Marrja në pyetje e të dëmtuarve nga zjarri në Koçan duhet të fillojë në fillim të majit
Procesi i marrjes në pyetje të të dëmtuarve nga zjarri në të ashtuquajturin kabare “Puls” në Koçan dhe familjet e viktimave, si dhe avokatët e tyre, pritet të fillojë procedurën në fillim të majit, njoftoi Prokuroria Publike e Maqedonisë së Veriut (PTHP), transmeton Portalb.mk. Prokuroria njofton se do të dërgojë njoftim shtesë në lidhje me […]


Procesi i marrjes në pyetje të të dëmtuarve nga zjarri në të ashtuquajturin kabare “Puls” në Koçan dhe familjet e viktimave, si dhe avokatët e tyre, pritet të fillojë procedurën në fillim të majit, njoftoi Prokuroria Publike e Maqedonisë së Veriut (PTHP), transmeton Portalb.mk.
Prokuroria njofton se do të dërgojë njoftim shtesë në lidhje me orarin dhe dinamikën e saktë të marrjes në pyetje, duke marrë parasysh se bëhet fjalë për një numër të madh personash të dëmtuar dhe të prekur që do të duhet tëpyeten.
“Prokuroria po mbledh në mënyrë aktive të gjitha të dhënat e kontaktit dhe adresës së personave të dëmtuar nga zjarri, si dhe të familjeve të viktimave dhe përfaqësuesve të tyre ligjorë”, thonë nga PTHP.
Ata thonë se varësisht nga gjendja shëndetësore e të lënduarve dhe rrethanat e tjera relevante, Prokuroria planifikon t’i informojë menjëherë të gjithë personat e prekur për të drejtat e tyre dhe mënyrën e përfshirjes së tyre në procedurë, përfshirë edhe marrjen e tyre në pyetje.
Ekipi i prokurorisë që po punon në rastin e zjarrit në Pulse, shtoi PTHP, po ndërmerr intensivisht veprime urgjente për të siguruar prova për procedurën penale.
Si informojnë nga prokurorua, aktualisht po kryhet marrja në pyetje dhe po koordinohen hetimet e ekspertëve që janë të nevojshme për të hedhur dritë mbi rastin.
Në zjarrin që ndodhi më 16 mars në diskotekën “Pulse” në Koçan, po atë ditë, jetën e humbën 59 persona, ndërsa më 4 prill, më 7 prill dhe 17 prill, ndërruan jetë edhe tre persona të tjerë, duke e çuar numrin total të viktimave në 62. Nga zjarri mbetën 196 të lënduar që u trajtuan brenda dhe jashtë vendit.
Sipas hetimeve të deritanishme nga institucionet, diskoteka ka punuar me një sërë shkeljesh të mëdha: nuk kishte rrjet hidranti dhe mjaftueshëm aparate PP, përdoreshin materiale piroteknike në mënyrë të paligjshme, nuk kishte as leje pune të ligjshme dhe nuk ishte lidhur asnjë kontratë me shkrim mes organizatorit dhe grupit interpretues.
Prokuroria në Koçan dhe Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka identifikuar si të dyshuar 68 persona fizikë dhe tre persona juridikë për krime të rënda kundër sigurisë publike, njëri prej tyre ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra nga zjarri. Ministria e Punëve të Brendshme ka ngritur kallëzime penale kundër tyre, shumica prej të cilëve ndodhen në paraburgim. Midis tyre është edhe zyrtari i BDI-së, Kreshnik Bekteshi.