Përplasje për drejtimin e Bashkisë? Veliaj reagon nga qelia: Me Ramën kam vetëm mall të takohem
Kryetari i arrestuar i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka reaguar pas kaosit të krijuar në lidhje me personin e deleguar që do të duhet të drejtojë bashkinë. Në një postim në rrjetet sociale, Veliaj shkruan se nuk ka asnjë përplasje me kryeministrin Edi Rama, madje thekson se e ka marrë malli që ta takojë […]

Kryetari i arrestuar i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka reaguar pas kaosit të krijuar në lidhje me personin e deleguar që do të duhet të drejtojë bashkinë.
Në një postim në rrjetet sociale, Veliaj shkruan se nuk ka asnjë përplasje me kryeministrin Edi Rama, madje thekson se e ka marrë malli që ta takojë dhe të flasin për punë.
Më tej, ai shkruan se nuk ka patur informacionin e nevojshëm në lidhje me situatën në bashki, duke thënë se delegimin e Sara Goxhaj dhe largimin e Anuela Ristanit nga drejtimi i bashkisë së Tiranës e ka bërë se ka menduar se ishte marrë edhe pëlqimi i ekipit drejtues.
Por pasi ka marrë informacionin e nevojshëm, Veliaj ka rikthyer përsëri si kryetare të komanduar Anuela Ristanit, e cila mbështet edhe nga kryeministri Rama.
Po ashtu, Veliaj nuk i ka kursyer edhe sulmet ndaj mediave duke i cilësuar “moçale”.
“U informova që paska plasur peshku në moçalet mediatike për përplasjen time me Ramën, për punë delegimesh. E para njëherë, me Ramën kam vetëm mall të takohem për të folur për punët si gjithmonë dhe asgjë tjetër s’më shkon në mendje. E dyta, kam firmosur një ridelegim me idenë e gabuar se ishte dakordësuar brenda ekipit drejtues, por kështu është kur “punon” pa informacionin e mjaftueshëm. E fundit, kërkoni e gërmoni ku të doni tani, se u bë sport ky falë edhe prokurorit tim të dashur, por në marrëdhënien time me Ramën lodheni kot fare fare, se është plazmuar në kohëra të vjetra dhe nuk e ndryshon dot asnjë kohë, sado e mallkuar qoftë. Delegimi është rikthyer aty ku ishte dhe këtu mbyllet edhe keqkuptimi”,-shkruan Veliaj në “Facebook”.