Kush po na vret për 35 vjetë?
Shkruan: Naser SELMANI Tragjedia e Koçanit, me 59 viktima dhe mbi 100 të plagosur, për një shtet prej një milion e gjysmë banorë, është me përmasave dramatike. Tragjedia bëhet edhe më e rëndë kur dihet se pjesa dërmuese e viktimave dhe të plagosurve janë të moshës së re. Ne jemi shtet, ku për shkak të […]

Shkruan: Naser SELMANI
Tragjedia e Koçanit, me 59 viktima dhe mbi 100 të plagosur, për një shtet prej një milion e gjysmë banorë, është me përmasave dramatike. Tragjedia bëhet edhe më e rëndë kur dihet se pjesa dërmuese e viktimave dhe të plagosurve janë të moshës së re. Ne jemi shtet, ku për shkak të paaftësisë së institucioneve dhe nivelit ekstrem të korrupsionit, vritet e ardhmja e vendit.
Kjo dramë nuk është e para, tragjedi të ngjashme kanë ndodhur shpesh. Ato përsëriten sepse sistemi kurrë nuk arriti t’i zbardhë plotësisht dhe t’i dënojë fajtorët. Jo thjeshtë për t’u hakmarrë, por për të marrë mësim të gjithë të tjerët se gabimet ndëshkohen.
Ky karvan tragjedish nisi qysh në vitet e para të pavarësisë, në vitin 1993 me fatkeqësitë ajrore në Ohër dhe Shkup, ku humbën jetën gjithsej 200 udhëtarë. Në 2004 u rrënua avioni i presidentit Trajkovski në Bosnjë, ku humbi jetën presidenti dhe tetë anëtarë të stafit dhe piloti.
Në vitin 2009 u fundos ania në liqenin e Ohrit, ku humbën jetën 15 turistë bullgarë. Nga vërshimet në rrethinën e Shkupit në vitin 2016 pati 22 viktima, ndërsa në aksidentin e trafikut të autobusit të Durmo-tursit në Llaskarcë të Shkupit në vitin 2019 kishte 16 viktima.
Të njëjtin viti, 2021, ndodhën dy tragjedi të rënda me gjithsej 58 viktima. Nga zjarri që kaploi një autobus udhëtarësh nga Shkupi në Bullgari pësuan 46 udhëtarë, ndërsa nga djegia e Spitalit modular në Tetovë, jetën humbën 14 persona, prej të cilëve 12 pacientë të shtruar.
Gjithkund ndodhin fatkeqësi, por tragjeditë tona s’kanë të ndalur. Secili prej nesh kërkon përgjigjen pse neve këto fatkeqësi po na përsëriten. Shkaqet janë të shumta dhe shumë komplekse.
Në Maqedoninë e Veriut ende nuk ka mbaruar tranzicioni nga komunizmi në demokraci. Për shkaqe ideologjike dhe etnike, drejtuesit e atëhershëm vendosën të ndërtojnë model hibrid të demokracisë, të ngjashëm me Serbinë dhe Rusinë, i cili nuk do t’u shërbejë qytetarëve të vet, bile as maqedonasve etnik, ndërsa për shqiptarët as që bëhet fjalë.
Për 35 vite, establishment politik maqedonas, i cili ndërkohë ka përshirë edhe struktura të reja politike, përkundër ndryshimit të madh historik që ndodhi me rënien e murit të Berlinit dhe të Perandorisë bolshevike sovjetike, mundohet të mbrojë të njëjtat vlera qysh në kohen e komunizmit. Qëllimi kryesor i tyre është të sigurojë vazhdimësi të pushtetit politik, i cili refuzon demokratizimin e vendit, duke e mbuluar këtë me rrezikun shqiptar dhe bullgar si dhe kinse mbrojtjen e identitetit të rrezikuar etnik maqedonas. Po ashtu, ky sistem, është shpirtërisht kundër vlerave evropiane, siç janë sundimi i ligjit dhe të drejtat e njeriut, sepse ata nuk ndërtojnë shtet për njerëzit në vend, por për sektën e tyre ideologjike, etnike dhe fetare.
Para 20 vitesh pata intervistuar një profesor universitar maqedonas, të cilin ndër të tjera e pata pyetur, si është e mundur të bëhen gjitha ato reforma ndër vite dhe të mos ndryshojë asgjë në funksionimin e sistemit. Përgjigja ishte e lapidare, sepse motoja e regjimit është, hajde të ndryshojmë çdo gjë, që krejt të mbetet njësoj.
Dhe këtë sukses regjimi i këtij shteti e ka arritur. Ka ndryshuar çdo gjë, kushtetutë, ligje, institucione, por e ka ruajtur thelbin e sistemit komunist, unitetin e pushtetit. Pushteti ekzekutiv kontrollon çdo gjë, Parlamentin, gjyqësorin, median, shoqërinë civile, çdo gjë! Por ata kurrë se kuptuan se atëherë kur mendoni se kontrolloni çdo gjë, nuk kontrolloni asgjë. Ndërsa demokracia mbështetet në parime tjera, ndarje pushteti për të pasur kontroll të ndërsjellë përmes sistemit çek and balance.
