Ngërçe të (pa)zgjidhura, RMV-ja nuk e fitoi betejën për barazi gjinore as në 2024

Maqedonia e Veriut për herë të parë në histori në vitin 2024 zgjodhi një grua për presidente, megjithatë viti që lamë pas u shënua me probleme të ndryshme në fushën e (pa) barazisë. Pavarësisht progresit sa për sy e faqe, problemet thelbësore si dhuna, diskriminimi, pabarazitë, premtimet e papërmbushura dhe shumë të tjera vazhduan të […]

Jan 5, 2025 - 08:00
 0  8
Ngërçe të (pa)zgjidhura, RMV-ja nuk e fitoi betejën për barazi gjinore as në 2024
Foto e krijuar me Inteligjencë Artificiale në Bing dhe Canva

Maqedonia e Veriut për herë të parë në histori në vitin 2024 zgjodhi një grua për presidente, megjithatë viti që lamë pas u shënua me probleme të ndryshme në fushën e (pa) barazisë. Pavarësisht progresit sa për sy e faqe, problemet thelbësore si dhuna, diskriminimi, pabarazitë, premtimet e papërmbushura dhe shumë të tjera vazhduan të jehojnë gjatë gjithë vitit. Portalb.mk sjell disa nga momentet kryesore që shënuan vitin 2023 në këtë fushë. 

Zgjedhje (pa) zgjidhje

Në vitin që lamë pas së bashku me zgjedhjet presidenciale u mbajtën edhe ata parlamentaret, mirëpo në programet e kandidatëve për president këto pika ishin të përmendura sa për sy e faqe, kurse më shumë premtime u dhanë në zgjedhjet parlamentare.

Viti 2024 do të mbahet mend kryesisht si viti kur RMV-ja për herë të parë zgjodhi si presidente një grua. Gordana Silanovska Davkova u bë presidentja e parë e vendit. 

Por ky progres nuk u reflektua pas zgjedhjeve në Kuvend apo Qeveri, praktika e njëjtë e mospërfaqësimit të grave u vazhdoi edhe në këto përbërje.

Nga 120 deputetë të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut 41 janë gra, 8 prej tyre janë shqiptare ndërsa 33 gra janë maqedonase.

Ndërsa në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut gratë jenë minimalisht të përfaqësuara, vetëm tre gra janë ministre, dhe asnjëra nuk është shqiptare. I ulët mbeti edhe numri i grave zëvendësministre. 

(Pa)barazia gjinore në RMV. Foto ilustrim në Canva nga Fisnik Xhelili/Portalb.mk (Fotoja në prapavi: Eugen Tamas)
(Pa)barazia gjinore në RMV. Foto ilustrim në Canva nga Fisnik Xhelili/Portalb.mk (Fotoja në prapavi: Eugen Tamas)

Gratë politikane në shënjestër të gjuhës së urrejtjes 

Gjuha seksiste dhe e urrejtjes ndaj grave me poste publike, kryesisht ndaj politikaneve ishte tejet e përhapur edhe për shkak të zgjedhjeve të dyfishta.

Këtë problem e theksoi edhe hulumtimi i Institutit Kombëtar Demokratik (NDI), ku vetëm gjatë gjysmës së parë të vitit 2024 janë identifikuar 3,380 komente me gjuhë seksiste kundër grave në politikë, me theks të veçantë gjatë zgjedhjeve.

Por politikanet nuk ishin të vetmet që përjetuan dhunë digjitale, Platforma për Barazi Gjinore shprehu shqetësimin në lidhje me rritjen e keqpërdorimit dhe shkeljes së hapësirës personale dhe intime përmes dhunës digjitale me bazë gjinore. Ekspertët alarmuan se dhuna digjitale me bazë gjinore ka marrë përmasa gjithnjë e më të mëdha. 

