Pse mungon cilësia e jetës në Maqedoninë e Veriut?

Shkup, 11 shkurt – Sa herë që hapet debati për ekonominë në Maqedoninë e Veriut, publiku përballet me dy realeitete që rrallë përputhen me njëra-tjetrën. Në njërën anë qëndron rrëfimi optimist…

shkurt 11, 2026 - 12:00
 0
Pse mungon cilësia e jetës në Maqedoninë e Veriut?

Shkup, 11 shkurt – Sa herë që hapet debati për ekonominë në Maqedoninë e Veriut, publiku përballet me dy realeitete që rrallë përputhen me njëra-tjetrën. Në njërën anë qëndron rrëfimi optimist i institucioneve me investime të paralajmëruara dhe krahasime të zgjedhura me kujdes. Në anën tjetër është përvoja e përditshme e qytetarëve faturat, pagat që mbarojnë para muajit, shërbimet publike që shpesh nuk e justifikojnë taksën e paguar. Dhe, tani natyrshëm lind pyetja sa është cilësore jetesa në Maqedoninë e Veriut, shkruan Zhurnal.

RMV mes cilësisë së jetës dhe sfidave për mbijetësë – 

Deputeti i LSDM-së, Fatmir Bytyqi, e artikuloi këtë kontrast me formulën “garbage in, garbage out” nëse në debat futen shifra pa kontekst dhe vetëlavdërime, rezultati është një pasqyrë e shtrembëruar. Sipas tij, përderisa propaganda flet për suksese, qytetarët jetojnë një realitet që e vendos vendin rreth pozitës së 82-të për cilësinë e jetës. Edhe nëse dikush do të polemizonte për metodologjinë e renditjes, thelbi mbetet perceptimi i qytetarit nuk përputhet me triumfalizmin zyrtar.

Po pse ndodh kjo?

Së pari, sepse cilësia e jetës nuk matet vetëm me rritjen e GDP-së. Ajo përfshin fuqinë blerëse, sigurinë e punës, arsimin, shëndetësinë, ajrin që thithim, transportin që përdorim, mundësinë për të ndërtuar të ardhmen pa menduar emigrimin si zgjidhje. Nëse këta indikatorë ngecin, atëherë çdo statistikë makroekonomike tingëllon abstrakte.

Së dyti, problemi është shpërndarja e përfitimeve. Edhe kur ekonomia rritet, qytetarët nuk e ndjejnë domosdoshmërisht në xhepin e tyre. Pagat reale shpesh mbeten të ulëta, ndërsa kostot e jetesës rriten më shpejt. Kjo krijon ndjenjën e padrejtësisë dhe bindjen se zhvillimi është për dikë tjetër, jo për shumicën.

Së treti, mungon besimi. Kur njerëzit dëgjojnë premtime të mëdha për vite me radhë, ndërsa përballen me të njëjtat probleme strukturore  korrupsion, administratë joefikase, shërbime të dobëta ata bëhen imunë ndaj çdo komunikate triumfuese. PR-i humbet fuqinë, sepse realiteti është më kokëfortë.

Në këtë sfond, debati për pagën minimale prej 600 eurosh nuk është luks retorik. Ai lidhet drejtpërdrejt me pyetjen se çfarë vlere i jep shteti punës së qytetarëve të vet. Nëse një person punon me orar të plotë dhe sërish rrezikon varfërinë, atëherë problemi nuk është vetëm ekonomik është moral dhe social. Dinjiteti i punës bëhet kriter themelor i cilësisë së jetës.

Megjithatë, rritja e pagës minimale nuk është shkop magjik. Pa rritje produktiviteti, pa reforma në arsim dhe pa luftë serioze kundër ekonomisë informale, çdo vendim i tillë rrezikon të mbetet gjysmak apo që shkakton vetëm rritje të inflacionit. Qytetarët kanë nevojë për më shumë se deklarata kanë nevojë për politika që prodhojnë ndryshim të prekshëm.

Prandaj, pyetja reale nuk është kush e ka PR-in më të mirë, por kush e përmirëson jetën konkrete të njerëzve. Derisa kjo të ndodhë, renditjet ndërkombëtare dhe përplasjet politike do të vazhdojnë, ndërsa shumë familje do të vazhdojnë të matin suksesin me një kriter shumë të thjeshtë a u mjaftojnë të ardhurat për të jetuar me dinjitet? /Zhurnal.mk