Përparim Avdili për albinfo.ch: swissalbs po ndërton një komunitet më të fuqishëm dhe më të dukshëm në Zvicër

Më 19 shtator 2026, Kongresshaus në Zürich do të mbledhë sërish sipërmarrës, profesionistë, akademikë dhe personalitete të komunitetit shqiptaro-zviceran në swissalbs Award Gala Night 2026, një ngjarje që tashmë është konsoliduar në kalenda...

gusht 20, 2026 - 23:00
Përparim Avdili për albinfo.ch: swissalbs po ndërton një komunitet më të fuqishëm dhe më të dukshëm në Zvicër

Më 19 shtator 2026, Kongresshaus në Zürich do të mbledhë sërish sipërmarrës, profesionistë, akademikë dhe personalitete të komunitetit shqiptaro-zviceran në swissalbs Award Gala Night 2026, një ngjarje që tashmë është konsoliduar në kalendarin e komunitetit shqiptar në Zvicër.

Ky vit shënon edicionin e gjashtë të kësaj ngjarjeje, ndërsa platforma mediale albinfo.ch ka qenë partner medial i swissalbs që nga fillimi, prej edicionit të parë e deri në edicionin e gjashtë, duke e përcjellë zhvillimin e kësaj iniciative dhe duke u dhënë hapësirë historive të suksesit të shqiptarëve në Zvicër.

Në prag të edicionit të sivjetmë, albinfo.ch ka zhvilluar një intervistë me Përparim Avdilin, president i swissalbs, për të diskutuar zhvillimin e galasë, fuqizimin e rrjetit të profesionistëve dhe sipërmarrësve shqiptaro-zviceranë, ndryshimin e imazhit të komunitetit shqiptar dhe ambiciet e swissalbs për të ardhmen.

albinfo.ch: Z. Avdili, më 19 shtator organizoni swissalbs Award Gala Night 2026 në Kongresshaus në Zürich. Çfarë përfaqëson kjo mbrëmje për swissalbs dhe komunitetin shqiptaro-zviceran?

Përparim Avdili: Për ne kjo mbrëmje është kulmi i vitit. Është momenti kur i gjithë komuniteti ynë – sipërmarrës, profesionistë, akademikë, artistë e sportistë – mblidhet nën një çati për të festuar atë që kemi ndërtuar së bashku në Zvicër. Dhe e them me forcë: nuk është vetëm një mbrëmje biznesi. Në thelb është një festë e komunitetit – e krijuar që njerëzit të njihen, të lidhen dhe thjesht të kalojnë një mbrëmje të bukur e argëtuese së bashku. Kongresshaus nuk është vetëm një vend prestigjioz, është edhe një simbol: tregon se komuniteti shqiptaro-zviceran sot është pjesë natyrale e jetës ekonomike dhe shoqërore të këtij vendi, jo diçka periferike.

swissalbs Award Gala Night 2025
swissalbs Award Gala Night 2025

albinfo.ch: Nga edicioni i parë deri te ky i gjashti, albinfo.ch e ka përcjellë swissalbs si partner medial. Si ka evoluar ideja e swissalbs Award Gala Night dhe çfarë synoni të ndërtoni përmes saj në planin afatgjatë?

Përparim Avdili: Ideja lindi nga një nevojë e qartë: shumë histori suksesi shqiptare në Zvicër mbeteshin të padukshme, të mbyllura brenda familjeve apo brenda vetë bizneseve. Ne donim një platformë që t’i nxjerrë këto histori në dritë, që t’i lidhë njerëzit me njëri-tjetrin dhe që t’u japë të rinjve modele konkrete për t’u frymëzuar. Por po aq e rëndësishme ishte edhe ideja e komunitetit si i tillë – një mbrëmje ku njerëzit thjesht ndihen mirë, krenarë dhe të lidhur me njëri-tjetrin, pavarësisht profesionit apo suksesit të tyre. Afatgjatë, objektivi ynë nuk është thjesht një gala vjetore, por një ekosistem i vërtetë mbështetjeje dhe komuniteti – rrjetëzim, mentorim, mundësi bashkëpunimi, por edhe një ndjenjë të përkatësie – që funksionon gjatë gjithë vitit, jo vetëm një mbrëmje.

albinfo.ch: Këtë vit në qendër të vëmendjes është swissalbs Entrepreneur Award 2026. Çfarë duhet të ketë një sipërmarrëse apo sipërmarrës që të konsiderohet histori suksesi nga swissalbs?