Përveç refuzimit të zbatojnë parimet themelore të demokracisë, regjimi në përpjekje për të mbajtur kontrollin absolut mbi shoqërinë, privatizoi në mënyrë kriminale pronën shtetërore duke e përqendruar atë në një grusht njerëzisht besnik të regjimit.
Një politikan i njohur maqedonas më ka rrëfyer se si i ofroi ish presidentit Gligorov zbatimin e modelit slloven të privatizimit, që parashihte që të gjithë qytetarët e moshës madhore të bëhen pronarë të një pjese të pronës shtetërore, përgjigja e Gligorivit kishte qenë e prerë, jo se prej tij do përfitojnë edhe shqiptarët.
Gjatë luftërave në ish Jugosllavi, regjim shkelte embargot duke përfituar shuma të majme parash të zeza. Gjatë konfliktit të vitit 2001, qeveria shpenzoi 500 milion marka gjermane të fituara nga privatizimi i Telekomit kinse për të blerë armatime dhe për ta financuar luftën. Trendi i keqpërdorimeve masive të buxhetit vazhdoi me qeverinë Gruevski përmes projektit Shkupi 2014, ku vlerësohet se janë abuzuar qindra milionë euro. Dhe kulmi i amnistisë së krimit ishin ndryshimet e Kodit penal, të cilat vjetërsuan mbi 200 lëndë gjyqësore për keqpërdorim të detyrës nga nivelet e larta të pushtetit të Gruevskit, por edhe të Zaevit.
Duke kontrolluar pushtetin politik dhe resurset ekonomike regjimi i dalë nga komunizmi,i zbukuruar në ndërkohë me maskë demokratike, arriti të kriminalizojë pjesën dërrmuese të shoqërisë. Krimi dhe korrupsioni në Maqedoninë e Veriut nuk është vetëm dukuri e sistemit, por është vetë sistemi i qeverisjes. Vetë sistemi i korrupton njerëzit për t’i diskredituar, që më vonë t’i shantazhojë duke i përdorë si instrumente për të mbajtur kontrollin e imagjinuar të pushtetit. Ky pushtet është i sektës politike dhe i shërben asaj, e jo qytetarëve, qofshin ato maqedonas, shqiptarë apo tjerë. Prandaj qytetarët pa dallim përkatësisë etnike pësojnë në incidente banale dhe regjimi çdoherë i amniston fajtorët duke i keqpërdorur në lojën e tyre për kontrollin e sistemit. Nuk janë të rëndësishëm njerëzit, por regjimi!
Gjatë këtyre 35 vitesh vetëm një pjesë e vogël e qytetarëve i rezistoi regjimit, por kurrë nuk arriti të krijojë masën kritike për ndryshimin e kërkuar, ndërsa pjesa tjetër me praktike, kur pa se gjendja është e pashpresë, mori valixhet dhe braktisi vendin. Ky zullum i regjimit na ka përzënë fëmijët në vendet perëndimore.
Për të forcuar pushtetin e vetë kasta politike e dalë nga komunizmi, poashtu devalvoi sistemin e arsimit duke themeluar dhjetëra universitetet në vend. Në vend dije dhe kompetencë, regjimi prodhoi mijëra studentë me diploma të dyshimta, cilët zakonisht i gjen si aktivistë më militantë të partive politike. Asgjë nuk është rastësi, regjimi donë lojalitet të pakusht, e jo dije dhe kompetencë. Nuk shqetësohet se puthadorët dhe derdimenët të punësuar në institucionet e sistemit vjedhin paranë publike dhe me paaftësinë e tyre shkatërrojnë të ardhmen e vendit dhe të qytetarëve.
Por regjimi nuk kuptoi një gjë, se zullumi këputet prej s’trashi! Do të shohim nëse edhe kësaj radhe fajtor për humbjen e 59 jetëve të reja do të jetë instalimi elektrik si në rastin e Spitalit modular.
Ku është përgjegjësia e shqiptarëve në gjithë këtë katrahurë? Elitat politike shqiptare, veçanërisht BDI, e cila për 22 vite ishte pjesë e qeverisë, nuk i bëri ballë tundimit para ofertës së regjimit për t’u korruptuar. Në vend t’u shërbejnë shqiptarëve dhe qytetarëve të vendit, hynë në vallen e korrupsionit, duke e legjitimuar krimin dhe korrupsionin.
Çfarë mund të bëjë Qeveria! Të zbardhë të gjitha tragjeditë ku kemi humbur jetë njerëzish dhe të dënojë të gjithë fajtorët. Tani është momenti i kthesës dhe çasti i të vërtetës. Ti thotë ndal korrupsionit dhe të hap një faqe të re të historisë, Maqedonia e Veriut, vend ku kriminelët dhe të korruptuarit mbarojnë në burg.