Mbi 10 mijë qytetarë turq kanë kërkuar shtetësi në Maqedoni
Jeta në Turqi është bërë tepër e rëndë politikisht, por edhe tepër e shtrenjtë për një familje, më lehtë e kisha të shpërngulem këtu dhe të kërkoja shtetësi në Maqedoni, shpjegon 28-vjeçari Benk Bingjul për Radion Evropa e Lirë. Ai tashmë disa muaj punon si menaxher në një kafene në Shkup në pronësi të disa biznesmenëve […]
Jeta në Turqi është bërë tepër e rëndë politikisht, por edhe tepër e shtrenjtë për një familje, më lehtë e kisha të shpërngulem këtu dhe të kërkoja shtetësi në Maqedoni, shpjegon 28-vjeçari Benk Bingjul për Radion Evropa e Lirë. Ai tashmë disa muaj punon si menaxher në një kafene në Shkup në pronësi të disa biznesmenëve turq. Dy vite më parë ai me bashkëshorten e tij maqedonase u shpërngul nga Antalia në Shkup. Për këtë ai ka siguruar një leje qëndrimi, ndërsa para një muaji filloi procedurën për marrjen e shtetësisë maqedonase. Ai thotë se i mungon vendlindja për shkak të jetës në plazh buzë detit, por këtu është më lirë, transmeton Portalb.mk.
“Për shembull në market, një blerje e zakonshme për ta furnizuar shtëpinë me perime, vezë, mish, qumësht, edhe nëse blini me sasi minimale, duhet të paguani rreth 280-300 euro, por me këto para në Shkup mund ta mbushni makinën tuaj të vjetër, të gjithë bagazhin, ulësen e parme, ulësen e pasme, plot e përplot. Por në Turqi nuk mund ta bëni këtë sepse është e pamundur”, thotë Bingjul.
Gjuhën maqedonase nuk e zotëron mirë, por thotë se e ushtron me bashkëshorten e tij. Një nga kushtet që duhet ta përmbushë sipas ligjit është që ta japë provimin për njohjen e gjuhës maqedonase.
“Kuptoj diçka në maqedonisht, di të lexoj në latinisht, por jo në kirilicë, këtë duhet ta mësoj”, thotë ai.
Por, ky kusht nuk vlen për ata që do të dëshmojnë se kanë origjinë maqedonase.
Vala turke e kërkesave për shtetësi të Maqedonisë
Krahas personave si Bingjul të cilët kërkojnë shtetësi maqedonase për shkak të martesës me një shtetase të Maqedonisë, në bazë të origjinës maqedonase në katër vitet e fundit shtetësi kanë kërkuar gjithsej 10.500 qytetarë turq, tregojnë kështu të dhënat që Radio Evropa e Lirë i siguroi nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB).
Sipas MPB-së këta njerëz janë shtetas të Тurqisë, të cilët në institucionet në Maqedoni duhet të dëshmojnë se janë emigrantë nga ky vend dhe se kanë origjinë etnike maqedonase.
Në përgjigjen për Radion Evropa e Lirë nga MPB-ja thonë se arsyeja për rritjen e numrit të kërkuesve të shtetësisë maqedonase ka të bëjë me ndryshimet e fundit ligjore.
“Ndryshimet ligjore në vitin 2021 kontribuuan në rritjen enorme të numrit të kërkesave për fitimin e shtetësisë maqedonase nga emigrantët që jetojnë në Republikën e Turqisë”, thonë nga MPB-ja. 
Definicioni i ri për “emigrant” në Ligjin për shtetësi
Bëhet fjalë për ndryshime të Ligjit për Shtetësi të dorëzuara nga Qeveria e atëhershme e udhëhequr nga koalicioni LSDM – BDI.
Ministri i atëhershëm i punëve të brendshme, Oliver Spasovski, në Kuvend propozoi ndryshime të ligjit me të cilat definohet se çfarë është emigranti.
Sipas Ligjit, emigranti dhe pasardhësit e tij të shkallës së parë mund të bëhen shtetas të Maqedonisë pa jetuar në vend, pa e ditur mjaftueshëm gjuhën maqedonase dhe pa hequr dorë nga shtetësia e mëparshme, rregull që vlen për të huajt.
“Në kuptimin e këtij ligji emigrant konsiderohet shtetasi i Republikës së Maqedonisë së Veriut i cili është shpërngulur nga Republika e Maqedonisë së Veriut në një shtet tjetër, pa dallim të gjinisë, racës, ngjyrës së lëkurës, origjinës kombëtare dhe sociale, bindjeve politike dhe fetare, gjendjes pasurore dhe shoqërore”, thuhet në Ligjin për Shtetësi.
Sipas regjistrimit të vitit 2021, i cili është bërë në periudhën kur hynë në fuqi ndryshimet e këtij ligji, në Maqedoninë e Veriut 3,9 përqind e qytetarëve janë të përkatësisë etnike turke.
Të dhënat tregojnë se nga 83 mijë turq etnikë në vend jetojnë pothuajse 71 mijë, ndërsa 12 mijë të tjerët janë popullatë jorezidente.
Biznesi, punësimi dhe arsimi si motivim për migrim
Interesi i qytetarëve turq për qëndrim në vendin tonë vihet re për çdo ditë, duke filluar nga numri i madh i dyqaneve që ofrojnë ushqim tradicional turk e deri tek të rinjtë që shëtisin nëpër qendrën e Shkupit.
Statisticienti Donço Gerasimovski thotë se motiv për rritjen e kërkesës për shtetësi maqedonase nga qytetarët e Turqisë mund të jetë biznesi, punësimi ose arsimi. Sipas tij, interesi i shtuar shihet më së shumti në biznes.
