Rriten rastet e braktisjes së shkollës në Kosovë
Të dhënat në raportimin e braktisjes së shkollës tregojnë se ka një rritje të rasteve të braktisjes kur nxënësit nuk e kalojnë klasën për dy vjet rresht. Ndonëse shifrat nuk i ka tërësisht të verifikuara, si përgjigje, Ministria e Arsimit u ka kërkuar 15 komunave plane që frenojnë braktisjen. Elhame Krasniqi ka pak ditë që
Të dhënat në raportimin e braktisjes së shkollës tregojnë se ka një rritje të rasteve të braktisjes kur nxënësit nuk e kalojnë klasën për dy vjet rresht. Ndonëse shifrat nuk i ka tërësisht të verifikuara, si përgjigje, Ministria e Arsimit u ka kërkuar 15 komunave plane që frenojnë braktisjen.
Elhame Krasniqi ka pak ditë që ka mbushur 14 vjet dhe ka plot 14 muaj që nuk është më në shkollë. Ajo dhe i vëllai 15-vjeçar, Elhami, janë pjesë e një grupi të nxënësve të Shkollës fillore “Selman Riza” në Fushë Kosovë që kanë braktisur mësimin për shkak se nuk e ka kaluar klasën për dy vjet radhazi dhe kjo ua ka pamundësuar vijimin e rregullt të mësimit, shkruan RTK.
Nëna e saj, Hateme Krasniqi, nga Fushë Kosova, tregon se fëmijët e saj u dërguan në shtëpi, duke u thënë të kthehen për “provime klasore” dhe nëse kalojnë këtë provimin në dhjetor dhe në qershor, atëherë do t’u lejohet që vitin e ardhshëm të kthehen në klasë.
“Kanë ngelur dy herë dhe tash janë me provime. Duhet të shkojnë njëherë apo dy. Në shpi askush nuk i mëson. Tash nuk e di a e vazhdojnë prapë klasën e gjashtë”, i ka thënë Krasniqi Radio Kosovës.
Krasniqi, 48-vjeçare, një pjesëtare e komunitetit rom, është një nga rastet e pakta që kanë raportuar për diskriminim pasi fëmijët e saj u dërguan në shtëpi.
Drejtori i Shkollës” Selman Riza”, Esad Simnica, thotë se në rastin e këtyre fëmijëve” nuk pati zgjidhje tjetër” pavarësisht përpjekjeve për të “ të mos të vijë kjo situatë”.
Arijeta Islami, nga organizata “Idea Partnership”, që ofron mësime plotësuese, thotë se në rastet si ky, kalimi në këto teste bëhet edhe më i vështirë.
“Nëse nxënësi nuk e kalon klasën në mësim të përditshëm me mësimdhënës dhe shkon në shtëpi, ku prindërit nuk janë të arsimuar vetë, kjo nuk mund t’i ndihmojnë ata dhe situata bëhet më e vështirë”, thotë ajo.
Komuna e Fushë Kosovës është në mesin e 15 komunave që Ministria e Arsimit dhe organizatat e shoqërisë civile u kanë kërkuar të hartojnë planet që frenojnë braktisjen e shkollës, sidomos nga fëmijët e komunitetit rom, ashkali dhe atij egjiptian, por edhe të tjerët.
Merita Jonuzi, kryesuese e Ekipit të Ministrisë së Arsimit për Parandalim dhe Reagim ndaj Braktisjes së shkollave, i ka thënë Radio Kosovës se këto plane nuk do të mbesin në letër.
“Ne kemi bërë trysni që veprimet që janë përcaktuar në plan të jenë reale, të zbatueshme dhe në përputhje me nevojat që kanë komunat”, ka thënë Jonuzi.
Bjaram Ilazi, nga OJQ Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptasve, VoRAE, thotë se hulumtimet tregojnë për rritje të rasteve të braktisjes të shkollës, duke përmendur se në disa komuna nuk funksionojnë grupet që adresojnë braktisjen.
“Në shumicën e rasteve drejtoritë e arsimit hezitojnë të marrin guximin dhe të padisin prindërit që ata t’i kthejnë fëmijët e tyre në shkollë. Kjo zakonisht tejkalohet dhe lihet në harresë”, ka thënë Bajrami për Radio Kosova.
Zyrtarët e Ministrisë së Arsimit sugjerojnë se nevojiten padi, për të detyruar prindërit të dërgojnë fëmijët në shkollë.
Drejtoria e Arsimit e Komunës së Fushë Kosovës po shpreson që t’i kthejë fëmijët e Hatemes në shkollë.
Drejtoresha Elmie Zymberi thotë se shpesh i paralajmërojnë prindërit për padi, por në rastin e këtyre fëmijëve nuk është ndonjë zgjidhje. “Ne nuk mund ta shfrytëzojmë të drejtën për padi sepse familja është në gjendje të rëndë dhe me padi e përkeqësojmë situatën”, ka thënë Zymberi për Radio Kosova.
Të dhënat e Ministrisë së Arsimit tregojnë se faktorët kryesorë që ndikojnë në braktisje janë varfëria, shfrytëzimi i fëmijëve për punë dhe shpesh mbetja prapa në mësim. Mos kalimi i klasës dhe mungesa e orëve plotësuese gjithashtu kanë ndikuar në rritjen e braktisjes së shkollës ngase fëmijët kanë janë rritur në moshë dhe kanë mbetur prapa në klasë.
Si rasti i fëmijëve të Krasniqit, të tjera të ngjashme janë regjistruar në platformën e raportimit të diskriminimit.
Habit Hajredini, shef i Zyrës për Qeverisje të Mirë në Zyrën e Kryeministrit, që mbikëqyr këto raste, i tha Radio Kosovës se janë adresuar rastet e raportuara.
“Është raportuar rasti nga prindi që nuk po lejohet vijimi (i shkollës) për shkak se kanë tejkaluar moshën. Ne e kemi adresuar menjëherë në Inspektoratin e Arsimit”, thotë Hajeridini.
Megjithatë, Hatemja thotë se ka frikë që për fëmijët e saj mund të bëhet vonë.