Pollozhani: Mungesa e shqiptarëve në policinë e Ohrit dhe Strugës është politikë përjashtuese
Zyrtari i BDI-së, Faton Pollozhani, ka reaguar ndaj deklaratës së zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, dhënë në emisionin “Click Plus” në TV21, lidhur me emërimin e kryeshefit të The post Pollozhani: Mungesa e shqiptarëve në policinë e Ohrit dhe Strugës është politikë përjashtuese appeared first on Flaka, në çdo lajm... .
Zyrtari i BDI-së, Faton Pollozhani, ka reaguar ndaj deklaratës së zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, dhënë në emisionin “Click Plus” në TV21, lidhur me emërimin e kryeshefit të policisë në Ohër, që mbulon edhe Strugën, Kërçovën dhe Dibrën.
Sipas Pollozhanit, pohimi i Isenit se “nuk ekzistojnë kuadro adekuatë shqiptarë” për pozita udhëheqëse është “justifikim i ulët për dështimin dhe kapjen partiake të institucioneve”.
“Sot, në Policinë e Ohrit dhe të Strugës nuk ka asnjë shqiptar në pozita udhëheqëse, jo për shkak të mungesës së kuadrove, por për shkak të një politike të qëllimshme përjashtuese. Janë të paktën pesë kuadro shqiptarë me përgatitje dhe përvojë të dëshmuar që i plotësojnë të gjitha kriteret ligjore dhe profesionale për pozicionin e Kryeshefit të qendrës rajonale – perëndim, për punë kufitare”, ka deklaruar Pollozhani.
Ai thekson se mohimi i këtij fakti dëshmon se zëvendësministri nuk vepron si garant i barazisë, por “si filtër partiak që selekton kuadrot sipas bindjeve politike”.
“Kjo është tradhti ndaj interesit publik dhe dëshmi e impotencës politike të atyre që, ndonëse flasin në emër të shqiptarëve, i përjashtojnë ata nga institucionet kyçe të shtetit”, ka shtuar Pollozhani.
Nga ana tjetër, zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, në emisionin “Click Plus” në TV21 ka deklaruar se mungesa e një përfaqësuesi shqiptar në këtë pozitë ka ndodhur para tetë muajsh për shkak të vështirësisë për të gjetur një kandidat adekuat.
“Kjo ka ndodhur para 8 muajsh, normalisht në pamundësi për të gjetur në atë sektor përfaqësues shqiptar, jemi dakorduar që në kombinim të atij pozicioni të marrim pozicione tjera, kështu që ndoshta kemi përfituar pozicione tjera siç janë sektorë të tjerë”, ka thënë Iseni, duke shtuar se me sistematizimin e ri do të kërkohet që ky pozicion sërish t’u takojë shqiptarëve.
Reagim gjatë ditës pati edhe nga Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit. Sipas kësaj partie, këto zhvillime dëmtojnë rëndë përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet shtetërore.
“Qeveria, përmes MPB-së, po përgatit ndryshime ligjore dhe sistematizime të reja me të cilat Njësia për Punë të Brendshme Strugë–Dibër–Kërçovë do të degradohet në njësi të rendit të dytë, duke humbur kompetencat kryesore komanduese që do t’i kalojnë Sektorit për Punë të Brendshme në Ohër”, thuhet në reagimin e ASH-së.
Zëdhënësja e kësaj partie, Njomza Shaqiri, theksoi se me këto ndryshime në qytetet me shumicë shqiptare nuk parashihen më pozita kyçe udhëheqëse.
“Si pasojë e kësaj, në qytetet me shumicë shqiptare nuk parashihen më pozita si Kryeshef i policisë, Kryeshef i njësisë antikrim, Komandant i pikës kufitare dhe Zëvendëskomandant në stacionet policore. Kryeshef i Sektorit Rajonal për Kufirin i MPB-së, me qendër në Ohër, emërohet një maqedonas nga Kërçova, ndonëse për dy dekada ky pozicion është përfaqësuar nga një shqiptar”, deklaroi Shaqiri. Gazeta Flaka
The post Pollozhani: Mungesa e shqiptarëve në policinë e Ohrit dhe Strugës është politikë përjashtuese appeared first on Flaka, në çdo lajm... .