Rigjykimi për aksidentin me fatalitet në Klinë: Përjashtohen mediat nga seanca, nëna e viktimës largohet në shenjë proteste
ë Gjykatën Themelore në Pejë- Dega në Klinë, në rigjykimin ndaj Eraj Temaj i akuzuar për aksidentin që kishte ndodhur në maj të 2022-ës si pasojë e të cilit kishte vdekur 23-vjeçari J.T., gjykatësja e rastit Sabrije Rracaj nxori aktvendim për përjashtimin e gazetarëve nga seanca. Më pas, në shenjë proteste u largua edhe nëna


ë Gjykatën Themelore në Pejë- Dega në Klinë, në rigjykimin ndaj Eraj Temaj i akuzuar për aksidentin që kishte ndodhur në maj të 2022-ës si pasojë e të cilit kishte vdekur 23-vjeçari J.T., gjykatësja e rastit Sabrije Rracaj nxori aktvendim për përjashtimin e gazetarëve nga seanca. Më pas, në shenjë proteste u largua edhe nëna e viktimës- Kumrije Temaj.
Fillimisht, avokati i palës së dëmtuar- Kumrije Temaj, Xhemajl Ademaj kërkoi që rasti të kalojë në Departamentin për Krime të Rënda, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Kërkesa jonë është që rasti të delegohet në Krime të Rënda, pasi aktvendimi i Apelit ka vendosur që të gjitha provat të analizohen edhe një herë, të gjenden prova të reja relevante për rastin kaq delikat”, deklaroi Ademaj.
Në anën tjetër, avokati i të pandehurit Temaj, Flamur Kelmendi, kërkoi përjashtimin e mediave nga seanca.
“Kërkoj që mediat të mos jenë prezent gjatë këtij gjykimit nga shkaku se edhe në gjykimin e përparshëm i cili nga Gjykata e Apelit është rikthyer në rigjykim, ka pasur kërcënime e edhe sot para fillimit të gjykimit e dëmtuara filloi të reagojë duke më sulmuar gojarisht me fjalë të cilat nuk lejohen gjatë një gjykimi të drejtë dhe të bazuar në ligj”, tha Kelmendi.
Ndërkaq, kundërshtoi propozimin e përfaqësuesit të palës së dëmtuar që lënda të kalojë në kompetencë të Departamentit për Krime të Rënda. Tha se vepra për të cilën po gjykohet Temaj është në kompetencë të Gjykatës në Klinë.
“Habitem me propozimin e bërë nga përfaqësuesi i palës së dëmtuar edhe pse kam një mendim jashtëzakonisht të mirë për të, por për faktin se vetë ai në ankesën e parashtruar në Gjykatën e Apelit ka kërkuar që i pandehuri të dënohet me një dënim më të rëndë. Në rastin konkret ne duhet t’i përmbahemi aktvendimit të Gjykatës së Apelit për gjetjet të cilat i ka gjetur gjatë shqyrtimit të shkresave”, theksoi Kelmendi.
Më pas, gjyqtarja Rracaj përmes aktvendimit refuzoi kërkesën e avokatit Ademaj që lënda të delegohet në Departamentin për Krime të Rënda.
“Fillimisht, përfaqësuesi i të dëmtuarës, kur është mbajtur shqyrtimi gjyqësor i datës 30.09.2024, nuk e ka bërë një kërkesë të tillë që lënda të dërgohet në Krime të Rënda në Pejë. E tani pasi që gjykata ka nxjerrë aktgjykimin dhe lënda është dërguar në Gjykatën e Apelit me ankesë dhe pasi është kthyer në rigjykim, përfaqësuesit të dëmtuarës i ra ndërmend që kompetente për këtë vepër penale “Rrezikimi i trafikut publik” nga neni 370… të dërgohet në Gjykatën Themelore në Pejë. Gjë e cila nuk korrespodon me asnjë ligj apo nen që e përcakton se pasi të gjykohet në një gjykatë të dërgohet në gjykatën tjetër”, tha gjykatësja.
Ndërsa, aprovoi kërkesën e avokatit Kelmendi, për përjashtimin e gazetarëve nga seanca.
