Kur dhe çfarë do të dënohet me kamerat e vëzhgimit në trafikun e Maqedonisë së Veriut?
Instalimi i sistemit të kamerave me të cilin do të dënohen shkeljet në trafik dhe i cili pritet të rrisë sigurinë në trafik dhe sigurinë e qytetarëve në përgjithësi duhet të përfundojë gjatë vitit 2025, raporton Radio Evropa e Lirë, përcjell Portalb.mk. Kjo është pjesë e përgjigjes që Radio Evropa e Lirë (REL) e mori […]
![Kur dhe çfarë do të dënohet me kamerat e vëzhgimit në trafikun e Maqedonisë së Veriut?](https://i0.wp.com/portalb.mk/wp-content/uploads/2024/09/Foto-75.png?fit=1024%2C576&quality=80&ssl=1)
![Policia e Maqedonisë së Veriut. Foto: MPB](https://portalb.mk/wp-content/uploads/2024/09/Foto-75.png)
Instalimi i sistemit të kamerave me të cilin do të dënohen shkeljet në trafik dhe i cili pritet të rrisë sigurinë në trafik dhe sigurinë e qytetarëve në përgjithësi duhet të përfundojë gjatë vitit 2025, raporton Radio Evropa e Lirë, përcjell Portalb.mk.
Kjo është pjesë e përgjigjes që Radio Evropa e Lirë (REL) e mori nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) lidhur me ecurinë e përgatitjeve për vënien në funksion të sistemit “Qyteti i sigurt”, nëpërmjet të cilit do të shqiptohen dënimet për shoferët e pandërgjegjshëm.
Ky projekt po paralajmërohet tashmë për disa vite me radhë, ndërsa revoltën për atë se përse mbetet vetëm në letër e asesi nuk po zbatohet në praktikë qytetarët e shprehën edhe në protestat që u organizuan pas aksidentit të datës 29 janar kur në kalimin për këmbësorë në bulevardin “Partizanski Odredi” në Shkup u aksidentua 22 vjeçarja Frosina Kullakova.
Kjo tragjedi i shtyu edhe deputetët në Kuvend të organizojnë një debat publik për ndryshimet ligjore për siguri më të madhe në trafik, që është caktuar për ditën e premte më 7 shkurt dhe ka marrë mbështetjen e të gjitha grupeve parlamentare.
Çfarë shkeljesh do të “kapin” kamerat?
Që të mund të përdoren kamerat e “Qytetit të sigurt” në periudhën e ardhshme do të duhet të bëhen ndryshime në disa ligje. Një prej tyre është edhe Ligji për Sigurinë në Komunikacionin Rrugor, në të cilin sipas MPB-së do të futen nene të reja.
“Ato (nenet e reja) kanë të bëjnë drejtpërdrejt me pronarin e mjetit ose me personin me të drejtën e përdorimit të mjetit me të cilin është kryer kundërvajtja rrugore. Kundërvajtja rrugore do të dokumentohet me mjete teknike përkatëse dhe aparate regjistruese, me ç’rast pronarit të mjetit do t’i dorëzohet raporti përkatës për kundërvajtjen e kryer”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Krahas këtij ligji nga atje theksojnë se do të bëhet edhe një rregullim i procedurës për mbrojtjen e të dhënave personale, e cila është “në vijim e sipër” dhe do të kryhet në “periudhën në vijim”.
Sipas përgjigjes të MPB-së kamerat do të regjistrojnë disa kundërvajtje rrugore si: kalimi në semafor të kuq, tejkalimi i shpejtësisë së lejuar dhe parkimi i parregullt.
Policia është duke mbledhur të dhëna për drejtuesit e automjeteve
Disa nga përgatitjet për vënien në funksion të sistemit tashmë janë duke u zbatuar në praktikë. Qytetarët që së fundmi i kanë regjistruar automjetet e tyre thonë se policët po u marrin më shumë informacion për kontakt.
“Javën e kaluar e regjistrova automjetin dhe në sportelin e MPB-së në stacionin teknik më kërkuan që të lija numrin e telefonit dhe emailin. Të njëjtën gjë e kërkuan edhe nga të tjerët që i regjistronin automjetet në atë kohë. Nënshkrova për besueshmërinë e të dhënave dhe menjëherë pas kësaj pranova një email nga ‘MPB automjete’ në të cilin thuhej se konfirmimi i informacioneve të dorëzuara për kontakt ka qenë i suksesshëm”, tregon një qytetar për përvojën e tij nga java e kaluar në një stacion teknik në Aerodrom të Shkupit.
Për këtë risi para pak kohësh foli edhe ministri i punëve të brendshme, Pançe Toshkovski, i cili tha se është zbatuar me ndryshimin e akteve nënligjore në kuadër të Ministrisë.
