RMV, repartet e njëjta në qytete të afërta do të mbyllen për shkak të mungesës së kuadrit mjekësor
Arben Taravari ministri i Shëndetësisë sot në një konferencë për media thotë se problemi i mungesës së personelit mjekësor në shëndetin publik është vënë në dukje nga Komisioni Evropian në disa raporte radhazi. Ka mjekë të interesuar që punojnë jashtë vendit, por kërkojnë garanci nga ne që nëse kthehen do të punësohen në institucionet tona […]
Arben Taravari ministri i Shëndetësisë sot në një konferencë për media thotë se problemi i mungesës së personelit mjekësor në shëndetin publik është vënë në dukje nga Komisioni Evropian në disa raporte radhazi. Ka mjekë të interesuar që punojnë jashtë vendit, por kërkojnë garanci nga ne që nëse kthehen do të punësohen në institucionet tona shëndetësore publike. Prandaj po mendojmë që kushdo që punon në një institucion publik shëndetësor në BE të mund të punësohet menjëherë tek ne, transmeton Portalb.mk.
“Do të ishte mirë që mjekët të kthehen. 600 specialistë që do t’i punësojmë nuk janë të mjaftueshëm, por aq mundemi. Do të përpiqemi përmes masave, pagave më të larta, kushteve më të mira dhe sigurimi i punës shtesë për mjekët që t’i mbajmë dhe të mos largohen mjekët dhe personeli mjekësor nga vendi”, tha Taravari.
Një nga premtimet që ai dha është zgjidhja e problemit me specialistët privatë.
“Kemi mungesë të mjekëve. Vendosëm që t’i përfshijmë këta 600 specialistë në sistemin tonë shëndetësor. 300 prej tyre tashmë janë sistemuar në spitale dhe klinika ku mungojnë mjekët. U takova me dekanët e fakulteteve të mjekësisë dhe vendosëm të punësojmë pesë studentët më të mirë nga të gjitha fakultetet mjekësore në vend. Ata, së bashku me specialistët, do të përfshihen në sistemin shëndetësor. Plani më pas është që, në vend të pesë, të punësojmë menjëherë dhjetë studentët më të mirë,” tha Taravari dhe shtoi se të gjitha klinikat kanë udhëzime për të transformuar kontratat e punës për 1,180 persona që aktualisht janë të punësuar me kontrata të përkohshme.
Profesorë dhe ekspertë të angazhuar nga Ministria e Shëndetësisë po punojnë në një Strategji të re Shëndetësore deri në vitin 2030, sipas së cilës do të mbyllen repartet e njëjta në qytete të afërta.
“Kemi më pak mjekë. Kemi spitale që janë afër njëra-tjetrës dhe që kanë reparte të njëjta. Nëse në Ohër dhe Strugë ka dy spitale, ato do të plotësojnë njëra-tjetrën dhe nuk do të jenë konkurruese. Për shembull, kirurgët do të punojnë në Strugë, ndërsa repartet e mjekësisë së brendshme dhe të tjera do të jenë në Ohër. Ky është plani për të funksionuar edhe në qytetet e tjera që kanë spitale dhe janë afër njëra-tjetrës. Do të donim të kishim më shumë staf dhe të gjitha repartet, por duhet të veprojmë në këtë mënyrë. Duhet të mendojmë në mënyrë afatgjatë se si ta organizojmë sistemin shëndetësor,” tha ministri.
Në lidhje me zgjerimin e listës pozitive të barnave, ai tha se planifikohet që ajo të zgjerohet përsëri vitin e ardhshëm.
“Ka disa barna që janë vërtet shumë të lira, nga 40, 50, 100 denarë. Po shqyrtojmë mundësinë për të zgjeruar përsëri listën pozitive, ndërsa plani është që barnat shumë të lira të paguhen nga vetë pacientët, ndërsa ato më të shtrenjtat t’i mbulojmë ne,” shtoi ai.
Taravari tha se sallat kirurgjikale në spitalet “8 Shtatori” dhe në Tetovë janë në gjendje katastrofike, ndaj paralajmëroi rinovimin e tyre. Deri në fund të qershorit, ai paralajmëroi përfundimin e ndërtimit të garazheve me kate në Qendrën Klinike, për të vënë rregull në kaosin e automjeteve dhe trafikut, që është një problem i përditshëm në këtë zonë.
Në lidhje me digjitalizimin, ai përmendi se në janar shteti do të marrë një donacion me vlerë 8 milionë euro. Bëhet fjalë për një softuer që do të mundësojë që të gjitha incizimet rentgen të mund të shihen nga mjekët në distancë.
“Kjo do të mundësojë që pacienti të bëjë rentgen, për shembull në Strumicë, ndërsa rezultati të lexohet nga një mjek në Shkup ose në ndonjë qytet tjetër. Kemi shumë zona rurale ku nuk mund të gjejmë mjekë. Në lidhje me digjitalizimin, menduam se çfarë të bënim në këtë drejtim, kështu që komunikuam me klinika në SHBA ku ky sistem funksionon mirë. Qëllimi është të krijohet një ekip i përbërë nga mjekë, të cilët do të komunikojnë përmes platformës ‘Termini im’ me një infermiere të angazhuar në ndonjë fshat, ndërsa mjeku do të jetë në komunikim online me të dhe do të japë rekomandime. Nëse vlerëson se pacienti duhet të dërgohet në spital, kjo do të bëhet, ndërsa nëse jo, do të mund të përshkruajë terapi,” tha Taravari.
Për vitin e ardhshëm në muajin prill është planifikuar të rritet me 20 përqind kapitulli për mjekët amë.
Kujtojmë se ministri i Shëndetësisë Arben Taravari më 12 dhjetor tha se deri në fund të vitit do të publikohet shpallje për punësimin e përhershëm të rreth 1.100 personave, personel i mesëm mjekësor në institucionet shëndetësore publike të vendit, të cilët aktualisht punojnë me kontratë. Por tani, kjo datë është zhvendosur për në janar.