Arsimi i lartë gjatë 2024 në Maqedoninë e Veriut: Shumë fjalë, pak ndryshime

Në vitin 2024 Maqedonia e Veriut u përball me sfida dhe ngjarje që edhe një herë e aktualizuan çështjen e së ardhmes së arsimit të lartë dhe standardit të studentëve. Nga rritja e shpenzimeve për studentët, e deri tek korrupsioni, protestat dhe kërkesat për përmirësimin e kushteve – ka kaluar edhe një vit me përshtypjen […]

Jan 5, 2025 - 08:00
 0  10
Arsimi i lartë gjatë 2024 në Maqedoninë e Veriut: Shumë fjalë, pak ndryshime
Radhë të gjata për dokumente për akomodim në konviktin “Goce Dellçev” / foto: Meta.mk

Në vitin 2024 Maqedonia e Veriut u përball me sfida dhe ngjarje që edhe një herë e aktualizuan çështjen e së ardhmes së arsimit të lartë dhe standardit të studentëve. Nga rritja e shpenzimeve për studentët, e deri tek korrupsioni, protestat dhe kërkesat për përmirësimin e kushteve – ka kaluar edhe një vit me përshtypjen se sistemi i arsimit ka nevojë për reforma serioze, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Sipas Entit Shtetëror të Statistikës në vitin akademik 2023/2024 në institucionet e arsimit të lartë në Maqedoni janë regjistruar gjithsej 52.316 studentë – që është për 2,8 përqind më pak krahasuar me numrin e studentëve të regjistruar një vit më parë. Fakulteti më i kërkuar vazhdon të jetë FSHIIK, pastaj vijnë fakultetet e mjekësisë në Universitetin Shtetëror në Tetovë, Universitetin “Sh. Kirili dhe Metodi” në Shkup (UKM) dhe në Universitetin “Goce Dellçev” në Shtip (UGD).

Nga ana tjetër nga Agjencia e Punësimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut (АPRMV) thonë se në fund të vitit 2023 punë në mënyrë aktive kanë kërkuar 15 doktorë shkencash, 550 magjistra dhe 6.688 persona me arsim të lartë. Edhe pse kjo është një rënie e lehtë krahasuar me vitet e kaluara, problemi i papunësisë tek personat me arsim të lartë mbetet alarmant. Më të prekurit janë të diplomuarit në shkenca juridike dhe ekonomike, gjë që flet për planifikimin joadekuat të nevojave të tregut të punës.

Manifest për studime falas, konvikte më të mira

Në mars, Parlamentet studentore universitare nga pesë universitete shtetërore dhe një universitet privat publikuan një “Manifest studentor“- një dokument ku janë shënuar kërkesat e tyre kryesore: arsim cilësor falas, digjitalizim, autonomi, ndërkombëtarizim, krijimi i një Trupi Kombëtar Studentor dhe përmirësimi i standardeve të studentëve. Disa nga partitë kryesore politike e nënshkruan këtë dokument, duke e pranuar kështu se do të angazhohen për plotësimin e këtyre kërkesave.

“Pa dallim se cila parti politike do të jetë nesër në pushtet, e cila do të jetë në opozitë, të gjithë duhet të punojnë së bashku dhe në mënyrë konstruktive për ta përmbushur atë që ne studentët e kërkojmë”, tha për Meta.mk Savçe Gjosheva, studente dhe një nga autoret e Manifestit studentor.

Por, në vend të shkollimit falas, studentëve të fakulteteve të UKM-së iu shtuan shpenzimet për diku mbi 2000 denarë më shumë se sa është vitin e kaluar akademik. Meta.mk në muajin shtator bëri një krahasim të shpenzimeve të studentëve në gjashtë universitetet shtetërore.

Shpenzimet mesatare për një semestër për studentët e Fakultetit Ekonomik pranë UKM-së janë 81.335 denarë ose 1.317 euro, tregoi kështu hulumtimi i Forumit për Ndryshime në Arsim.

Ndërkohë, studentët jetën në konvikte nuk do ta vlerësonin as me notën tre, tregon raporti i Entit Shtetëror të Revizionit (ESHR). Në të është konstatuar një rënie e ndjeshme e kapaciteteve akomoduese në të gjitha konviktet shtetërore të studentëve. Konfirmim për këtë është edhe mbyllja e konviktit të studentëve “Stiv Naumov”, në të cilin që nga ky vit akademik nuk janë akomoduar studentë dhe është në pritje të fillimit të rikonstruksionit të shumëpritur. Ky konvikt, bashkë me konviktin “Kuzman Josifovski – Pitu” do të qëndrojnë të mbyllur deri në përfundimin e rinovimit të tyre. Sipas njoftimeve të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës konvikti i studentëve “Kuzman Josifovski – Pitu” do t’i hapë sërish dyert për studentët nga muaji tetor, ndërsa konvikti i studentëve “Stiv Naumov” do duhet të presë edhe një vit.

