Kryediplomati shqiptar: Me serbët takohemi por s’kemi aleancë, mbase mund të ndihmojmë për çështjen e njohjes së Kosovës
Kryediplomati shqiptar, Ferit Hoxha, në një konferencë për media të premten ka folur për raportet e Shqipërisë me Serbinë dhe Kosovën. Hoxha ka thënë se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, s’ka aleancë me Serbinë, derisa ka interesa që mbrohen edhe duke dialoguar me shtete me të cilat Shqipëria ka qëndrime të kundërta. Ai ka thënë


Kryediplomati shqiptar, Ferit Hoxha, në një konferencë për media të premten ka folur për raportet e Shqipërisë me Serbinë dhe Kosovën.
Hoxha ka thënë se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, s’ka aleancë me Serbinë, derisa ka interesa që mbrohen edhe duke dialoguar me shtete me të cilat Shqipëria ka qëndrime të kundërta.
Ai ka thënë se është normale që ka takime mes zyrtarëve shqiptarë e serbë dhe se s’ka asgjë për t’u shqetësuar.
“Kryeministri s’ka aleancë as me Serbinë as me askënd, kemi interesa që mbrohen duke dialoguar dhe me ato që kemi qëndrime të kundërta. Në diplomaci negociojmë. Fakti që bashkëpunojmë në nivel rajonal që gjejmë mënyra për të avancuar, nuk shoh qe ka diçka për tu shqetësuar. Natyrisht që do të takohemi me serbët”, ka thënë Hoxha.
Hoxha ka thënë se me Serbinë ka vetëm interesa që e detyrojnë Shqipërinë për të qenë bashkëpunues.
“Nuk ka asnjë aleancë, ka vetëm interesa që na detyrojnë të jemi sa më të qartë e bashkëpunues. Marrëdhëniet me Serbinë ngjallin emocione e s’ka çudi, por asnjëherë nuk shoh të reflektuar gjëkundi, a ka mundësi që Shqipëria po përpiqet të ndërtojë marrëdhënie, ndoshta kjo mund të çojë edhe në sado pak ujë në normalizimin e marrëdhënieve ne Kosovën”, ka thënë ai.
Hoxha ka thënë se në fund duhet të zgjidhet edhe çështja finale, ajo e njohjes reciproke. Ai ka thënë se mbase raporti i Shqipërisë me Serbinë mund të ndihmojë edhe për arritjen e këtij synimi final.
“Duhet të zgjidhet dhe kjo çështje e fundit që është Kosova e pavarur dhe sovrane”, ka deklaruar Hoxha.
