Kryeministria jep detaje për takimin e dialogut, në Bruksel
Në Bruksel, zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, mori pjesë në takimet e radhës të zhvilluara në nivel të kryenegociatorëve në kuadër të procesit të dialogut. Takimet u zhvilluan në format bilateral dhe trilateral. Fillimisht, u mbajt takimi bilateral me Bashkimin Evropian dhe emisarin Miroslav Lajçak.
Në Bruksel, zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, mori pjesë në takimet e radhës të zhvilluara në nivel të kryenegociatorëve në kuadër të procesit të dialogut.
U diskutua mbi marrëveshjen për personat e zhdukur me dhunë, ku dhe u arrit dakordimi mbi termat e referencës të grupit punues, përmes së cilës Kosova nuk do të përfaqësohet më nga UNMIK-u.
Temë e trajtuar në kornizën e dialogut ishte edhe rruga përpara me zbatimin e Marrëveshjes Bazike dhe Aneksin Implementues të Ohrit.
Zëvendëskryeministri Bislimi shprehu se pala jonë ka qenë gjithmonë konstruktive, ka ofruar në vazhdimësi komentet dhe propozimet e saj dhe ka shfaqur gatishmërinë për ecjen përpara. Theksoi rëndësinë e nënshkrimit të marrëveshjes dhe zbatimit në tërësi të saj. Nga ana tjetër shtoi se Serbia vazhdon të mos e pranojë të njëjtën dhe ta mohojë atë duke mos bërë asnjë hap drejt fillimit të zbatimit të marrëveshjes.
Në vijim, u trajtuan tema të tjera ndër të cilat edhe liria e lëvizjes, IBM, regjistrimi i fakteve të gjendjes civile në institucionet e Republikës së Kosovës, shërbimet noteriale, energjia, zbatimi i marrëveshjes për targat, harmonizimi i certifikatave veterinare.
Emisari Lajçak mirëpriti vendimin e qeverisë për regjistrimin e fakteve të gjendjes civile për serbët e Kosovës.
Ndërkohë në takimin trilateral në nivel të kryenegociatorëve, zëvendëskryeministri Bislimi përsëriti qëndrimin konstruktiv të Kosovës në ecjen përpara me zbatimin e Marrëveshjes Bazike dhe Aneksin e Implementimit. Përgjatë takimit, ai ngriti edhe çështjen e diskriminimit të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, ku së fundmi Ministria e Serbisë për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave dhe Dialog Social, ka ndërhyrë për të bllokuar donacionin e dedikuar për subvencionimin e bujqëve shqiptarë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, duke kërkuar anulimin e vendimit për thirrjen publike.