Milani e nxjerr nga “hija”! Talenti 10 milionësh merr një rrugë krejt tjetër
AC Milan ka zyrtarizuar largimin e David Odogut, me mbrojtësin gjerman që do ta vijojë sezonin 2026/27 në Francë, te Toulouse FC, në formë huazimi. Marrëveshja mes dy klubeve është finalizuar dhe të dyja palët kanë konfirmuar zyrtarisht tra...


AC Milan ka zyrtarizuar largimin e David Odogut, me mbrojtësin gjerman që do ta vijojë sezonin 2026/27 në Francë, te Toulouse FC, në formë huazimi.
Marrëveshja mes dy klubeve është finalizuar dhe të dyja palët kanë konfirmuar zyrtarisht transferimin e përkohshëm të 19-vjeçarit.
Odogu iu bashkua Milanit verën e kaluar nga VfL Wolfsburg për rreth 10 milionë euro, por aventura e tij në ekipin e parë kuqezi nuk shkoi sipas pritshmërive. Në sezonin e kaluar, mbrojtësi arriti të luante vetëm 16 minuta me ekipin e Massimiliano Allegrit.
Për këtë arsye, huazimi te Toulouse është konsideruar zgjidhja më e mirë për futbollistin, i cili synon të fitojë minuta dhe eksperiencë në futbollin elitar, përcjell ORAinfo.
Toulouse beson te talenti gjerman
Klubi francez e sheh Odogun si një përforcim të rëndësishëm për repartin defensiv. Drejtuesit e Toulouse kanë bërë të ditur se e kishin ndjekur futbollistin që prej kohës kur ai luante te Wolfsburg.
Presidenti i klubit, Olivier Cloarec, u shpreh i kënaqur me marrëveshjen, duke theksuar se ardhja e Odogut nga Milani tregon besimin që klubi italian ka te Toulouse për zhvillimin e talenteve të rinj.
Edhe drejtori sportiv Viktor Bezhani zbuloi se klubi francez e kishte monitoruar mbrojtësin prej kohësh.
“Është një lojtar që e kishim vëzhguar që kur luante te Wolfsburgu. Më pas u transferua te Milani dhe ne vazhduam të qëndronim në kontakt. Tani kemi mundësinë ta mirëpresim në skuadër. Ai do të sjellë shumë siguri në mbrojtjen tonë dhe është një lojtar shumë i kompletuar”, deklaroi Bezhani.
Për Milanin, huazimi shihet si një mundësi që Odogu të fitojë minutat e nevojshme dhe të zhvillohet, përpara se të rikthehet në Milano dhe të tentojë të bindë stafin teknik për një rol më të rëndësishëm. /ORAinfo/
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.