RCAG zhvillon vizitën e parë zyrtare në Prishtinë për Lojërat Mesdhetare 2030
Në Prishtinë po zhvillohet vizita e parë zyrtare në terren e Grupit Rajonal të Koordinimit dhe Këshillimit (RCAG) në kuadër të përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”. Vizita shënon fillimin e fazës së parë të projektit, të njohur si faza “Discover”, e cila synon bashkërendimin e punës mes ekspertëve ndërkombëtarë dhe Komitetit Organizator të Lojërave


Në Prishtinë po zhvillohet vizita e parë zyrtare në terren e Grupit Rajonal të Koordinimit dhe Këshillimit (RCAG) në kuadër të përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”.
Vizita shënon fillimin e fazës së parë të projektit, të njohur si faza “Discover”, e cila synon bashkërendimin e punës mes ekspertëve ndërkombëtarë dhe Komitetit Organizator të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030. Qëllimi i takimeve është ndërtimi i një kuptimi të përbashkët për vizionin dhe objektivat e organizimit të Lojërave, prezantimi i aktorëve kryesorë institucionalë, si dhe vlerësimi i infrastrukturës dhe mundësive të qytetit për zhvillimin e garave sportive dhe aktiviteteve përkatëse.
Gjatë dy ditëve të para të vizitës, janë planifikuar diskutime mbi temat qendrore të projektit, përfshirë: strukturën organizative dhe qeverisjen e lojërave, menaxhimin e projektit dhe fazat e përgatitjes, planifikimin e programeve sportive, masterplanin e objekteve sportive dhe jo-sportive, si dhe menaxhimin e burimeve dhe riskut. Nga RCAG në këtë vizitë marrin pjesë Rob Clarke, Egemen Onen, Erin McEvoy, Neil Carney dhe Dave Berry, ndërsa Ben Emerson ndjek zhvillimet në mënyrë të largët (remote). Në takime janë përfshirë edhe përfaqësues të Komitetit Organizator “Prishtina 2030” dhe institucioneve vendore.
Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, tha për KosovaPress se do të hartohet drafti i parë së bashku me ekspertë të huaj që plani i veprimit të prezantohet edhe në Asamblenë e ICMG-së që do të mabhet ën fund të muajit nëntor në Portugali.
“Po përgatitemi që sa më shpejtë që kjo kompani ta bëjë draftin e parë për masterplanin të cilin do ta prezantojmë në nëntor të këtij viti në Portugali ku do të mbahet Asamblea e Përgjithshme e ICMG-s. Kështu që nuk kemi shumë kohë, jemi duke punuar masovikisht së bashku me këtë kompani dhe me komisionin e ICMG-s, besoj që jemi rrugës shumë të mirë edhe pse kohë nuk kemi shumë por jemi duke punuar aq shumë sa që duhet të jemi të gatshëm që me 28 dhe 29 nëntor të jemi prezent në asamble dhe ta informojmë asamblenë në atë takim për ecuritë dhe përgatitjet tona deri në këtë moment”, tha Krasniqi.
Krasniqi bëri të ditur se Grupi Rajonal i Koordinimit dhe Këshillimi do t’i vizitojë edhe disa nga objektet kryesore sportive në Prishtinë.
“Sot është paraqitur një draft i parë e cili do të shqyrtohet edhe nga ISMG, deri të premten do të jenë mysafirët këtu, nesër dhe pasnesër ku do t’i vizitojnë eventet të cilat kanë kërkuar që t’i shikojnë në Prishtinë, në Mitrovicë, Qendrën e Studentëve, Pallatin e Rinisë në Prishtinë, fushën Gërmia ku është amfiteatri dhe mandej do të jenë të gatshëm që ta prezantojnë punën e tyre në asamblenë e radhës që është në nëntor”, theksoi Krasniqi.
Vizita do të përmbyllet me përgatitjen e një plani të detajuar pune dhe përcaktimin e hapave të ardhshëm drejt fazës së ardhshme të organizimit të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030.
