KPK shkarkon kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj
Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) njoftoi të premten se e ka shkarkuar nga detyra kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj, për siç tha, keqmenaxhim, jokompetencë dhe dështim në përmbushjen e detyrave. Shkarkimi i ...
Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) njoftoi të premten se e ka shkarkuar nga detyra kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj, për siç tha, keqmenaxhim, jokompetencë dhe dështim në përmbushjen e detyrave.
Shkarkimi i Isufajt u bë në një mbledhje të jashtëzakonshme me dyer të mbyllura, me gjithë paralajmërimet nga organizatat joqeveritare që mbikëqyrin sistemin e drejtësisë në vend kundër marrjes së vendimeve “të ngutshme”.
KPK tha se e mori këtë vendim “në mbështetje të nenit 22, paragrafi 5, të Ligjit nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës… mbi bazën e rrethanave të konstatuara dhe të dokumentuara në procedurën përkatëse”.
Dren Paca është emëruar ushtrues i detyrës së kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, deri në emërimin e një prokurori me mandat të plotë, thuhet në njoftim.
KPK-ja nuk dha hollësi konkrete për dështimet që ia atribuon Isufajt.
Në prag të mbledhjes, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) kishte paralajmëruar se asnjë veprim ndaj Isufajt nuk do të duhej të merrej përmes “një procedure të shpejtë dhe të paqartë”.
IKD kishte kërkuar që llogaridhënia të mos përdorej si arsyetim për vendimmarrje të ngutshme, duke pasur parasysh mandatin e prokurorisë në luftën kundër krimit të organizuar dhe krimit transnacional, si dhe bashkëpunimin e saj me shtetet partnere të Kosovës.
Shkarkimi i tij vjen një muaj pasi KPK-ja nuk ia miratoi raportin e punës Prokurorisë Speciale për vitin 2025.
Isufaj ishte emëruar në krye të Prokurorisë Speciale në vitin 2023 dhe ky ishte mandati i tij i dytë katërvjeçar.
KPK nguli këmbë se shkarkimi i Isufajt nuk lidhet me ndikime apo konsiderata politike, por rrethana të lidhura drejtpërdrejtë me ushtrimin e detyrës së tij.
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.