Media greke: A e vendosi Ali Ahmeti flamurin e Maqedonisë në zyrën e tij për t’u afruar me Mickoskin?
Rrjeti i pavarur grek i lajmeve dhe analizave IBNA (Independent Balkan News Agency) analizon vendosjen e flamurit shtetëror të Maqedonisë në zyrat e kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, në Reçicë të Vogël dhe me këtë rast vë në dukje se ky vend...
Rrjeti i pavarur grek i lajmeve dhe analizave IBNA (Independent Balkan News Agency) analizon vendosjen e flamurit shtetëror të Maqedonisë në zyrat e kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, në Reçicë të Vogël dhe me këtë rast vë në dukje se ky vendim është shumë më tepër se një gjest simbolik protokollar.
IBNA, e cila raporton për zhvillimet politike, ekonomike dhe gjeopolitike në Ballkan, Evropën Juglindore, Mesdheun Lindor dhe Lindjen e Mesme, si dhe punon në disa gjuhë, gëzon pavarësi redaksionale dhe formalisht nuk është e lidhur me parti politike apo qeveri, por konsiderohet si një qendër analitike që ndjek me vëmendje proceset kritike për shtetin grek dhe rajonin.
Në analizën e saj, IBNA flet për situatën në Maqedoni, por indirekt u dërgon një mesazh edhe institucioneve greke se në Maqedoni po ndryshojnë gjëra që mund të kenë ndikim edhe te fqinji jugor.
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, u takua me ambasadorin e Austrisë, Martin Palmer, në selinë e partisë në Tetovë, me ç’rast në zyrë u vendosën flamujt e Maqedonisë, Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë.
IBNA në analizën e saj vëren se kjo nuk ka ndodhur në 24 vitet e fundit, përkundër sugjerimeve të diplomacive të shumta në atë drejtim.
„Vendimi i kryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, për të vendosur flamurin kombëtar të Maqedonisë në zyrën e tij për herë të parë në 24 vitet e fundit, është shumë më tepër se një gjest simbolik protokollar.
Në një kohë kur partia po përballet me sfidën e saj më të rëndësishme politike në vitet e fundit nga koalicioni i shqiptarëve etnikë VLEN, ky hap përmban një mesazh të qartë me peshë politike. Ai reflekton përpjekjen e BDI-së për të rikonfigutuar dhe ritreguar rolin e saj si një forcë politike që lidh përfaqësimin politik të shqiptarëve me funksionimin e vetë shtetit, në vend që të fokusohet ekskluzivisht në mbrojtjen e identitetit kombëtar shqiptar.“
„BDI tani po përballet me një realitet të ri politik brenda peizazhit politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Ngritja e VLEN-it dhe humbja e bastioneve kryesore lokale kanë gërryer dominimin politik që partia e ruajti për më shumë se dy dekada.
Në të njëjtën kohë, kryeministri Hristijan Mickoski zgjodhi të formojë koalicion qeveritar me VLEN-in në vend të BDI-së, duke ritrajtuar balancën e përfaqësimit të shqiptarëve brenda institucioneve drejtuese të vendit.
Në këtë prapavijë, pranim i një simbolizmi më të fortë shtetëror nga ana e Ahmetit përfaqëson një përpjekje për të riredaktuar narrativën e tij politike. Që nga themelimi i saj pas Marrëveshjes të Ohrit, BDI-ja ka kombinuar mbrojtjen e të drejtave kolektive të shqiptarëve me pjesëmarrjen në qeverisjen e Maqedonisë.
Përmes shfaqjes publike të flamurit shtetëror, partia po përpiqet të përforcojë argumentin e saj se pjesëmarrja politike e shqiptarëve është pjesë përbërëse e funksionimit të shtetit, e jo një realitet politik paralel apo konkurrues.
Veprimi i Ahmetit sugjeron se konkurrenca politike brenda bllokut politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut po zhvendoset gradualisht nga kërkimi për përfaqësim etnik drejt kërkimit për kredibilitet institucional dhe kapacitet qeverisës. Prania e flamurit kombëtar në zyrën e udhëheqësit të BDI-së, si e tillë, ka pak gjasa të ndryshojë balancën politike në vend.
Megjithatë, kjo tregon për një transformim më të gjerë: më shumë se dy dekada pas Marrëveshjes Kuadër të Ohrit, sistemi politik i Maqedonisë po hyn në një fazë të re në të cilën konkurrenca mes partive politike shqiptare po fokusohet gjithnjë e më shumë në kredibilitetin institucional dhe aftësinë e tyre për të qeverisur.
Vendimi i Ali Ahmetit për të vendosur flamurin kombëtar të Maqedonisë reflekton përpjekjen e BDI-së për t’u ripozicionuar si një forcë politike e përqendruar në qeverisjen institucionle në një kohë konkurrence të fortë politike. Ky hap ilustron një zhvendosje më të gjerë në konkurrencën politike nga simbolizmi etnik drejt kërkimit për kredibilitet institucional“ – shkruan mes tjerash në analizën e IBNA-së.
Burimi i lajmit: lajmpress.org
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.