Qeveria bullgare miratoi projekt-marrëveshjen me RMV-në për ndërtimin e tunelit të përbashkët hekurudhor “Deve Bair”

Qeveria e Republikës së Bullgarisë miratoi projekt-marrëveshjen me Republikën e Maqedonisë së Veriut për ndërtimin dhe funksionalizimin e tunelit hekurudhor ndërkufitar “Deve Bair”, njofton agjencia bullgare BTA. Nga aty bëjnë të ditur se do të formohet një komision i përzier dhe teksti i marrëveshjes do të diskutohet me palën maqedonase, transmeton Portalb.mk. Sipas BTA, qëllimi […]

dhjetor 30, 2024 - 20:00
 0  8
Qeveria bullgare miratoi projekt-marrëveshjen me RMV-në për ndërtimin e tunelit të përbashkët hekurudhor “Deve Bair”
Ndërtimi i hekurudhës të Korridorit 8, Foto: Qeveria e RMV-së

Qeveria e Republikës së Bullgarisë miratoi projekt-marrëveshjen me Republikën e Maqedonisë së Veriut për ndërtimin dhe funksionalizimin e tunelit hekurudhor ndërkufitar “Deve Bair”, njofton agjencia bullgare BTA. Nga aty bëjnë të ditur se do të formohet një komision i përzier dhe teksti i marrëveshjes do të diskutohet me palën maqedonase, transmeton Portalb.mk.

Sipas BTA, qëllimi i marrëveshjes është të bëjë të qarta detyrimet dhe afatet për ndërtimin e hekurudhës ndërmjet Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut.

“Ministria e Transportit dhe Lidhjeve, si palë e marrëveshjes, propozon që të dyja palët të ndërmarrin aktivitete reale për realizimin e objektit të tunelit hekurudhor, i cili është një lidhje hekurudhore mes dy vendeve fqinje. Ndërtimi i Korridorit 8 strategjik të transportit është parakusht për shkëmbimin tregtar dhe industrial, siç është në baza bilaterale midis Bullgarisë dhe Republikës së Maqedonisë, ashtu është edhe për vendet e rajonit”, thuhet në deklaratën e qeverisë bullgare.

Dy javë më parë, Ministria Bullgare e Transportit propozoi nënshkrimin e një marrëveshjeje ndërqeveritare që do të specifikonte të gjitha aspektet e ndërtimit të hekurudhës ndërmjet Republikës së Bullgarisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Ndryshe, ndërtimi i hekurudhës për Bullgarinë në periudhën e kaluar u vu në pikëpyetje pasi zëvendëskryeministri dhe ministri i transportit të vendit, Aleksandar Nikolloskikundërshtoi haptazi vazhdimin e ndërtimit të seksionit të tretë (Kriva Palanka – Deve Bair), duke akuzuar Bullgarinë se nuk ka një projekt për Korridorin 8.

Deklaratat e tij, përveç Sofjes, morën reagime edhe nga i dërguari special gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Saracin, i cili shprehu shqetësimin se qeveria e re në vend ka humbur interesin për zbatimin e projektit dhe se në vend të këtij korridori, prioritet i jepet Korridorit 10 në Shkup që lidh Austrinë, Slloveninë, Kroacinë, Serbinë, Maqedoninë e Veriut dhe Greqinë.

Por, kryeministri Hristijan Mickoski më 7 tetor në konferencën e përbashkët për shtyp me kolegun e tij serb Millosh Vuçeviq, i cili ishte për vizitë zyrtare në vend, tha se Korridori 8 mbetet prioritet i Qeverisë së Maqedonisë.