Rezultati në Kukës/KAS shqyrton ankimimin e PD,KQZ:Nuk kemi konstatuar shkelje
Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve po shqyrton këtë të martë kërkesën e Partisë Demokratike për të shpallur të pavlefshme rezultatin e zgjedhjeve në Qarkun e Kukësit. Në mbledhjen që po zhvillohet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, përfaqësuesi i PD-së, Franc Nuri po parashtron kërkesat e opozitës në procesin zgjedhor dhe kërkoi që ankimimi i saj […]

Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve po shqyrton këtë të martë kërkesën e Partisë Demokratike për të shpallur të pavlefshme rezultatin e zgjedhjeve në Qarkun e Kukësit.
Në mbledhjen që po zhvillohet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, përfaqësuesi i PD-së, Franc Nuri po parashtron kërkesat e opozitës në procesin zgjedhor dhe kërkoi që ankimimi i saj të merret parasysh.
Nga ana tjetër, administrata e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve tha se nuk ka konstatuar “asnjë shkelje jo vetëm të rëndë, por edhe të lehtë të ligjit në mbarëvajtjen e një procesi të rregullt ligjor”.
“Nuk kemi të raportuar në asnjë rast ndonjë ngjarje nga policia jashtë këtij territori, nuk na rezulton që të jetë zhvilluar ndonjë proces që të cënojë rendin e procesit zgjedhor”, tha përfaqësuesja e KQZ-së.
Seanca e KAS po relatohet nga anëtari i saj, Ilirjan Rusmajli.
Në fillim, Partia Demokratike kërkoi kryqëzimin e të dhënave nga pajisjet “PEI”, pra të identifikimit biometrik në qendrat e votimit në Kukës.
“E kemi merakun te pjesa sikundër ndodhi në disa Qendra Votimi të ndryshme ku u hapën kutitë në KQZ, rezultuan se kishte 24 persona që kishin votuar ekstra nga ata që ishin identifikuar”, tha Nuri.
Përfaqësuesja e Partisë Socialiste, Elena Xhina, e hodhi poshtë këtë pretendim të PD-së duke u shprehur se “nuk lidhen fare me kërkimin e provës sa i takon kryqëzimit të të dhënave nga PEI”.
Së dyti, PD-ja kërkoi nëpërmjet operatorit postar regjistrin e nënshkruar personalisht nga çdo zgjedhës në diasporë që vërteton marrjen e zarfit dhe materialet zgjedhore nga secili zgjedhës. Kjo jo vetëm për Greqinë, por për të gjithë zgjedhësit e regjistruar në diasporë.
Aktualisht seanca në KAS është duke u zhvilluar teksa përfaqësuesi i PD-së përveçse po parashtron kërkesat e tij, po i përgjigjet edhe pyetjeve të anëtarëve të Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve.
Kujtojmë se Partia Demokratike ka ankimuar edhe rezultatet në Berat, Korçë, Gjirokastër dhe Vlorë./tvklan.al