Përparim Avdili: Ne nuk shohim vetëm shifrat e biznesit. Kërkojmë vizion, inovacion dhe qëndrueshmëri, por edhe angazhim ndaj komunitetit e ndaj shoqërisë zvicerane në tërësi. Një kandidat i fortë është dikush që ka ndërtuar diçka konkrete, që ka krijuar vlerë e vende pune, dhe që me rrugëtimin e tij tregon se ambicia dhe puna e palodhur japin fryte, pavarësisht nga pika e nisjes.

swissalbs Award Gala Night 2025
swissalbs Award Gala Night 2025

albinfo.ch: Kandidatët do të vlerësohen nga një juri e pavarur. Cilat janë kriteret kryesore mbi të cilat do të bëhet përzgjedhja dhe sa e rëndësishme është për ju transparenca e këtij procesi?

Përparim Avdili: Transparenca është themelore për ne, sepse besueshmëria e çmimit varet direkt prej saj. Kandidatët vlerësohen sipas kritereve të qarta – rezultatet konkrete në biznes, shkalla e inovacionit, ndikimi shoqëror dhe angazhimi ndaj komunitetit. Juria është e pavarur nga bordi ynë ekzekutiv pikërisht që vendimi të mos jetë i ndikuar nga marrëdhëniet personale, por të bazohet vetëm në meritë.

albinfo.ch: Shqiptarët në Zvicër prej vitesh nuk identifikohen vetëm me rolin e punëtorit apo me diasporën tradicionale. Sot kemi gjithnjë e më shumë sipërmarrës, drejtues kompanish dhe profesionistë të suksesshëm. A mendoni se ky realitet është mjaftueshëm i dukshëm në shoqërinë zvicerane?

Përparim Avdili: Jo ende, jo mjaftueshëm. Realiteti ka ndryshuar shumë më shpejt sesa perceptimi publik. Kemi mjekë, avokatë, inxhinierë, sipërmarrës e drejtues kompanish shqiptarë që kontribuojnë çdo ditë në ekonominë zvicerane, por narrativa publike shpesh mbetet e ngërthyer në klishe të vjetra. Kjo është pikërisht arsyeja pse gala dhe puna e swissalbs kanë kuptim: duhet ta tregojmë vetë këtë realitet, sepse askush nuk do ta bëjë në vendin tonë.

albinfo.ch: A kemi sot një gjeneratë të re të sipërmarrësve shqiptaro-zviceranë që po kalon nga bizneset tradicionale drejt teknologjisë, financave, shëndetësisë dhe sektorëve të tjerë me vlerë të lartë të shtuar?

Përparim Avdili: Absolutisht, dhe kjo është ndoshta zhvillimi më inkurajues i viteve të fundit. Gjenerata e parë ndërtoi bazën – biznese në ndërtim, gastronomi, tregti – me sakrificë të madhe. Gjenerata e dytë dhe e tretë, e rritur dhe e shkolluar këtu, po e çon këtë kapital përpara në fusha si teknologjia, financat, shëndetësia dhe konsulenca. E shohim këtë tranzicion edhe te kandidatët që marrim çdo vit për çmimin.

albinfo.ch: Sa i rëndësishëm është krijimi i rrjeteve profesionale mes shqiptarëve në Zvicër? A kemi ende potencial të pashfrytëzuar për bashkëpunim mes sipërmarrësve, profesionistëve dhe akademikëve?

