Ku është flamuri i Maqedonisë së Veriut? Takimi i Stoilkoviqit me kryeministrin serb ngre pikëpyetje
Takimi i ministrit të Vetëqeverisjes Lokale, Ivan Stoilkoviq, me kryeministrin e Serbisë, Gjuro Macutin, është zhvilluar pa flamurin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në sfond – një detaj që nuk ka kaluar pa u vënë re njofton INA. Në fot...
Takimi i ministrit të Vetëqeverisjes Lokale, Ivan Stoilkoviq, me kryeministrin e Serbisë, Gjuro Macutin, është zhvilluar pa flamurin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në sfond – një detaj që nuk ka kaluar pa u vënë re njofton INA.
Në fotografitë e publikuara nga vetë Stoilkoviq pas takimit, shihen simbolet e Serbisë, ndërsa flamuri shtetëror i Maqedonisë së Veriut nuk shihet.
Stoilkoviq e ka përshkruar takimin si një bisedë për pozitën e komunitetit serb në Maqedoninë e Veriut, forcimin e lidhjeve mes dy vendeve dhe zhvillimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë.
Por pyetja që shtrohet është e thjeshtë: pse në një takim zyrtar të një ministri të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut me kryeministrin e një shteti tjetër mungon flamuri i shtetit të cilin ministri e përfaqëson?
Kjo pyetje bëhet edhe më e rëndësishme për shkak të standardeve të dyfishta që shpesh shfaqen në debatet politike në vend. Kur bëhet fjalë për ministra shqiptarë dhe në një fotografi zyrtare mungon flamuri i Maqedonisë së Veriut, reagimet politike dhe publike janë të menjëhershme. Ndërsa në këtë rast, deri më tani, nuk është parë ndonjë reagim i ngjashëm.
Nuk është fjala vetëm për një flamur në një fotografi. Simbolet shtetërore në takimet zyrtare kanë peshë politike dhe institucionale, sidomos kur bëhet fjalë për një ministër të Qeverisë dhe një takim me një përfaqësues të lartë të një shteti tjetër.
Prandaj mbetet e hapur pyetja: a vlen i njëjti standard për të gjithë ministrat dhe të gjitha komunitetet në Maqedoninë e Veriut, apo standardet ndryshojnë në varësi të asaj se kush është ministri?
Dhe mbi të gjitha: ku ishte flamuri i Republikës së Maqedonisë së Veriut në takimin e djeshëm?(INA)
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.