Rama:Dikur ishim të damkosur në BE si atdheu i pandëshkueshmërisë,sot ky mit ka rënë

Në samitin e diasporës, kryeministri Edi Rama u ndal edh ete rruga e Shqipërisë drejt BE-së. Rama tha se dikur Shqipëria ishte e damkosur nga BE si atdheu pandëshkueshmërisë, por duke theksuar se sot ky mit ka rënë. Rama tha se dot drejtësia është e pavarur dhe socialistët me vullnet të plotë i dorëzuan shpatën. […]

Prill 14, 2026 - 12:00
Rama:Dikur ishim të damkosur në BE si atdheu i pandëshkueshmërisë,sot ky mit ka rënë

Në samitin e diasporës, kryeministri Edi Rama u ndal edh ete rruga e Shqipërisë drejt BE-së. Rama tha se dikur Shqipëria ishte e damkosur nga BE si atdheu pandëshkueshmërisë, por duke theksuar se sot ky mit ka rënë. Rama tha se dot drejtësia është e pavarur dhe socialistët me vullnet të plotë i dorëzuan shpatën.

“Shqipëria ishte e damkosur nga BE si atdheu i pandëshkueshmërisë, ku ligji vepronte vetëm ndaj të dobëtve dhe ku çdo i fortë sundonte ligjin. Sot pandëshkueshmëria është mit i të kaluarës. Sot Shqipëria është vendi ku askush nuk është mbi ligjin dhe drejtësia është e pavarur, siç nuk ka qenë qysh në krye të herës nga 1912, deri kur ne me vullnet të plotë i dorëzuam asaj shpatën që i takon vetëm duarve të saj për të bërë drejtësi të barabartë për të gjithë dhe pa kursyer askënd.

Atëherë Shqipërisë i mbyllej dera e negociatave për anëtarësim në BE, sot i kemi çelur të gjithë kapitujt e negociatave dhe e kemi bërë në një kohë rekord për vetëm 11 muaj. Njësoj si ju, kur ju mbyllej dera në fytyrë në ato hapa të parë në rrugët e botës dhe kur askush nuk kishte kohë dhe respekt e besim, por ju këmbëngulnit dhe pasi shkonit në darkë dhe fshinit lotët nga poshtërimi i ditës, riktheheshit në mëngjes për të vazhduar, për të qenë gati për derën kur të hapej.

Edhe Shqipëria këmbënguli dhe ishte gati në momentin kur dera u hap dhe i hapi kapitujt më shpejt se çdo vend tjetër në rrugën e anëtarësimit para saj. Kur ju erdhët në samitin e parë, e ardhmja europiane ishte aspirata që mbetej larg, sot e ardhmja është një tryezë ku jemi të ulur çdo ditë ne dhe KE me ambicien e përbashkët për të mbyllur negociatat deri në fund të vitit 2027.

Sot nuk duket më një kumt dëshiror në ajër, por është një fjalë që zë vend si një fjalë e përditshme ajo që Ismail Qemali tha: Shqipëria do të bëhet. Në gojën e atit të pavdekshëm, ajo fjali nuk ishte përshkrim, por një besim që kaloi nëpër breza mes peripecish, dështimesh, ringritjesh, një besim që sot, si kurrë ndonjëherë, ka marrë trajtën konkrete të shtetbërjes europiane të Shqipërisë dhe të objektivit që tanimë nuk parashtrohet, por shihet, preket me sy më afër se kurrë, për të çuar Shqipërinë në tryezën europiane si të barabartë mes të barabartësh në 2030″, tha Rama.