Premtimet e Kasamit për ujësjellësin: Nga ‘me ka krejt’ në ‘nuk është punë që bëhet për katër vite’
Pavarësisht se para zgjedhjeve lokale të vitit 2021 premtoi që brenda katër viteve Tetova do të ketë ‘me ka krejt’ ujë për pije dhe se do të zgjidhin problemin e ujësjellësit, sot, katër vite më vonë, kryetari i Komunës së Tetovës thotë se kjo nuk është punë që mund të bëhet brenda katër viteve, shkruan […]


Pavarësisht se para zgjedhjeve lokale të vitit 2021 premtoi që brenda katër viteve Tetova do të ketë ‘me ka krejt’ ujë për pije dhe se do të zgjidhin problemin e ujësjellësit, sot, katër vite më vonë, kryetari i Komunës së Tetovës thotë se kjo nuk është punë që mund të bëhet brenda katër viteve, shkruan Portalb.mk.
Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami gjatë fushatës parazgjedhore të zgjedhjeve të kaluara lokale u premtoi qytetarëve se për katër vite do ta zgjidhë problemin me ujësjellësin dhe ujin për pije.
Në #Debatpërnime ai tha se si Lëvizje Besa prioritet mbi prioritetet do të keni që njëherë e përgjithmonë “Me ka krejt” për katër vite të zgjidhin këtë çështje.
“Brenda katër viteve Tetova do të ketë me ka krejt ujë për pije”, deklaroi para katër viteve Kasami.
Ndërkaq edhe në programin e tij zgjedhor 2021-2025 për menaxhimin me Tetovën, Kasami te pjesa e urbanizmit premton rrjet të ri të ujësjellësit dhe kanalizimeve.
Megjithatë këto premtime nuk janë realizuar siç ai ka premtuar. Pavarësisht se ka pasur intervenime, qytetarët në këto katër vite janë përballur me mungesa, restrikcione dhe probleme të ndryshme të furnizimit me ujë.
I pyetur nga Portalb.mk se pse ky premtim nuk është realizuar ashtu siç ai premtoi, Kasami u arsyetua se me ardhjen e tij në krye të Komunës së Tetovës është bërë hapi i parë dhe i domosdoshëm që s’ka qenë ndër vite.
“Ajo ka qenë një studim i përpiluar nga Fakulteti i Ndërtimtarisë në Shkup, ku kanë dalë të gjitha nevojat epërmirësimitt të furnizimit me ujë në qytet, që nënkupton nga ndërrimi i gypit të furnizimit me ujë të pijshëm deri në përmirësimin e rrjetit, që nënkupton përmirësimin e disa pjesëve të rrjetit primar, sekondar por edhe instalime të reja të rrjetit”, tha Kasami.
Ai theksoi se ndërmarrja komunale në përditshmëri punon për riparimin e mjetit ekzistues por edhe me mjetet e veta po investon në instalimin e rrjeteve të reja.
“Ne kemi edhe disa projekte të reja të cilat janë në realizim e sipër të cilat i realizon ndërmarrja, bëhet fjalë ndoshta mund të shkoje rreth 10 përqind i riparuar dhe instalime të reja, me çka ndjeshëm është përmirësuar furnizimi me ujë të pijshëm në Tetovë”, tha Kasami.
Ai shtoi se “nuk është punë që mund të bëhet brenda një viti apo katër viteve, një punë që nuk është bërë brenda dyzet viteve”.
Kujtojmë që në këtë drejtim, së fundmi Komuna e Tetovës ka filluar dy projekte të financuara nga Qeveria e RMV-së. Edhe atë: Rikonstruimin dhe zgjerimi i rrjetit primar të ujësjellësit në lagjen Jashta Vardarit – Tetovë në vlerë prej 15.104.118,00 denarëve, si dhe projektin Rikonstruksoni i tubacionit të sistemit të furnizimit me ujë të qytetit nga burimi në Kodrën e Diellit deri te rezervuarit në Tetovë në vlerë prej 65.254.495,60 denarëve. Këto projekte realizohen në vit zgjedhor.
Përndryshe, Tetova përdor dy rrjete-sisteme të ujësjellësit, gjatë periudhës së vjeshtës dhe dimrit furnizohet nga i riu, ai i Leshnicës ndërsa në pranverë dhe verë nga ai i Kodrës së Diellit, rezervarët e Malit Sharr apo njohur ndryshe si burimet e vjetra. Edhe pse rrjeti i ujësjellësit qytetarëve u ka kushtuar miliona, ai vazhdimisht pëson defekte.