Përparim Avdili: Potenciali është shumë më i madh sesa ajo çka po shfrytëzojmë aktualisht. Shpesh sipërmarrës nga i njëjti kanton apo qytet as nuk e dinë që ekziston njëri-tjetri, e lëre më të bashkëpunojnë. Një rrjet i mirëstrukturuar mund të hapë kontrata, partneritete, mundësi punësimi për të rinjtë – vlerë reale ekonomike, jo vetëm simbolike. Kjo është pikërisht boshllëku që swissalbs po përpiqet ta mbushë.

albinfo.ch: Kur flasim për integrimin e shqiptarëve në Zvicër, shpesh diskutimi publik përqendrohet te sfidat. Ju po përpiqeni të tregoni edhe anën tjetër – suksesin. A është kjo gala edhe një përpjekje për të ndikuar në perceptimin publik për komunitetin shqiptar?

Përparim Avdili: Po, sinqerisht ky është edhe qëllim i saj. Nuk duam t’i mohojmë sfidat – ato ekzistojnë dhe duhen adresuar seriozisht. Por një komunitet nuk përcaktohet vetëm nga problemet e tij, përcaktohet edhe nga arritjet. Kur tregojmë sukseset me krenari e me fakte konkrete, kontribuojmë në një pamje më të plotë dhe më të drejtë të komunitetit shqiptar në Zvicër.

albinfo.ch: A ekziston rreziku që një event i tillë të mbetet vetëm një mbrëmje festive për njerëzit që tashmë janë të suksesshëm? Si synoni që swissalbs ta shndërrojë këtë rrjet në diçka konkrete për komunitetin dhe sidomos për gjeneratën e re?

Përparim Avdili: Ky rrezik është real dhe e kemi parasysh vazhdimisht. Prandaj gala është vetëm një pjesë e punës sonë, jo qëllimi përfundimtar. Përmes iniciativave si programet për gratë sipërmarrëse, bashkëpunimet me shoqatat profesionale dhe mbështetjen për të rinjtë që hyjnë në tregun e punës apo në sipërmarrje, po përpiqemi që rrjeti të mos mbetet ekskluziv, por të hapë dyert edhe për ata që sapo po nisin rrugëtimin.

swissalbs Award Gala Night 2025
swissalbs Award Gala Night 2025

albinfo.ch: Çfarë mund të përfitojë një sipërmarrës apo profesionist i ri që merr pjesë në Gala Night, edhe nëse nuk është kandidat për ndonjë prej çmimeve?

Përparim Avdili: Vetë prania në sallë është një investim, por para së gjithash është edhe një mbrëmje për t’u gëzuar. Aty takohesh drejtpërdrejt me njerëz që kanë përjetuar sfida të ngjashme me tuat dhe që i kanë kaluar me sukses. Mund të gjesh një mentor, një partner biznesi, apo thjesht frymëzim e këshilla praktike që në një mjedis tjetër do të merrnin vite për t’u gjetur. Por edhe nëse dikush vjen thjesht për të kaluar një mbrëmje të bukur mes njerëzish që flasin të njëjtën gjuhë e ndajnë të njëjtat rrënjë, kjo vetvetiu ka vlerë – forcon ndjenjën e përkatësisë dhe krenarisë. Networking-u i vërtetë shpesh ndodh pikërisht në këto momente joformale e të relaksuara, jashtë skenës.

albinfo.ch: Sa e rëndësishme është që profesionistët dhe sipërmarrësit shqiptaro-zviceranë të krijojnë ura jo vetëm mes tyre, por edhe me ekonominë dhe institucionet zvicerane?

