Nga Gjakova ra heroikisht në Vaksincë të Kumanovës, 25 vjet pa komandant Tigrin
Sot shënohen 25 vjet nga rënia e dëshmorit Fadil Nimani, një nga figurat më të njohura të luftës së vitit 2001 në Maqedoninë e Veriut dhe një emër që vazhdon të kujtohet nga shqiptarët si simbol i rezistencës dhe sakrificës kombëtare. I njo...
Sot shënohen 25 vjet nga rënia e dëshmorit Fadil Nimani, një nga figurat më të njohura të luftës së vitit 2001 në Maqedoninë e Veriut dhe një emër që vazhdon të kujtohet nga shqiptarët si simbol i rezistencës dhe sakrificës kombëtare.
I njohur me nofkën “Komandant Tigri”, Fadil Nimani ishte me origjinë nga fshati Gërgoc i Gjakovës. Pas përfundimit të luftës në Kosovë, ai iu bashkua forcave shqiptare që kërkonin më shumë të drejta dhe barazi për shqiptarët në Maqedoni, duke u bërë një nga komandantët më të njohur të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në zonën e Karadakut të Kumanovës gjatë konfliktit të vitit 2001.
Ai udhëhoqi Brigadën 113 “Ismet Jashari-Kumanova”, duke qenë aktiv në zonat e Kumanovës dhe Likovës, në periudhën më të tensionuar të konfliktit të armatosur. Emri i tij lidhet veçanërisht me betejat në rajonin e Vaksincës, ku konsiderohej një nga figurat kryesore të organizimit dhe drejtimit të njësive shqiptare në terren.
Më 25 maj të vitit 2001, Vaksincë, Komandant Tigri bie dëshmor gjatë luftimeve, në një moment kritik të konfliktit. Rënia e tij u prit me jehonë të madhe mes shqiptarëve dhe ai mbeti një nga figurat më të përmendura të luftës së vitit 2001.
Edhe pas 25 vitesh, emri i Fadil Nimani vazhdon të përmendet në përvjetorë, akademi përkujtimore dhe homazhe në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, ku shumë shqiptarë e konsiderojnë atë simbol të qëndresës dhe luftës për të drejtat kombëtare.(INA)
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.