“Kur do ta vizitojmë ishullin tuaj”, publikimi i mesazheve me Epstein, reagon Musk

Elon Musk ka reaguar pas publikimit të një email-i të vitit 2013 drejtuar Jeffrey Epstein, duke deklaruar se kontaktet e tij me financuesin e ndjerë kanë qenë minimale dhe se ai i ka refuzuar vazhdimisht ftesat për ta vizituar. Në një reagim në platformën X, Musk tha se ishte “shumë i vetëdijshëm” se disa email-e […]

Jan 31, 2026 - 11:30
 0
“Kur do ta vizitojmë ishullin tuaj”, publikimi i mesazheve me Epstein, reagon Musk

Elon Musk ka reaguar pas publikimit të një email-i të vitit 2013 drejtuar Jeffrey Epstein, duke deklaruar se kontaktet e tij me financuesin e ndjerë kanë qenë minimale dhe se ai i ka refuzuar vazhdimisht ftesat për ta vizituar.

Në një reagim në platformën X, Musk tha se ishte “shumë i vetëdijshëm” se disa email-e mund të keqinterpretoheshin dhe të përdoreshin për të dëmtuar reputacionin e tij.

“Askush nuk ka shtyrë më shumë se unë për publikimin e dosjeve të Epstein dhe jam i lumtur që kjo më në fund ndodhi”, shkroi ai.

Miliarderi theksoi se kishte refuzuar ftesat për të vizituar ishujt privatë të Epstein në SHBA apo për të udhëtuar me avionin e tij, të njohur si “Lolita Express”. Sipas Musk, interesi i tij kryesor mbetet ndjekja penale e personave që kanë kryer krime të rënda në lidhje me Epstein.

Megjithatë, dokumentet e publikuara tregojnë se më 13 dhjetor 2013, Musk i kishte dërguar një email Epsteinit, duke e informuar se do të ndodhej në Ishujt Britanikë dhe në Shën Barthélemy gjatë festave dhe duke e pyetur nëse kishte një kohë të përshtatshme për ta vizituar. Epstein iu përgjigj se fillimi i vitit të ri do të ishte i përshtatshëm, duke shtuar se “gjithmonë ka vend për ty”.

Nga korrespondenca nuk rezulton qartë nëse Musk ka vizituar ndonjëherë ishujt e Epstein. Megjithatë, emailet zbulojnë një nivel komunikimi mes tyre që nuk ishte bërë publik më parë, në kontrast me përpjekjet e mëvonshme të Musk për t’u distancuar nga Epstein.

Në të kaluarën, gjatë përplasjes së tij me presidentin Donald Trump, Musk kishte sugjeruar se publikimi i dosjeve të Epstein po vonohej për shkak se emra të rëndësishëm përfshiheshin në to. Kjo përplasje shënoi edhe një prishje të marrëdhënieve mes tij dhe Trump, me të cilin kishte bashkëpunuar më herët.