KPK mblidhet për punën e Kryeprokurorit Blerim Isufaj, IKD i paralajmëron: Mos e cenoni funksionalitetin e PSRK
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka pranuar me shqetësim informacionin se Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka thirrur për sot, në orën 15:00, takim të jashtëzakonshëm, me pikë të rendit të ditës diskutimin lidhur me performancën e...


Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka pranuar me shqetësim informacionin se Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka thirrur për sot, në orën 15:00, takim të jashtëzakonshëm, me pikë të rendit të ditës diskutimin lidhur me performancën e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK).
IKD thekson qartë se llogaridhënia nuk duhet dhe nuk mund të përdoret si arsyetim për vendimmarrje me procedura të shpejta dhe të paqarta ndaj një kryeprokurori, me theks të veçantë në kohën kur kjo prokurori është duke trajtuar lëndë që ndërlidhen edhe me luftën kundër krimit të organizuar dhe krimit transnacional dhe në bashkëpunim me shtetet mike të Republikës së Kosovës.
IKD rikujton se reformat në sistemin prokurorial duhet të promovojnë besimin e publikut në këtë sistem dhe të garantojnë pavarësinë e këtij sistemi nga çfarëdo perceptimi për ushtrim të ndikimit politik në sistemin prokurorial.
“KPK, para se të ndërmarrë çfarëdo veprimi lidhur me Kryeprokurorin e PSRK-së, duhet të marrë për bazë faktin se tanimë kemi një precedent serioz që ndërlidhet me vendimmarrje të shpejtë dhe të pabazuar nga ana e KPK-së, e që do të duhej të shërbejë si mësim institucional. Në fund të vitit 2025, KPK kishte shkarkuar Besim Kelmendin nga pozita e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit përmes një procedure të shpejtë dhe të kontestuar. Në dhjetor 2025, vetë Gjykata Supreme e anuloi këtë vendim si të kundërligjshëm. KPK duhet të marrë mësime nga rasti në fjalë dhe të shmangë përsëritjen e praktikave të vendimmarrjes së ngutshme”.
IKD rithekson se çdo proces i vendimmarrjes që mund të prekë pozitën apo mandatin e një kryeprokurori të një prokurorie të caktuar duhet të jetë në pajtim me Kushtetutën, ligjin e aplikueshëm dhe praktikën gjyqësore. Për më tepër, çdo vendimmarrje duhet të marrë për bazë specifikat dhe mandatin e PSRK-së, andaj çdo vlerësim i performancës së Kryeprokurorit të PSRK-së duhet të jetë profesional, i drejtë, i paanshëm, objektiv dhe i bazuar në indikatorë të matshëm, duke respektuar njëkohësisht pavarësinë e prokurorëve në trajtimin e rasteve individuale.
“Kërkesa për llogaridhënie nuk duhet të përdoret si instrument apo mënyrë për ndërhyrje në pavarësinë funksionale të një zyre prokuroriale, sikurse pavarësia nuk mund të shfrytëzohet si arsyetim për mungesë të llogaridhënies. Këto dy standarde duhet të zbatohen në praktikë në mënyrë të drejtë, transparente dhe të balancuar”.
IKD nuk e kupton urgjencën e një takimi të tillë pa përfunduar dhe pa u shterur të gjitha mjetet juridike në dispozicion.
Andaj, IKD kërkon nga KPK-ja që të sigurojë proces të drejtë dhe të pavarur, të mos marrë asnjë veprim i cili do të cenonte parimet e sigurisë juridike, funksionalitetin e PSRK-së dhe, më e rëndësishmja, besimin në KPK dhe perceptimin për pavarësinë e sistemit prokurorial.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.