Lansohet Platforma për Raportimin e Korrupsionit, model i Koresë Jugore
Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK), ka lansuar Platformën për Raportimin e Korrupsionit, e cila shënon një hap të rëndësishëm për “avancimin e transparencës dhe llogaridhënies në Kosovë”. Aty u tha se kjo platformë moderne synon të fuqizojë qytetarët dhe institucionet në luftën kundër korrupsionit, duke ofruar një mekanizëm të shpejtë, të sigurt dhe konfidencial
Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK), ka lansuar Platformën për Raportimin e Korrupsionit, e cila shënon një hap të rëndësishëm për “avancimin e transparencës dhe llogaridhënies në Kosovë”.
Aty u tha se kjo platformë moderne synon të fuqizojë qytetarët dhe institucionet në luftën kundër korrupsionit, duke ofruar një mekanizëm të shpejtë, të sigurt dhe konfidencial për raportimin e rasteve.
Drejtori i APK-së, Yll Buleshkaj, tha se ky aplikacion tregon se teknologjia nuk është thjesht një mjet teknologjik, është një deklaratë.
“Platforma për Raportimin e Korrupsionit që po e lansojmë sot nuk është thjesht një mjet teknologjik, është një deklaratë. Është një zotim që çdo qytetar në këtë vend ka fuqinë të sjellë ndryshim. Është një simbol i asaj që ne mund të arrijmë kur bashkojmë forcat për një qëllim të përbashkët. Kjo platformë është një fryt i bashkëpunimit të jashtëzakonshëm me partnerë të tillë si UNDP, dhe e frymëzuar nga koncepti “Clean portal” i Koresë së Jugut. Por ajo është bërë me e fuqishme sepse është përshtatur për realitetin tonë. Është një tregues se si mund të marrim praktikat më të mira globale dhe t’i bëjmë ato të funksionojnë për ne”, u shpreh Buleshkaj.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, tha se teknologjia gjithsesi ka një rol thelbësor në parandalimin e korrupsionit.
“Lansimi i platformës ‘Raporto korrupsionin’ përfaqëson jo vetëm një mjet inovativ, por edhe një shembull të përkushtimit të institucioneve të Kosovës për të ndjekur praktikat më të mira ndërkombëtare në fushën e parandalimit të korrupsionit. Kjo platformë është si rezultat i përkrahjes së fuqishme e UNDP-së, dhe platforma e zhvilluar ka për model praktikat më të mira ndërkombëtare në drejtim të adaptimit të përmbushjes së nevojave specifike të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit. Teknologjia gjithsesi ka një rol thelbësor në parandalimin e korrupsionit, kjo platformë ofron një mënyrë moderne, të sigurt dhe konfidenciale për qytetarët që të raportojnë raste të korrupsionin”, u shpreh Rrustemi.
Zëvendëspërfaqësuesi i përhershëm i UNDP-së në Kosovë, Dudley Tarlton, tha se metodologjia është marrë nga Koreja e Jugut, teksa shpreh besimin se platforma do të ketë ndikim në ngritjen e besimit të institucioneve.
“Përmes qendrave të politikës së UNDP-së kemi mbështetur APK-në në mënyrë që të bëhet identifikimi i rriskeve dhe digjitalizimi së platformës së raportimit. Kjo platformë është zhvilluar bazuar në modelin e Republikës së Koresë së Jugut, i cili i ka fuqizuar qytetarët dhe institucionet në mënyrë që ta luftojnë korrupsionin. Është e lehtë dhe e qasshme të përdoret dhe gjithashtu ne besojmë që të gjitha këto përpjekje do ta kenë një impakt në Kosovë dhe gjithashtu në ngritjen e besimit të institucioneve në Kosovë”, u shpreh ai.