Punësimet në Postë: VLEN lavdëron veten, ASH: Punësime të vjetra, propaganda e re

Tensionet politike ndërmjet koalicionit VLEN dhe Aleancës për Shqiptarët janë përshkallëzuar pas një deklarate triumfale të VLEN-it për punësimet dhe avancimet në Postën e Maqedonisë, të cilën ASH e ka The post Punësimet në Postë: VLEN lavdëron veten, ASH: Punësime të vjetra, propaganda e re appeared first on Flaka, në çdo lajm... .

qershor 14, 2025 - 13:30
 0  4
Punësimet në Postë: VLEN lavdëron veten, ASH: Punësime të vjetra, propaganda e re

Tensionet politike ndërmjet koalicionit VLEN dhe Aleancës për Shqiptarët janë përshkallëzuar pas një deklarate triumfale të VLEN-it për punësimet dhe avancimet në Postën e Maqedonisë, të cilën ASH e ka cilësuar si manipulim të qëllimshëm dhe propagandë për të mbuluar dështimet qeveritare.

VLEN: “Revolucion i heshtur për shqiptarët në Postë”

Në një deklaratë publike, VLEN theksoi se nën drejtimin e Orhan Kurtishit, drejtor i përgjithshëm i Postës së Maqedonisë dhe kuadër i këtij koalicioni, është shkaktuar një “revolucion i heshtur e i fuqishëm” në përfaqësimin e shqiptarëve në këtë institucion shtetëror.

“35 shqiptarë janë avancuar, 60 janë punësuar dhe 35 të tjerë janë në proces punësimi – një hov që nuk ka ndodhur ndonjëherë në historinë e Postës,” thuhet në deklaratë.

VLEN gjithashtu vuri në dukje se për herë të parë pas shumë vitesh, shqiptarët udhëheqin me 8 poste në qytete të mëdha si Kumanovë, Shkup, Tetovë, Gostivar, Kërçovë, Dibër, Strugë dhe Ohër. Në mënyrë të veçantë u theksua emërimi i një drejtori shqiptar në Postën e Kumanovës pas 17 vitesh.

“Ky është përgënjeshtrimi më i fuqishëm për ata që, për 20 vite, përdorën shqiptarët si votë, por i lanë jashtë çdo dere të institucioneve,” deklaron VLEN, duke akuzuar BDI-në për dekada keqmenaxhim dhe përjashtim të shqiptarëve.

ASH: “Punësime të vjetra, propagandë e re – përjashtimi i shqiptarëve vazhdon”

Menjëherë pas deklaratës së VLEN-it, Aleanca për Shqiptarët ka reaguar fuqishëm, duke e cilësuar gjithë këtë si një tentativë të ulët për të ricikluar suksese të stërkaluara për të mbuluar dështimet aktuale.

“VLEN përpiqet të mashtrojë opinionin me punësime që janë bërë muaj më parë, të cilat tashmë janë publikuar e konsumuar. Kjo është një përpjekje e dështuar për të larguar vëmendjen nga realiteti i hidhur,” thuhet në reagimin zyrtar të ASH-së.

Sipas ASH-së, ndërkohë që disa punësime kozmetike po promovohen si fitore, në terren shqiptarët po përballen me një spastrimi të qetë nga institucionet publike:

  • Në Agjencinë për Ushqim dhe Veterinari: 21 maqedonas të punësuar, 0 shqiptarë;
  • Në “Pyjet e Maqedonisë” – Strugë: 11 shqiptarë të pushuar pa asnjë arsyetim;
  • Në Policinë e Tetovës: 12 maqedonas të pranuar, vetëm 1 shqiptar;
  • Në Ministrinë e Financave: 19 maqedonas të punësuar, ndërsa 21 pozita u anuluan për të shmangur aplikimet shqiptare.

ASH thekson se që nga ardhja në pushtet e VMRO-DPMNE-së dhe satelitëve të saj, përfshirë VLEN-in, mbi 800 shqiptarë janë larguar ose detyruar të largohen nga administrata shtetërore.

“Kjo nuk është barazi, por diskriminim sistematik. Shqiptarët po nxirren jashtë institucioneve ndërsa qeveria mundohet të mbulojë këtë realitet me propagandë të ricikluar.”

ASH kërkon hetim dhe monitorim ndërkombëtar

Në fund të deklaratës, Aleanca për Shqiptarët bën thirrje për:

  1. Hetim të pavarur për punësimet dhe largimet nga puna mbi baza etnike;
  2. Ndërprerje të menjëhershme të politikës diskriminuese ndaj shqiptarëve;
  3. Përfshirje të faktorit ndërkombëtar në monitorimin e barazisë në institucionet shtetërore.

“Shqiptarët nuk janë qytetarë të dorës së dytë. Heshtja përballë kësaj padrejtësie është bashkëfajësi. Aleanca për Shqiptarët nuk do të heshtë!”

The post Punësimet në Postë: VLEN lavdëron veten, ASH: Punësime të vjetra, propaganda e re appeared first on Flaka, në çdo lajm... .