Perendimi shton trysninë ndaj Mickoskit për ndryshimet kushtetuese

Shkruan: Naser SELMANI Gjatë vizitës së djeshme në Shkup, Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Koshta, përcolli dy mesazhe të rëndësishme për qeverinë dhe opinionin publik të Maqedonisë së Veriut. Së pari, ai rikonfirmoi përkushtimin e BE-së ndaj zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor, duke theksuar se perspektiva evropiane e Maqedonisë së Veriut mbetet reale, nëse […]

maj 16, 2025 - 20:00
 0  3
Perendimi shton trysninë ndaj Mickoskit për ndryshimet kushtetuese

Shkruan: Naser SELMANI

Gjatë vizitës së djeshme në Shkup, Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Koshta, përcolli dy mesazhe të rëndësishme për qeverinë dhe opinionin publik të Maqedonisë së Veriut.

Së pari, ai rikonfirmoi përkushtimin e BE-së ndaj zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor, duke theksuar se perspektiva evropiane e Maqedonisë së Veriut mbetet reale, nëse vendi vazhdon me reformat dhe përqafon vlerat evropiane.

Së dyti, Koshta deklaroi qartë se korniza negociuese nuk do të ndryshojë dhe u bëri thirrje autoriteteve që të përfshijnë bullgarët në Kushtetutë, si kusht për nisjen e bisedimeve me Brukselin. Kjo refuzon propozimin e qeverisë për ndryshime kushtetuese me afat të shtyrë dhe garanci për ndaljen e kërkesave të reja nga Bullgaria.

Përballë këtij realiteti, kryeministri Mickoski reagoi me nervozizëm. Ai deklaroi se nuk do të nisë ndryshimet kushtetuese pa parë “vullnet të mirë” nga pala bullgare, duke e banalizuar çështjen me sugjerime ironike që në preambulë mund të përmenden edhe portugezët, francezët apo spanjollët — vetëm që të arrihet një zgjidhje me Bullgarinë.

Mickoski tashmë nuk kërkon më ndryshime me afat të shtyrë apo garanci për mungesë bllokadash, por që Bullgaria të zbatojë vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në lidhje me të drejtat e pakicës maqedonase. Me fjalë të tjera, ai kushtëzon njohjen e pakicës bullgare në Maqedoni me njohjen e pakicës maqedonase në Bullgari — praktikisht, kërkon nga Sofja njohjen e identitetit etnik maqedonas, që për momentin është pothuajse e pamundur.

Kjo strategji sugjeron se Mickoski vendos qëllimisht kushte të papranueshme, për të shmangur nisjen e negociatave, të cilat do të transformonin realitetin në vend, sidomos në fushat e sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit.

Dihet se establishmenti politik maqedonas, jo vetëm Mickoski, është skeptik ndaj integrimit në BE. Ata e kuptojnë se anëtarësimi do të nënkuptonte fundin e qeverisjes së bazuar në voluntarizëm dhe korrupsion — mjete me të cilat kanë ruajtur kontrollin mbi popullin dhe mbi përfaqësuesit politikë të komuniteteve të tjera, sidomos shqiptarët.

Përveç rezistencës ndaj reformave, VMRO kundërshton edhe protokolet me Bullgarinë, përfshirë hapjen e dosjeve nga ish-Jugosllavia — një kërkesë që Sofja e sheh si mënyrë për të dokumentuar politikat e çkombëtarizimit ndaj bullgarëve të Maqedonisë.

Indiferenca e qeverisë ndaj integrimit evropian vërtetohet edhe nga lidhjet e ngushta të Mickoskit me kryeministrin hungarez Viktor Orban, i konsideruar “dele e zezë” në BE për shkak të autoritarizmit dhe qëndrimeve pro-ruse. Këto lidhje, ashtu si edhe afrimi me Aleksandar Vuçiqin, e dëmtojnë imazhin evropian të Maqedonisë së Veriut.

Vizita e Koshtës nxori në pah edhe një zhvillim tjetër të rëndësishëm: Mickoski po humb shpejt kredibilitetin tek partnerët strategjikë. Nëse Gruevskit i duhej një dekadë për të izoluar vendin nga Perëndimi, Mickoski po e bën këtë në më pak se një vit.

Shenjat e para të krijimit të një fronti anti-VMRO tashmë janë të dukshme. Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, mori pjesë së fundmi në një ngjarje në Bruksel, ku mbështeti ndryshimet kushtetuese për zhbllokimin e integrimeve. Reagimi i VMRO-së ishte i menjëhershëm: akuzat në media proqeveritare për bizneset e tij në Dubai dhe sulme personale ndaj anëtarëve të partisë.

Në të njëjtën ditë kur Koshta e vuri në alarm qeverinë, ambasadorja amerikane në Shkup, Anxhela Ageler, u bëri thirrje autoriteteve që të mos e humbin mundësinë historike për nisjen e negociatave. Ndërkohë, Shkupin e viziton edhe ministrja e jashtme austriake, Beate Meinl-Reisinger. Austria luan një rol kyç në politikat e BE-së ndaj Ballkanit, dhe shpesh zëri i saj është përcaktues në Bruksel.

Në këtë kontekst, Mickoski duhet t’i marrë seriozisht paralajmërimet që vijnë nga Brukseli, Uashingtoni dhe Vjena. Koha për taktizime ka mbaruar — tani është momenti për vendime.