Përplasje për projektin e Çarshisë! BDI ngre dyshime për procesin e tenderimit, VMRO-DPMNE mohon
Opozitarja BDI ka kritikuar projektin për Çarshinë, duke deklaruar se një “masterplan” i promovuar më parë, u degradua në zëvendësim të disa kalldrëmeve gjysma e të cilave përfundon me asfalt. Sipas tyre, kjo cenon identitetin e zonës dhe ngre dyshime për procesin e tenderimit dhe përzgjedhjen e kompanisë realizuese “Lendi Grup”, e cila sipas integristëve, […]
Opozitarja BDI ka kritikuar projektin për Çarshinë, duke deklaruar se një “masterplan” i promovuar më parë, u degradua në zëvendësim të disa kalldrëmeve gjysma e të cilave përfundon me asfalt. Sipas tyre, kjo cenon identitetin e zonës dhe ngre dyshime për procesin e tenderimit dhe përzgjedhjen e kompanisë realizuese “Lendi Grup”, e cila sipas integristëve, është themeluar në vitin 2024 dhe ka fituar një sërë tenderësh publikë në komuna të ndryshme të drejtuara nga VMRO-DPMNE.
“Qytetarët kanë të drejtë të pyesin: pse një kompani e sapokrijuar bëhet kaq shpejt aktor dominues? Kush e favorizon? Dhe pse pikërisht këto kompani lidhen vazhdimisht me të njëjtin rreth politik? De apo paguan Çairi borxhin ndaj VMRO-DPMNE -së për mbështetjen zgjedhore. Çairi nuk duhet të shndërrohet në stacion të fundit të një zinxhiri tenderësh që fillon dhe mbaron me interesa partiake. Kërkojmë transparencë të plotë për të gjitha kontratat e “Lendi Grup”, për kriteret, për ofertat dhe për mënyrën e përzgjedhjes”, tha Imrane Veliu Aliu nga BDI.
Të pyetur rreth këtyre akuzave, nga VMRO-DPMNE thanë se kompania është themeluar shumë më herët dhe se ka marrë tenderë edhe gjatë qeverisjes LSDM-BDI.
“Kompania e përmendur nga BDI, nuk është kompani që daton nga viti 2024, por nga viti 2012. Meqë ra fjala, e njëjta kompani ka marrë edhe tenderë në kohën e LSDM dhe BDI-së kur ata e udhëhiqnin qeverinë. Ndryshe nga më parë kur tenderët i rregullonte Artan Grubi dhe ai vendoste cila kompani do t’i fitonte furnizimet, tani gjithçka është publike dhe transparente”, thonë nga VMRO-DPMNE.
Kërkuam qëndrim edhe nga Komuna e Çairit, por nuk morëm përgjigje.