë.

Si rrumbullakësim, viti 2025 e gjeti shëndetësinë në Maqedoninë e Veriut të mbërthyer mes krizës së vjetër dhe shpresës për reforma të reja. Problemet strukturore, korrupsioni, mungesa e stafit dhe politizimi vazhduan të dominojnë, ndërsa pacientët mbetën më të prekurit. Pa reforma të thella, transparencë dhe përgjegjësi reale, sfidat e këtij viti rrezikojnë të përsëriten edhe në vitet që vijnë.