Mërgimtarët do të mund të votojnë në 37 përfaqësi diplomatike në 24 shtete

Nga Australia, Japonia dhe deri në ShBA e Kanada, shtetasit e Kosovës që janë regjistruar për të votuar në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, do të mund të votojnë më 27 dhjetor të këtij viti. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka treguar përmbajtjen e vendimit të KQZ-së për numrin e përfaqësive diplomatike në

dhjetor 12, 2025 - 10:30
 0
Mërgimtarët do të mund të votojnë në 37 përfaqësi diplomatike në 24 shtete
Mërgimtarët do të mund të votojnë në 37 përfaqësi diplomatike në 24 shtete

Mërgimtarët do të mund të votojnë në 37 përfaqësi diplomatike në 24 shtete

Nga Australia, Japonia dhe deri në ShBA e Kanada, shtetasit e Kosovës që janë regjistruar për të votuar në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, do të mund të votojnë më 27 dhjetor të këtij viti.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka treguar përmbajtjen e vendimit të KQZ-së për numrin e përfaqësive diplomatike në të cilat do të organizohet votimi.

“Më 27 dhjetor, procesi i votimit për zgjedhjet e Kuvendit të Republikës së Kosovës do të organizohet në 24 shtete të ndryshme të botës. Sipas vendimit të KQZ-së, votimi do të zhvillohet në 23 ambasada dhe 14 konsullata. Numri i përgjithshëm i votuesve që janë regjistruar për të votuar fizikisht në përfaqësitë diplomatike dhe në të cilat sipas vendimit të KQZ-së do të zhvillohet procesi i votimit, është 19,256”, tha Elezi.

Më tej, ai shpjegoi se ky vendim i KQZ-së, mbështetet edhe në vendimet e fundit të Gjykatës Supreme dhe të PZAP-it për mundësimin e votimit vetëm në përfaqësitë diplomatike të shtetit të Kosovës, por jo edhe në hapësira shtesë.

“Planifikimi fillestar i KQZ-së ka qenë që ky proces të organizohet në 50 përfaqësi diplomatike të vendosura në 36 shtete si dhe në 10 qendra votimi jashtë përfaqësive diplomatike. Vendimi i KQZ-së, i datës 10 dhjetor, që votimi të organizohet në 37 përfaqësi diplomatike, mbështetet në Aktgjykimin e Gjykatës Supreme dhe vendimin e PZAP-it për zhvillimin e votimit vetëm në përfaqësi diplomatike si dhe në të dhënat nga procesi i regjistrimit të votuesve”, sqaroi Elezi.

Më 25 nëntor, KQZ kishte marrë vendim për miratimin e Qendrave të Votimit dhe vendvotimeve në përfaqësitë diplomatike për të votuar më 27 dhjetor 2025. Sipas vendimit të KQZ-së, procesi i votimit planifikohej të organizohej në 50 përfaqësi diplomatike me gjithsej 66 vendvotime, të vendosura në 36 shtete të ndryshme të botës. Megjithatë, sipas vendimit të KQZ-së, kjo listë do të mund të rishikohej nga KQZ, varësisht nga numri i votuesve që do të regjistrohen për të votuar në përfaqësi diplomatike.

Po ashtu, sipas vendimit të KQZ-së, Qendra të Votimit do të hapen edhe në 10 hapësira shtesë, jashtë përfaqësive diplomatike, sipas propozimit nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Por, kjo pjesë e vendimit të KQZ-së është shfuqizuar nga PZAP dhe Gjykata Supreme. Sipas ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, votimi fizik mund të mbahet vetëm në përfaqësitë diplomatike./eo