Pa zbardhjen e rastit të Lagjes së Trimave, plagët nuk do të thahen

Shkruan: Naser SELMANI Ngjarjet e ndodhura më 9 dhe 10 maj 2015 në Lagjen e Trimave në Kumanovë përbëjnë një nga incidentet më serioze të sigurisë në historinë e fundit të Maqedonisë së Veriut. Përplasja e armatosur ndërmjet një grupi të armatosur dhe forcave të sigurisë rezultoi në viktima nga të dy palët dhe ngjalli […]

maj 9, 2025 - 21:00
 0  4
Pa zbardhjen e rastit të Lagjes së Trimave, plagët nuk do të thahen

Shkruan: Naser SELMANI

Ngjarjet e ndodhura më 9 dhe 10 maj 2015 në Lagjen e Trimave në Kumanovë përbëjnë një nga incidentet më serioze të sigurisë në historinë e fundit të Maqedonisë së Veriut. Përplasja e armatosur ndërmjet një grupi të armatosur dhe forcave të sigurisë rezultoi në viktima nga të dy palët dhe ngjalli shqetësim të madh publik, politik dhe ndërkombëtar. Ky incident shërben si një pikë kyçe për të analizuar marrëdhëniet e brishta ndëretnike, sigurinë kombëtare dhe stabilitetin institucional në vend.

Ngjarjet ndodhën në një periudhë tensioni politik të lartë, me akuza të ndërsjella për keqpërdorim të pushtetit, përgjime ilegale dhe polarizim të thellë shoqëror. Marrëdhëniet ndëretnike ndërmjet maqedonasve dhe shqiptarëve ishin të brishta, të ndikuara nga e kaluara e konfliktit të vitit 2001 dhe implementimi jo i plotë i Marrëveshjes së Ohrit. Grupi i armatosur që u përfshi në përplasjen në Kumanovë përbëhej kryesisht nga shtetas shqiptarë nga Kosova dhe Maqedonia, duke ngritur pikëpyetje mbi motivet e tyre politike dhe etnike.

Operacioni i forcave të sigurisë filloi mëngjesin e 9 majit 2015, me synim neutralizimin e një grupi të armatosur që, sipas autoriteteve, kishte planifikuar sulme ndaj institucioneve shtetërore. Përplasja e armatosur zgjati më shumë se 24 orë dhe rezultoi në vrasjen e 8 policëve dhe 10 anëtarëve të grupit të armatosur, si dhe arrestimin e dhjetëra të dyshuarve. Lagjja pësoi dëme të mëdha materiale, ndërsa banorët civilë përjetuan trauma serioze fizike dhe psikologjike.

Ngjarjet u pasuan nga një valë reagimesh të ashpra. Shumë qytetarë shprehën mosbesim ndaj versonit zyrtarë, duke ngritur dyshime mbi vërtetësinë e motivit të grupit dhe qëllimet e vërteta të operacionit. U hodhën hipoteza për inskenim të ngjarjes nga qarqe të caktuara politike për të devijuar vëmendjen nga krizat politike dhe për të prodhuar frikë dhe ndasi etnike. Faktori ndërkombëtar, përfshirë BE-në dhe SHBA-në, kërkoi hetim të plotë, të pavarur dhe transparent, i cili kurrë nuk u bë. Ishte premtuar nga BDI, por ky premtim u harrua si të gjitha premtimet zgjedhore të partive. Indikative është pse askush prej partive shqiptare në Maqedoninë e Veriut nuk këmbëngul për hetim ndërkombëtar, për të kuptuar motivet e vërteta dhe rolin e cilit aktor të përfshirë. E paqartë është kush ka frikë nga e vërteta!

Në vitet që pasuan, dhjetëra persona u dënuan me burgim të përjetshëm ose dënime të gjata heqje lirie. Procesi gjyqësor u kritikua nga organizata për të drejtat e njeriut për mungesë transparence dhe pretendime për torturë, presion ndaj të arrestuarve dhe mungesë të një hetimi të paanshëm mbi rrethanat që çuan në përplasjen e armatosur.

Ngjarjet në Kumanovë thelluan ndasitë ndëretnike dhe polarizimin politik. Për komunitetin shqiptar në vend, ato u panë si dëshmi e diskriminimit të vazhdueshëm dhe shtypjes politike, ndërsa për maqedonasit u interpretuan si kërcënim i mundshëm ndaj integritetit shtetëror. Ngjarjet gjithashtu nënvizuan nevojën urgjente për reformë në sektorin e sigurisë, rritjen e kontrollit civil mbi shërbimet sekrete dhe forcimin e llogaridhënies në institucionet e drejtësisë. Deri sot pak gjë është bërë për ngritjen e një sistemi funksional të kontrollit civil mbi shërbimet e intelegjencës. Me ndryshimet e ligjeve është forcuar kontrolli i deputetëve mbi shërbimet, por deri tani nuk është dëshmuar se ky sistem vërtet funksion.

Kumanova mbetet një kujtesë tragjike për nevojën e ndërtimit të një shteti për të gjithë, ku siguria e qytetarëve të garantohet në mënyrë të barabartë dhe transparenca të jetë normë, jo përjashtim. Mësimet nga kjo ngjarje duhet të shërbejnë për të parandaluar radikalizmin, për të forcuar kontrollin demokratik mbi institucionet dhe për të ndërtuar besim ndërmjet komuniteteve. Ky mësim jo vetëm që nuk është marrë, por partitë politike, veçanërisht ato maqedone, ende fitojnë zgjedhje me retorik antishqiptare.

Ngjarjet në Lagjen e Trimave ishin më shumë sesa një përplasje e armatosur, ato ishin një sinjal alarmi për dobësitë strukturore të shtetit dhe për nevojën e një kontrate të re shoqërore mbi bazën e barazisë, drejtësisë dhe transparencës. Pa zbardhjen e plotë të së vërtetës, plagët do të mbeten të hapura dhe do të vazhdojnë të minojnë të ardhmen demokratike të vendit.