Nuk e ndryshuan atëherë, pas një dekade, sërish VMRO e riaktualizon çështjen e stemës shtetërore

Pas një dekade, çështja e ndryshimit të stemës shtetërore në Maqedoninë e Veriut po rihapet. Kryeministri Hristijan Mickoski konfirmoi se me partnerin e tij qeveritar koalicionin VLEN kanë biseduar për këtë temë dhe kanë ngritur çështjen e ndryshimit të stemës shtetërore, transmeton Portalb.mk. “Ne e hapëm këtë çështje. Jemi një nga dy vendet postsocialiste që […]

shkurt 13, 2025 - 15:00
 0  5
Nuk e ndryshuan atëherë, pas një dekade, sërish VMRO e riaktualizon çështjen e stemës shtetërore
Takimi VMRO-DPMNE dhe VLEN në Shkup. Foto: VMRO-DPMNE

Pas një dekade, çështja e ndryshimit të stemës shtetërore në Maqedoninë e Veriut po rihapet. Kryeministri Hristijan Mickoski konfirmoi se me partnerin e tij qeveritar koalicionin VLEN kanë biseduar për këtë temë dhe kanë ngritur çështjen e ndryshimit të stemës shtetërore, transmeton Portalb.mk.

“Ne e hapëm këtë çështje. Jemi një nga dy vendet postsocialiste që ende e kemi stemën e vjetër shtetërore, me disa modifikime të vogla”, tha Mickoski duke iu përgjigjur pyetjeve gazetareske.

Kryeministri kujtoi se ka pasur marrëveshje për ndryshimin e stemës shtetërore mes VMRO-DMPNE-së dhe BDI-së kur ishin në të njëjtën qeveri.

“Unë e di që ka pasur një marrëveshje mes VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së për ndryshimin e stemës shtetërore, kjo ka qenë para disa vitesh, nëse nuk gaboj në vitin 2014, 2015. Ne e kemi hapur këtë çështje dhe vlerësoj se jemi një nga dy vendet postsocialiste që kemi ende stemën e vjetër shtetërore me disa modifikime. Por, shkurtimisht, ka pasur një marrëveshje mes VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së kur ne ishim në të njëjtën qeveri, kur atë qeveri e udhëhiqte Nikolla Gruevski”, tha Mickoski.

Në një kumtesë për mediat, Partia Liberal Demokratike (PLD) propozon vendosjen e rrëqebullit në stemë e re, si një specie e njohur, karakteristike për Maqedoninë e Veriut.  Kjo parti thotë se nëse vendoset rrëqebulli, tregojmë vizion nga e ardhmja në vend që të “kthehet pas dhe të shikojë të kaluarën”.

Kryetari i partisë Lëvizja Besa, Bilall Kasami dha dritën jeshile për ndryshimin e stemës shtetërore. Sipas tij, do të mbështeten ndryshimet në Kushtetutë, të cilat do të pasqyronin realitetin aktual të vendit.

“Në fakt, në një dalje të mëparshme publike kam thënë se një nga qëllimet e emërtimit të rrugëve në qytetin e Tetovës ishte që trashëgimia e sistemit të kaluar të qëndrojë ende, që është edhe shpjegimi i kryeministrit në pjesën për ndryshimin e stemës së shtetit. Jemi të gatshëm të diskutojmë një paketë amendamentesh kushtetuese, ku në vend të trashëgimisë së sistemit të mëparshëm, do të pasqyrohet orientimi aktual i vendit drejt Bashkimit Evropian. Ne jemi të gatshëm të diskutojmë, duke u siguruar që do të jetë një proces publik dhe transparent”, tha Bilall Kasami.

Në lidhje me çështjen për ndryshimin e stemës shtetërore u deklarua edhe kryetari i LSDM-ës, Venko Filipçe.

Ne besojmë se stema shtetërore pasqyron mjaftueshëm të gjitha karakteristikat heraldike të këtij rajoni. Të qarta janë edhe dobitë e Luftës Nacionalçlirimtare dhe Antifashiste, nuk ka ndarje në etni. Nëse do të ketë një iniciativë të tillë, ne do ta kundërshtojmë me forcë ndryshimin e stemës shtetërore me të gjitha mjetet demokratike” tha ai.

2014, u propozua stemë skandaloze pa elemente shqiptare

Kujtojmë se, herën e fundit që u propozua ndryshimi i stemës ishte nga Qeveria e Nikolla Gruevskit dhe BDI-së në vitin 2014, por ajo nuk arriti të sigurojë një shumicë prej dy të tretash për të mbështetur këtë ide. Ishte një luan i kuq në një sfond të verdhë të artë në formën e një mburoje, si dhe një kurorë në pjesën e sipërme në formën e një fortese. Ndër shpjegimet e dhëna nga qeveria e asaj kohe ishte se Maqedonia dhe Bjellorusia ishin të vetmet vende në Evropë që kishin një stemë shtetërore të frymëzuar nga heraldika sovjetike.

Propozimi për stemën në vitin 2014
Propozimi për stemën e Maqedonisë në vitin 2014

Përfaqësues të BDI-së arsyetonin propozimin për stemën e re duke thënë se luani është simbol edhe për shqiptarët. Si argument për këto pretendime u prezantua stema e qytetit të Durrësit, e cila gjithashtu përmban një luan të kuq me prapavijë të verdhë. Por, bashki të ndryshme në Shqipëri përmbajnë simbole të ndryshme kafshësh. Për shembull, në stemën e bashkisë së Pogradecit qëndron gjarpri. Megjithatë, simbolet e tilla nuk janë perceptuar si simbole etnike, por vetëm si lokale.

Historianët shqiptarë kundërshtuan zëshëm këtë propozim duke thënë se luani nuk ka qenë asnjëherë simbol i të gjithë shqiptarëve, dhe edhe në rastet kur është përdorur në stema të ndryshme, nuk ka përfaqësuar elementin etnik shqiptar.

Rikujtojmë dhe deklaratën e Lëvizjes Besa në vitin 2014, e cila tha se e gjykon si manipulim të rëndë me simbolet e shtetit vendosjen e një simboli partiak si simbol shtetëror dhe e konsideron këtë si veprim antishtetëror dhe, aq më shumë, antishqiptar, sepse ky simbol është kundër realitetit shoqëror shumetnik në Maqedoni, e veçmas kundër kombit të dytë shumicë në Republikën e Maqedonisë. Prandaj, që të mos thellohet edhe më shumë ndarja e komuniteteve në Maqedoni, BESA kërkon që Qeveria e Republikës së Maqedonisë ta rimendojë këtë propozim, ndërsa subjekti shqiptar në këtë Qeveri të mos kërkojë shpjegime, gjoja shqiptare, për ta arsyetuar dështimin e tyre në këtë qeverisje dhe të dëshmojnë se nuk janë aty vetëm numra pa asnjë rëndësi përmbajtjesore.” thuhej mes tjerash në reagimin e Lëvizjes Besa.

Ndryshimi i parë i stemës shtetërore që përdoret qysh nga viti 1946 u bë në vitin 2009 kur ylli i  kuq u hoq nga stema socialiste e Maqedonisë.