Përparim Avdili: Fokusi ynë kryesor te swissalbs mbetet vetë komuniteti shqiptaro-zviceran – ta forcojmë, ta lidhim dhe ta bëjmë të dukshëm brenda vetes. Kjo është ajo çka na motivon çdo ditë. Që prej kësaj force të brendshme lindin natyrshëm edhe lidhjet me ekonominë dhe institucionet zvicerane – kjo vjen si pasojë logjike e një komuniteti të fortë e të organizuar, jo si qëllim që e ndjekim shprehimisht. Prania e partnerëve zviceranë në galanë tonë tregon pikërisht këtë: kur komuniteti është i fortë, urat krijohen vetvetiu.

albinfo.ch: Ju vetë jeni aktiv edhe në jetën publike në Zvicër. Nga përvoja juaj, sa ka ndryshuar pozita dhe imazhi i komunitetit shqiptar gjatë viteve të fundit?

Përparim Avdili: Ka ndryshuar shumë, edhe pse rrugëtimi vazhdon. Kur unë isha fëmijë këtu, të qenit shqiptar shpesh nënkuptonte të provoje vazhdimisht se je pjesë e barabartë e shoqërisë. Sot shoh gjithnjë e më shumë shqiptarë në pozita drejtuese, në politikë, në media, në ekonomi – dhe kjo prani po e ndryshon gradualisht perceptimin. Rruga mbetet e gjatë, por drejtimi është pozitiv.

swissalbs Award Gala Night 2025

albinfo.ch: Çfarë mendoni se duhet të bëjë më mirë vetë komuniteti shqiptar për ta kthyer suksesin individual të shumë shqiptarëve në një kapital më të madh ekonomik dhe shoqëror?

Përparim Avdili: Duhet të kalojmë nga suksesi individual te solidariteti kolektiv. Kjo do të thotë më shumë mentorim ndaj të rinjve, më shumë gatishmëri për të investuar te njëri-tjetri, dhe më pak frikë nga konkurrenca brenda vetë komunitetit. Kur dikush ia del, duhet ta shohim si mundësi për të gjithë, jo si kërcënim. Kjo mentalitet ndryshim është pikërisht ajo që swissalbs përpiqet ta nxisë.

albinfo.ch: Kur të përfundojë mbrëmja e 19 shtatorit, çfarë do t’ju bënte të thoshit: “swissalbs Award Gala Night 2026 e arriti qëllimin e saj”?

Përparim Avdili: Nëse të nesërmen dëgjoj që dikush ka gjetur një partner biznesi, një mentor, apo thjesht guximin për të ndërmarrë hapin e radhës në karrierën e tij falë asaj mbrëmjeje – atëherë e kemi arritur qëllimin. Po aq e rëndësishme është edhe ndjenja që do të mbetet: nëse njerëzit largohen krenarë që janë pjesë e këtij komuniteti, me buzëqeshje në fytyrë dhe me kujtime të bukura nga një mbrëmje e organizuar me shkëlqim, dhe nëse imazhi ynë publik del edhe pak më i fortë e më i dukshëm – atëherë e kemi arritur qëllimin edhe në atë kuptim. Numri i të pranishmëve dhe shkëlqimi i mbrëmjes janë të bukura, por vlera e vërtetë matet me lidhjet, komunitetin dhe mundësitë konkrete që lindin prej saj.

albinfo.ch: Dhe në fund, ku dëshironi ta shihni swissalbs pas 10 vjetësh?

Përparim Avdili: E shoh swissalbs si organizatën referencë të komunitetit shqiptaro-zviceran – jo vetëm një event vjetor, por një strukturë e gjallë gjatë gjithë vitit, me programe mentorimi dhe një komunitet edhe më të fortë, më të lidhur e më të dukshëm se sot. Dëshiroj që pas dhjetë vitesh, kur dikush të mendojë për sipërmarrjen dhe suksesin shqiptar në Zvicër, emri i parë që t’i vijë në mendje të jetë swissalbs.

Më shumë info dhe për biletat e hyrjes për Swissalbs Award Gala Night 2026:

swissalbs/award/galanight 2026


Burimi i lajmit: lajmpress.org
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.