Në Raportin e Entit Shtetëror të Revizionit gjithashtu theksohet se shuma të cilën e marrin konviktet për student nuk ka ndryshuar për 15 vjet dhe se nuk siguron një nivel të kënaqshëm të qëndrueshmërisë financiare për konviktet e studentëve. Revizorët hedhin dyshime për mënyrën se si pranohen studentët në konvikte – listat e aplikimeve mbi bazë të të cilave vendoset se cilët studentë do të pranohen në konvikte nuk kanë qenë të firmosura dhe nuk kanë pasur numër arkivi, si dhe mungojnë të dhënat për numrin e përgjithshëm të studentëve të pranuar dhe të refuzuar në ato konvikte për të cilat interesi për akomodim ka qenë më i madh.

Nga ana tjetër, konviktet në të cilat janë vendosur studentët vazhdojnë të përballen me një sërë sfidash. Mungesa e drejtorit në konviktin e studentëve “Pellagonia” në Shkup e solli këtë konvikt në prag të kolapsit – pa ujë të ngrohtë, me ashensorë që nuk funksionojnë, me minj nëpër tualete dhe cilësi të ulët të ushqimit.

Subvencione, bursa, vauçerë, çfarë fituan dhe çfarë humbën studentët?

Për sa i përket mbështetjes së standardit studentor – studentët nga muaji mars i vitit 2024 do të marrin subvencione për ushqim në bazë javore, e jo në bazë ditore siç ishte deri më atëherë. Studentët tani marrin nga 840 denarë në javë – mjete me të cilat mund të paguajnë në markete, restorante, fast food-e, furra buke dhe tek tregtarë të tjerë që prodhojnë apo shesin ushqime.

Sipas ligjit, ushqimi i subvencionuar i studentëve në vitin 2025 duhet të rritet sipas shkallës së inflacionit nga viti i kaluar, por për momentin nga autoritetet nuk ka njoftime nëse dhe sa rritje do të ketë.

Vitin e kaluar studentët kishin ankesa edhe për pagesat e parregullta të bursave – këstet e para i kanë marrë në shkurt të vitit 2024, edhe pse pagesa e bursave ishte planifikuar të bëhej duke filluar nga muaji tetor i vitit 2023. Pakënaqësia përfundoi me organizimin e protestës së studentëve para MASH-it, nga ku studentët me kartona të kuq e shprehën pakënaqësinë e tyre ndaj ministrisë dhe ish-ministrit Jeton Shaqiri.

Në vitin e kaluar akademik 2023/2024, përveç subvencionimit të ushqimit dhe bursave, studentët si mbështetje financiare morën edhe vauçerë për transport ndërurban. Nga 1.200 denarë në muaj përfunduan në llogaritë e studentëve që studiojnë në qytete të tjera, jashtë vendbanimit të tyre. Qeveria e re e udhëhequr nga VMRO-DPMNE nuk e vazhdoi këtë masë në vitin akademik 2024/2025, por Forumi për Ndryshime në Arsim doli me një iniciativë të ngjashme të quajtur “Transport i subvencionuar i studentëve” e cila ende nuk është shqyrtuar në Kuvendin e Maqedonisë.

Qeveria e mëparshme u premtoi studentëve edhe vauçerë për turizëm në vend, diçka që nuk u realizua, prandaj ato, në vend se tek studentët, përfunduan në duart e punëtorëve me të ardhura të ulëta.

Nga gjërat pozitive, studentët e UKM-së nga viti 2024 fituan 50 përqind zbritje për biletat për hyrje në institucionet kulturore, pas nënshkrimit në një Меmorandumi për bashkëpunim mes Parlamentit Studentor Universitar dhe Ministrisë së Kulturës. Me këtë Memorandum parashihet një ulje prej 50 përqind në biletat e hyrjes dhe për ndjekjen e programeve të institucioneve kombëtare në fushën e kulturës për të gjithë studentët që kanë një indeks me një semestër të vërtetuar.

Qeveri e re, probleme të vjetra

Në maj, pas formimit të qeverisë së re, në krye të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH) erdhi Vesna Janevska. Ajo është mjeke, specialiste e patologjisë dhe doktor shkencash. Ajo ka qenë profesoreshë e rregullt në Fakultetin e Mjekësisë pranë Universitetit “Sh. Kirili dhe Metodi” (UKM) në Shkup dhe është ish-deputete.

Në një intervistë për Meta.mk të publikuar këtë verë, Janevska paralajmëroi një luftë të fortë kundër parregullsive që praktikojnë disa universitete. Ajo tha se inspektorati i arsimit do të ketë “shumë punë”. Në atë kohë po vijonin inspektimet në disa universitete, mes tyre edhe në Universitetin Shtetëror në Tetovë dhe në Universitetin Ndërkombëtar të Strugës të Ramiz Merkos.

Në Universitetin Ndërkombëtar të Strugës duhej të hapet Fakulteti i ri i Shkencave Shëndetësore, vendim i cili u mor, por që më pas u anulua, pasi siç tha Janevska, fakulteti nuk i ka plotësuar kushtet e nevojshme.

