Inspektorati i Gjuhëve nuk ka mekanizëm për të vënë gjoba, qytetarët aktiv me parashtresa për shkelje të ligjit
Që nga miratimi i tij e deri më sot, asnjë institucion nuk është gjobitur për moszbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut, nga Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve i cili është institucioni përgjegjës për mbikëqyrje inspektuese mbi zbatimin e Amendamentit V të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut […]
Që nga miratimi i tij e deri më sot, asnjë institucion nuk është gjobitur për moszbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut, nga Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve i cili është institucioni përgjegjës për mbikëqyrje inspektuese mbi zbatimin e Amendamentit V të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe të dispozitave të Ligjit, shkruan Portalb.mk.
Personat juridikë dhe fizikë, shoqatat dhe qytetarët, mund të paraqesin iniciativa, parashtresa dhe propozime deri te Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve në lidhje me shkeljen e rregulloreve që janë në kompetencë të Inspektoratit.
Për mos sanksionimin e institucioneve për moszbatim të Ligjit për përdorimin e Gjuhëve, drejtori i Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve Arsim Idrizi për Portalb.mk tha se janë të kufizuar me ligj në fushëveprimin e tyre.
“Me konstatimin e shkeljes dhe dhënien e vërejtjeve përfundojnë kompetencat tona, ndërsa lëndët vazhdojnë të procesohen në Gjykatën Penale, konkretisht në sektorin për kundërvajtje”, tha Idrizi.
Por, sa janë aktive nismat qytetare kur dihet se shkeljet e konstatuara gjatë inspektimit, nuk kanë sjellë asnjë sanksionim për institucionet të cilat kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për përdorimin e Gjuhëve?
“Për këtë periudhë 7 mujore kemi pas rreth 5 iniciativa nga qytetarët…Pse më parë janë iniciuar më pak e tash më shumë iniciativa mendoj se është te serioziteti dhe vendosmëria për punë, që sa më shumë të gjejë zbatim Ligji për Përdorimin e Gjuhëve”, tha Idrizi..
Ligji për Inspektoratin për Përdorimin e Gjuhëve thekson se “Inspektorati kryen mbikëqyrje inspektuese mbi zbatimin e Amendamentit V të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe të dispozitave të Ligjit për përdorimin e gjuhëve në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, nga të gjitha institucionet kompetente. Mbikëqyrje mbi emërtimet dhe vulat e institucioneve, – mbikëqyrje mbi emrat e objekteve infrastrukturore, – mbikëqyrje mbi publikimin e ligjeve, të akteve nënligjore, vendimeve dhe shpalljeve në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, dhe – punë të tjera të përcaktuara me ligj, e të cilat kanë të bëjnë me zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve”
Në Nenin 23, shkruan se: “Gjatë kryerjes së mbikëqyrjes inspektuese, inspektori me aktvendim shqipton vërejtje dhe cakton afat në të cilin subjekti i mbikëqyrjes inspektuese është i obliguar t’i mënjanojë parregullsitë dhe mangësitë, të përcaktuara me procesverbal.
Kujtojmë se fati i Ligjit për përdorimin e gjuhëve për momentin është në sirtarët Gjykatës Kushtetuese. Më 20 mars do të mbahet seancë përgatitore për Ligjin e Gjuhëve, pasi Gjykata Kushtetuese më 11 dhjetori nuk mori vendim rreth kushtetutshmërisë së Ligjit për Gjuhët. Në seancë u soll vendim për një seancë të radhës, e ashtuquajtur përgatitore ku do të dëgjohen edhe ekspertë të tjerë juridik, e gjithë kjo për faktin e ndjeshmërisë së kësaj lënde. Politika ishte e zëshme si para ashtu edhe pas seancës së fundit të Kushtetueses.
Ligji për Zbatimin e Gjuhëve në fuqi hyri në janar të vitit 2019-të. Ai u miratua në 11 janar 2018, në mungesë të VMRO-DPMNE-së në atmosferë të tensionuar në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, me protesta dhe tentativa të panumërta të ish-presidentit Gjorgе Ivanov për ta bllokuar atë.