“Gjykata merr aktvendim, pasi avokati i të akuzuarit kërkoi të përjashtohen mediat nga kjo seancë gjyqësore për shkak se i mbrojturi i tij përmes tij ka kërkuar se ndihet i shqetësuar dhe i stresuar që të jenë të pranishme mediat. Këtë propozim Gjykata e aprovoi, pasi që edhe paraprakisht përfaqësuesja e të dëmtuarës, Kumrije Temaj, para se të mbahet seanca ju drejtua mbrojtësit të pandehurit me fjalët fyese…”, tha Rracaj.
Derisa gazetarët po largoheshin nga salla, e dëmtuara Temaj reagoi duke tentuar t’i ndalojë gazetarët të largohen pas vendimit të gjyqtares.
Pak minuta pasi gazetarët lëshuan sallën, në shenjë proteste edhe Kumrije Temaj doli nga seanca për të dhënë prononcim për media.
“Më 27 maj ka ndodhur rasti, tri javë ditë e kam pasur në komë, më 16 qershor djali më ka ndërruar jetë. Djali në lule të rinisë, 22-vjeçar, e kam pasur në komë pa vetëdije, me dy oksigjena në hundë një në gojë, me aparat, 27 kamca në kokë”, deklaroi e dëmtuara.
Ajo tha se kërkon drejtësi për djalin e saj.
“Katër vjet po duan të bëhen, ky asnjë ditë në burg jo… ju lutna dua drejtësinë e djalit tem me ma qit në dritë, (jam) një nanë e vetmume”, ka thënë Temaj për “Betimi për Drejtësi”.
Sipas saj, avokati i të akuzuarit, pa filluar seanca i kishte thënë që nuk i lejon gazetarët.
“Unë si nanë e vetmuar pa gazetarë s’kam ku të shkoj se po mundohen rastin ta fshehin… Pa ia fillu seanca tha, gazetarët tha nuk i lejoj, avokati i tyre, Flamur Kelmendi, jam çuar në këmbë, pa gazetarë nuk pranoj hiç… Du me kthy lëndën në rigjykim, në Krime të Rënda, jo në Pejë por në Prishtinë. Më thoshte Sabrije Rraci, t’i sjelli policinë, po çfarë rasti ajo kur t’i heq gazetarët prej aty”, deklaroi e dëmtuara Kumrije Temaj.
Eraj Temaj ishte dënuar nga Themelorja më 23 nëntor 2024 me dy vite burgim pasi është shpallur fajtor për aksidentin që kishte ndodhur në maj të 2022-ës ku kishte vdekur 23-vjeçari J.T. Por, Gjykata e Apelit e ka kthyer rastin në rigjykim.
Ndryshe, sipas aktakuzës, i akuzuari Eraj Temaj, po ngarkohet se ka kryer veprën penale “Rrezikim i trafikut publik”, sepse më 27 maj 2022, rreth orës 21:14 në fshatin Shtupel të Klinës, nga pakujdesia kishte shkelur ligjin mbi trafikun publik apo transportin rrugor dhe rrezikoi jetën e njerëzve, e cila rezultoi me vdekjen e këmbësorit tani të ndjerit J.T.
Në aktakuzë thuhet se derisa i pandehuri Temaj, ishte duke qëndruar në rrugë së bashku me shokët e tij, në një moment niset me automjetin e tij me qëllim që ta largojë veturën nga rruga, aty viktima J.T., njëri nga shokët e të pandehurit ishte ulur mbi bagazh të automjetit, i akuzuari Temaj nuk e vëren fare këmbësorin e ulur mbi bagazh të veturës së tij dhe gjatë lëvizjes së veturës J.T humb stabilitetin e tij fiksues dhe për pasojë rrëshqet dhe bie në sipërfaqe të fortë asfalt duke rënë me kokë, me ç‘rast pëson lëndime të rënda trupore, ku gjatë trajtimit mjekësor pranë QKUK-së, në Prishtinë, i njëjti ndërron jetë më datë 16 korrik 2022, si pasojë e aksidentit.