“Numri i telefonit i lënë nga pronari do të jetë numri në të cilin, në përputhje me ndryshimet në ligj, Ministria e Punëve të Brendshme do t’i dërgojë informacionin se është kryer një shkelje e tillë në një ditë të caktuar. Të njëjtin informacion do t’i dërgojmë edhe me email, ndërsa fillimisht do të dërgohen edhe me postë”, tha Toshkovski në një intervistë për TV 24 më 21 janar.
Ministri bëri të ditur se për këtë qëllim është planifikuar të ketë edhe një aplikacion celular, i cili përveç informacioneve për kundërvajtjet do të përdoret edhe për shërbime të tjera nga MPB-ja, si p.sh. caktimi i terminit për pasaporta.
Sistemi për regjistrimin e kundërvajtjeve përmes “Qytetit të sigurt”, siç ishte paralajmëruar fillimisht do të zbatohet në Shkup, Kumanovë dhe Tetovë. Ambiciet e Toshkovskit janë që ai fillimisht të përdoret për korridoret 8 dhe 10, e pastaj edhe në mbarë vendin.
Sipas njoftimeve fillimisht do të ketë një periudhë testimi, që do të thotë se shoferëve do t’u dërgohet informacion për kundërvajtjet, por se nuk do të ketë gjoba.
Testimi i funksionimit të kamerave është bërë vitin e kaluar. Sipas informacioneve të ndara atë kohë nga Toshkovski, në 24 orë janë regjistruar 2.000 kundërvajtje dhe atë vetëm nga 20 përqind e kamerave, duke e tejkaluar shpejtësinë e lejuar për më shumë se 30 kilometra në orë. Sipas ministrit, kur raportoi për 100 ditët e mandatit të tij në tetor, supozohet që “nëse vëmë në funksion 100 përqind të kamerave do të kemi 20 mijë kundërvajtje në 24 orë”.
Deputetët paralajmërojnë për dënime më të ashpra
E përderisa pritet që më në fund të vihet të funksion ky sistem, të premten deputetët do të debatojnë për dënime më të ashpra. Më 3 shkurt Komisioni parlamentar për sistemin politik dhe marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve votoi për mbajtjen e debatit publik më 7 shkurt me temën “Analiza dhe përcaktimi i nevojës për ndryshimin e rregulloreve ligjore me qëllim të përforcimit të sigurisë në komunikacion”.
Mbështetje dhanë të gjitha partitë dhe koalicionet parlamentare: VMRO-DPMNE-ja në pushtet, ZNAM-i dhe VLEN-i, si dhe opozitarja LSDM, E Majta dhe Fronti Evropian.
“Shumica qeverisëse në drejtim të përmirësimit të normave ligjore do të kërkojë rregullimin dhe sqarimin e mëtejshëm të tyre. Është koha për hapa seriozë dhe zgjidhje sistematike. Siguria e qytetarëve duhet të jetë prioritet për të gjithë ne dhe kjo nënkupton ndryshime në ligje që do të sigurojnë mbrojtje, parandalim dhe reagim efikas institucional”, deklaroi koordinatori i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski.
Lideri i LSDM-së, Venko Filipçe, i cili është edhe deputet, dje (4 shkurt) tha se do të ishte mirë që të ketë një debat publik në Kuvend për këtë temë. Si grup parlamentar ai bëri të ditur se do të paraqesin dy propozime konkrete për ndryshime ligjore. Njëri, tha ai, është që të ketë të pranishëm një polic para dhe në çdo shkollë gjatë orarit të mësimit dhe të garantojë sigurinë në hyrje të shkollës dhe në vendkalimet e këmbësorëve.
“Propozimi i dytë do të jetë një ashpërsim serioz i dënimeve për kundërvajtjet më të rënda në trafik, që do të përfshijnë edhe konfiskimin e automjetit sipas shembullit të disa vendeve evropiane”, tha Filipçe.
Një ditë pas debatit në Kuvend, ditën e shtunë është planifikuar një marsh i ri protestues “Stop dhunës në trafik”. Ai do të mbahet në Negotinë, qytetin e lindjes të vajzës së re Frosina , e cila u vra më 29 janar. Miqtë e Frosinës, siç njoftuan nëpërmjet rrjeteve sociale, do organizojnë edhe transport falas për qytetarët nga Shkupi drejt Negotinës.
Dy marshime masive proteste tashmë u mbajtën më 31 janar dhe 2 shkurt. Protestuesit në Shkup, në marshin që filloi nga vendi i aksidentit, e shprehën revoltën e tyre para Kuvendit, prokurorisë dhe gjykatës.
Frosina u përplas me makinë nga 20-vjeçari V.J. Ai ndodhet në paraburgimin 30 ditor në burgun “Shkup” në Shuto Orizare, ndërsa akuzohet për veprën më të rëndë në fushën e sigurisë në trafik, të kryer me dashje, e cila parashikon dënim me burg nga katër deri në 20 vjet. Siç njoftuan nga prokuroria, i dyshuari nuk ka pasur patentë shoferi, ka kaluar në semafor të kuq dhe nga analizat laboratorike ka rezultuar se ai ka pasur 0,82 promil alkool në urinë.