Pak kohë më parë ministrja informoi edhe se pas inspektimeve janë mbyllur pesë institute private shkencore, ndërsa tek 15 janë konstatuar parregullsi. Ajo tha se disa nga institutet janë mbyllur për shkak të mosaktivitetit, e disa për shkak të mosplotësimit të kushteve ligjore për punë.

Lista me famë botërore e Shangait mbetet ende pa as edhe një universitet të Maqedonisë së Veriut. Ndërkohë, Universiteti “Sh. Kirili dhe Metodi” (UKM) mbetet i vetmi institucion i arsimit të lartë nga vendi që është në listën e 2000 universiteteve më të mira në botë sipas Qendrës për Renditjen e Universiteteve Botërore (CWUR). Megjithatë, edhe atje po mbahet për një fije floku – dy vite me radhë është në vendin e 1990-të.

Në muajin nëntor filloi me punë Trupi Koordinativ Nacional i sapoformuar për reforma në arsimin e lartë, shkencë, hulumtim dhe zhvillim. Ky organ, sipas autoriteteve, ka për detyrë të punojë për “ngritjen e sistemit të shkatërruar të arsimit të lartë dhe sigurimin e qëndrueshmërisë të cilësisë”.

Paga më të larta, korrupsion i njëjtë

Profesorët e UKM-së nga ky vit do të marrin paga më të larta, mesatarisht për 22 përqind, nga fillimi i zbatimit të marrëveshjes kolektive të nënshkruar në vitin 2022.

Korrupsioni vazhdon të lulëzojë nëpër fakultetet, ndërsa shitja e librave si kusht për nënshkrim dhe notë mbetet forma më e përmendur e korrupsionit nga studentët. Në një intervistë për Meta.mk, presidenti i PSU UKM, Aleksandar Nikollovski u bëri thirrje profesorëve që tu japin fund praktikave korruptive, e në të kundërtën ka paralajmëruar se profesorët që do vazhdojnë me veprime të tilla do të publikohen me emër dhe mbiemër.

Se korrupsioni është problem serioz në një vend që nuk bën pothuajse asgjë për ta luftuar atë, theksohet edhe në raportin e fundit të Komisionit Evropian për progresin e Maqedonisë, ku theksohet se korrupsioni në të gjitha sferat është një problem seriozisht shqetësues.

Fundi i vitit 2024 u shënua nga një tjetër pasiguri për studentët – tensionet mes Qeverisë dhe pushtetit lokal në Shkup rrezikuan transportin publik falas për studentët. Pas një sërë shkrimesh në Meta.mk dhe presionit të publikut, NQP Shkup tri ditë para fundit të vitit më në fund publikoi udhëzime se si dhe ku studentët mund ta vazhdojnë vlefshmërinë e biletave të tyre për vitin e ardhshëm.

Çfarë do të sjellë viti 2025?

Për këtë vit janë paralajmëruar disa risi për standardin studentor dhe arsimin e lartë.

Buxheti për standardin studentor për vitin 2025 është 30 milionë euro ose 18 përqind më shumë se vitin e kaluar. Rritja më së shumti ka të bëjë me paratë për shkencë – 293 milionë denarë ose 77 përqind më shumë se vitin e kaluar. Këtë vit do të ndahen para nga Buxheti i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për Reforma në administratën publike, ndërsa janë rritur edhe buxhetet për arsimin e mesëm dhe të lartë, si dhe për standardin e nxënësve dhe studentëve, transmeton Radiо МОF.

Përveç se nuk dihet nëse dhe sa do të rritet pagesa për ushqimin e subvencionuar të studentëve, sa i përket standardit të studentëve Qeveria prej muajsh njofton për ndarjen e vauçerëve për pajisje elektronike për studentët. Vauçerët do të jenë në vlerë prej 250 euro dhe, sipas njoftimit, do t’u jepen të gjithë studentëve në vend dhe me to do mund të blejnë telefona, kompjuterë apo tablet.

Këtë vit do duhet të miratohet edhe një Ligj i ri për Arsimin e Lartë, i cili duhet të ofrojë më shumë mundësi dhe mundësi më të mira për studentët dhe profesorët, por edhe do të rrisë edhe standardet e cilësisë që duhet të ndjekin institucionet e arsimit të lartë.

Ndërkohë në përgatitje e sipër është edhe një ligj i ri për standardin e nxënësve dhe studentëve.

Tashmë disa vite me radhë po njoftohet se do të vazhdojë ndërtimi i godinave të FSHIIK-ut dhe Fakultetit të Edukimit Fizik, Sportit dhe Shëndetësisë.

Në përgjithësi mund të thuhet se në vitin 2024 studentëve iu kushtua shumë më tepër interes dhe vëmendje nga qeveria, sidomos nga ministrja e re, kryeministri dhe nga presidentja. Por përveç premtimeve dhe fjalëve të mira, nuk ka pasur ndryshime drastike që do ta ndryshojnë jetën e studentëve për mirë dhe do ta përmirësojnë cilësinë e arsimit.