Gjuha e urrejtjes në internet në RMV. Foto ilustrim nga Fisnik Xhelili/Portalb.mk (fotoja në prapavi nga Kb group në Canva)
Gjuha e urrejtjes në internet në RMV. Foto ilustrim nga Fisnik Xhelili/Portalb.mk (fotoja në prapavi nga Kb group në Canva)

Gratë e dhunuara detyrohen të kthehen te dhunuesi 

Gjatë vitit 2024 Portalb.mk ka raportuar vazhdimisht mbi rastet e dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave si dhe problematikave institucionale në këtë drejtim. Gratë e dhunuara të cilat qëndrojnë në strehimoret e Maqedonisë së Veriut detyrohen të kthehen te dhunuesi për shkak të mungesës së qëndrueshmërisë financiare. Atyre u nevojitet strehim më afatgjatë pas lëshimit të strehimores dhe të kenë mbështetje financiare nga institucionet përkatëse. 

Në Maqedoninë e Veriut janë katër strehimore shtetërore që ofrojnë strehim deri në gjashtë muaj. Po ashtu, funksionojnë dy qendra krize, njëra është qendër krize për qëndrim, 24 deri në 48 orë dhe tjetra është qendër për përkujdesjen e viktimave të dhunës në familje deri në një vit. 

Dhuna ndaj grave, dhunë Foto: Milena Anđela/novinarkeprotivnasilja.org
Dhuna ndaj grave, dhunë Foto: Milena Anđela/novinarkeprotivnasilja.org

Sekretariati për Barazi Gjinore mbeti vetëm në letër 

Sekretariati për Barazi Gjinore nuk arriti të formohet nga Qeveria paraprake e Maqedonisë së Veriut edhe pse u premtua. Puna mbi projekt-ligjin për barazi gjinore në të cilin parashihet ky sekretariat kishte ndaluar ndërsa grupi i punës nuk ka mbajtur takime mbi një vijet. As pushteti aktual nuk dha sinjale pozitive për themelimin e këtij sekretariati. 

8 Marsi me protestë

Ngjashëm si vitet e kaluara, edhe 8 Marsi i 2024, Dita Ndërkombëtare e Gruas u shënua me protestë nën sloganin “Linja e kuqe”: Të drejtat e grave janë të panegociueshme!”, duke kërkuar barazi ekonomike, politike dhe sociale për gratë. 

Marsh protestues në Shkup me rastin e 8 marsit/Foto: Umeys Sulejman - Anadolu Agency
Marsh protestues në Shkup me rastin e 8 marsit/Foto: Umeys Sulejman – Anadolu Agency

Shuplakat e BE-së dhe SHBA-ve 

Komisioni Evropian e tha qartë në raportin e proresit se Maqedonia e Veriut nuk ka bërë përparim në avancimin e barazisë gjinore, pa zhvillime të rëndësishme në kornizën e saj kombëtare të politikave për integrimin e barazisë gjinore dhe përafrimin me acquis-in e BE-së. 

Edhe Raporti i Departamentit të Shtetit Amerikan mbi të drejtat e njeriut për Maqedoninë e Veriut, i cili nxori në sipërfaqe të palarat e RMV-së në këtë drejtim, dhuna, kërcënimet, diskriminimi, gjuha e urrejtjes, femicidi, krimet dhe abuzimet janë fjalët që u përmendën më shpesh në këtë raport.

Pak progres

Pavarësisht sfidave dhe problemeve, lufta ndaj një të ardhme më të mirë në drejtim të barazisë gjinore nuk u ndal, kryesisht nga aktorët e shoqërisë civile, por edhe institucionet shtetërore.

Enti Shtetëror i Statistikave në bashkëpunim me UN Women krijuan platformën me statistika gjinore për të përmirësuar qasjen në të dhënat gjinore. Por, kjo platformë është e mbushur me informata vetëm në gjuhën maqedonase dhe angleze, ndërsa në gjuhën shqipe nuk ka të dhëna. 

Ditën Ndërkombëtare e Vajzave në RMV u formua grupi institucional për krijimin e politikave për barazi gjinore. 

Ministria e Mbrojtjes dhe Këshillit Nacional për Barazi Gjinore nënshkruan një memorandum bashkëpunimi. 

Gjithashtu dy muaj para përfundimit të vitit u njoftua se ka filluar procesi i përgatitjes së Strategjisë për luftimin e dhunës me bazë gjinore. 

U mbajtën edhe aktivitete të ndryshme, si panele, konferenca, diskutime dhe të ndryshme.