Osmani dhe Selmani përshëndesin meshën dygjuhëshe në Rostushë: Akt që ndërton ura mes komuniteteve

Ish-ministri i Punëve të Jashtme dhe nënkryetar i parë i BDI-së, Bujar Osmani, ka përshëndetur mbajtjen e meshës dygjuhëshe në Rostushë, duke e cilësuar atë si një shembull domethënës të The post Osmani dhe Selmani përshëndesin meshën dygjuhëshe në Rostushë: Akt që ndërton ura mes komuniteteve appeared first on Flaka, në çdo lajm... .

Jan 20, 2026 - 12:00
 0
Osmani dhe Selmani përshëndesin meshën dygjuhëshe në Rostushë: Akt që ndërton ura mes komuniteteve

Ish-ministri i Punëve të Jashtme dhe nënkryetar i parë i BDI-së, Bujar Osmani, ka përshëndetur mbajtjen e meshës dygjuhëshe në Rostushë, duke e cilësuar atë si një shembull domethënës të bashkëjetesës dhe respektit ndërmjet komuniteteve.

“Uji i qetë e gërryen bregun. Ndonjëherë, pikërisht gjestet e qeta dhe të sinqerta janë ato që afrojnë njerëzit dhe ndërtojnë ura mes komuniteteve”, ka shkruar Osmani.

Ai ka përgëzuar në mënyrë të veçantë ambasadorin shqiptar Denion Meidani dhe përfaqësuesin e Kishës Ortodokse Maqedonase, peshkopin Partenij, për organizimin e meshës dygjuhëshe.

“Një akt i thjeshtë, por me domethënie të thellë, që solli njerëzit më afër dhe tregoi se respekti dhe bashkëjetesa jetohen përmes veprave, jo deklaratave”, ka theksuar Osmani, duke uruar njëkohësisht të gjithë besimtarët ortodoksë me rastin e festave, me paqe, shëndet dhe mirësi në familjet e tyre.

Ndërkohë, aktivistja qytetare Nafie Selmani ka vlerësuar se liturgjia për Ujin e Bekuar, e mbajtur për herë të parë në dy gjuhë – maqedonisht dhe shqip – ka një rëndësi të veçantë simbolike dhe shoqërore.

“Ky akt përçon mesazh bashkëjetese, respekti dhe barazie gjuhësore”, ka deklaruar Selmani.

Ajo ka theksuar edhe rolin e ambasadorit Denion Meidani, duke nënvizuar se prania e tij “nuk ishte thjesht protokollare”, por dëshmi e përkrahjes konkrete ndaj dialogut ndërkulturor dhe respektimit të gjuhës shqipe në hapësira publike.

Një meritë të veçantë, sipas saj, ka edhe peshkopi Partenij i Bigorskit. “Me hapjen dhe vizionin e tij ai mundësoi mbajtjen e liturgjisë edhe në gjuhën shqipe, duke dhënë një shembull të qartë se besimi duhet të jetë urë mirëkuptimi, jo përjashtimi”, është shprehur Selmani.

Në fund, ajo ka uruar që festa e Ujit të Bekuar të jetë “shenjtë pastrimi shpirtëror, paqeje dhe bekimi hyjnor”, duke shpresuar që këto vlera të rrënjosen më thellë në shoqëri për më shumë unitet dhe shpresë. Gazeta Flaka

The post Osmani dhe Selmani përshëndesin meshën dygjuhëshe në Rostushë: Akt që ndërton ura mes komuniteteve appeared first on Flaka, në çdo lajm... .