“Merrni shembull operativën e ndërtimtarisë, sa objekte, ndërtesa banimi dhe ato të karakterit të madh dhe të gjerë po ndërtohen në vendin tonë e të cilat i ndërtojnë kompanitë nga Turqia. Të gjithë ata që ta bëjnë këtë në përputhje me rregulloret ligjore duhet ta rregullojnë edhe shtetësinë e tyre. Gjithçka është në funksion në interes të biznesmenëve, sportistëve, atyre që kanë edhe fitim edhe dobi e që kanë më shumë këtu sesa në vendet e tyre”, shpjegon Gerasimovski.
Ai shton se kjo ndikon edhe mbi strukturën e popullsisë sipas përkatësisë etnike.
“Të gjithë ata persona të cilët bëhen shtetas të vendit tonë, varësisht nga vendet ku vijnë e rrisin numrin e popullatës së asaj përkatësie etnike në vendin tonë.
Me rritjen e interesit për shtetësi në vend vërehet edhe rritje e kapitalit turk, përkatësisht kompanive të hapura nga pronarë turq.
Mbi katër mijë kompani në vend të themeluara me kapital turk
Sipas të dhënave që REL i siguroi nga Oda Ekonomike Maqedonaso-Turke MATTO për vitin 2024, numri i kompanive të regjistruara me kapital turk nga personat juridikë dhe fizikë është 4.132.
Nga atje thonë se interesi i biznesit buron nga marrëdhëniet e ngushta maqedonaso-turke.
“Të cilat bazohen në lidhjen e përbashkët historike nga periudha osmane, numrin e konsiderueshëm të emigrantëve nga këto hapësira në Republikën e Turqisë, si dhe lidhjet ekzistuese familjare dhe kulturore mes qytetarëve të dy vendeve. Përveç kësaj, Republika e Maqedonisë së Veriut përfaqëson një portë strategjike drejt tregjeve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian për kompanitë nga Republika e Turqisë, gjë që rrit atraktivitetin e saj si destinacion investimi”, thuhet në përgjigjen për REL nga MATTO.
Në rritje është edhe numri i studentëve që vijnë për studime në vendin tonë. Sipas profesorit Kiril Barbareev, i cili ligjëron në Universitetin “Goce Dellçev” të Shtipit, numri i përgjithshëm i studentëve nga Turqia që në 12 vitet e fundit janë regjistruar në universitetin e Shtipit është rreth 900 studentë.
“Dhe ajo që di unë nga disa biseda me njerëz me të cilët kam komunikuar është se Turqia ka një numër të madh të të rinjve të cilët nuk mund të regjistrohen në sistemin e tyre dhe se ata të rinj, për shkak se shpenzimet e studimeve në arsimin e lartë privat në Turqi janë mjaft të larta, ndoshta kërkojnë universitete të caktuara në rajon në të cilat do të dëshironin të regjistroheshin dhe të studionin”, thotë ai. 
Pasaporta e Maqedonisë dhe udhëtimi në zonën Shengen si motivim
Pas ngjarjeve në Malin e Zi, ku në tetor të këtij viti për një kohë të shkurtër u hoq regjimi pa viza për turqit pas një sërë incidentesh për shkak të narrativit antiturk, mediat turke shkruajnë se Maqedonia e Veriut është destinacioni i ri tërheqës për qytetarët e Turqisë për shkak të përparësive të ndryshme që i ofron.
Një nga shembujt që e theksojnë disa nga mediat është se për ta është tërheqëse mundësia për udhëtim pa viza në zonën Shengen me pasaportë maqedonase. Pastaj theksohet edhe procedura e shpejtë dhe e lirë për themelimin e një kompanie dhe shpenzimet e përballueshme të jetesës si qiraja, ushqimi dhe transporti që janë më të ulëta në krahasim me Turqinë.
“Afërsia me Evropën, edhe pse nuk është shtet anëtar i BE-së, pozicioni i saj strategjik në Ballkan mundëson një qasje të lehtë në Evropë”, thuhet në analizën e tyre.
Ndërkohë Mali i Zi më 24 dhjetor i hoqi vizat për shtetasit turq, por e zvogëloi qëndrimin e lejuar nga 90 ditë sa është në zonën Shengen në 30 ditë me qëllim, siç thonë nga Qeveria e Malit të Zi, për ta parandaluar migrimin e paligjshëm dhe në përputhje me politikën e vizave të Bashkimit Evropian.
Sipas ndryshimit të fundit të rregullave evropiane për udhëtimin pa viza nga muaji i kaluar, është hapur mundësia për pezullim më të shpejtë të udhëtimit pa viza për vendet jashtë BE-së që paraqesin shqetësim për migrimin ose sigurinë.
Maqedonia e Veriut së bashku me Shqipërinë, Malin e Zi, Kosovën, BeH dhe Serbinë bëjnë pjesë në grupin e vendeve që mund të përballen me monitorim të shtuar të zbatimit të rregullave të reja. Disa nga arsyet për të cilat mund të vendosen kufizime janë harmonizimi i dobët me politikën e vizave të Bashkimit Evropian, paralelisht me menaxhimin e programeve për shtetësi për investitorët, të ashtuquajturat “pasaporta të arta”, të cilat mundësojnë marrjen e shtetësisë pa një lidhje reale dhe të dëshmueshme me vendin.
Gjithashtu po shqyrtohen edhe rreziqet e sigurisë lidhur me kërcënimet hibride, përfshirë këtu përdorimin politik të migracionit dhe dobësitë në sigurinë e dokumenteve personale, gjë që e vështirëson edhe më shumë pozicionin e vendeve të treta që kanë regjim pa viza me BE-në.”