Qoku: Shembulli i Peter Magyarit dëshmon se largimi nga strukturat e korruptuara është akt guximi politik
Deputeti i VLEN-it, Bekim Qoku, ka reaguar përmes një shkrimi publik, duke bërë një krahasim mes zhvillimeve politike në Hungari dhe atyre në Maqedoninë e Veriut, me theks të veçantë mbi çështjen e largimit nga strukturat që ai i cilëson si të korruptuara dhe me orientim antievropian. Në reagimin e tij, Qoku vë në pah […]
Deputeti i VLEN-it, Bekim Qoku, ka reaguar përmes një shkrimi publik, duke bërë një krahasim mes zhvillimeve politike në Hungari dhe atyre në Maqedoninë e Veriut, me theks të veçantë mbi çështjen e largimit nga strukturat që ai i cilëson si të korruptuara dhe me orientim antievropian.
Në reagimin e tij, Qoku vë në pah rastin e politikanit hungarez Péter Magyar, për të cilin thotë se nuk është gjykuar për braktisjen e një strukture të udhëhequr nga Viktor Orbán, të cilën e përshkruan si të korruptuar dhe me prirje autokratike.
Sipas Qokut, Magyar jo vetëm që nuk u kritikua për këtë veprim, por përkundrazi u vlerësua për guximin e treguar, duke iu kundërvënë një lidershipi që kishte qëndruar për 16 vite në pushtet dhe që përballej me akuza për korrupsion, si dhe për lidhje të afërta me figura si Vladimir Putin dhe Aleksandar Vučić.
Në vijim, deputeti tërheq një paralele me situatën në Maqedoninë e Veriut gjatë prillit të vitit 2024, ku sipas tij, disa figura politike vendosën të largohen nga struktura që ai i cilëson si të korruptuara dhe të lidhura me interesa të ngushta politike dhe ndërkombëtare.
“Janë pikërisht këto figura që duhet të gjykohen – ata që iu bashkuan një strukture të etiketuar si ‘epidemi korrupsioni’ dhe ‘kancer i shoqërisë’”, thekson Qoku në reagimin e tij.
Ky qëndrim i deputetit të VLEN-it pritet të nxisë reagime në skenën politike vendase, duke rikthyer në vëmendje debatet mbi integritetin e partive politike, lidhjet ndërkombëtare dhe orientimin strategjik të vendit. (INA)