Rikonstruimi i qeverisë në qershor! Cilët ministra do të përfshihen?
Rikonstruimi i Qeverisë që pritet të bëhet nga mesi i këtij viti, mbetet një çështje e hapur se kush nga ministrat pritet të shkarkohen për performancë të dobët në disa resore. Postet më të lakuara së fundmi janë të Ministrit të Drejtësisë Igor Fillkov dhe Ministrit për politikë sociale, demografi dhe rini, Fatmir Limani. Nga […]
Rikonstruimi i Qeverisë që pritet të bëhet nga mesi i këtij viti, mbetet një çështje e hapur se kush nga ministrat pritet të shkarkohen për performancë të dobët në disa resore. Postet më të lakuara së fundmi janë të Ministrit të Drejtësisë Igor Fillkov dhe Ministrit për politikë sociale, demografi dhe rini, Fatmir Limani. Nga VLEN thonë se Fillkov mund të përfshihet në rikonstruim për shkak se më shumë po merret me tema etnike.
VLEN:
“Ministri i drejtësisë Igor Fillkov, mund të jetë i përfshirë në rikonstruimin e qeverisë sepse me tema etnike po mundohet ta mbulojë dështimin në punën e tij, duke problematizuar çështjen e kërkesës së studentëve shqiptarë për provim të jurisprudencës në gjuhën shqipe. Sa i përket emrave të tjerë, deri në rikonstruimin e Qeverisë ka ende kohë.
I pyetur për ketë, Fillkov u përgjigj shkurt:
“Të presim, do të shohim”.
Kryetar i partisë ZNAM Maksim Dimitrievski, deklaratat e përfaqësuesve të VLEN i quan vetëm për pikë politike. Ai thotë se e mbështet ministrin që e ka propozuar vet në ekzekutiv si pjesë e koalicionit, duke mbajtur qëndrimin partiak se Fillkov ka vepruar sipas ligjit për gjuhën shqipe.
“Ministri Fillkov punon sipas dispozitave ligjore pozitive të shtetit që janë fuqi dhe respekton ligjet dhe Kushtetutën. Sa i përket rikonstruimit të qeverisë tani për tani, paralajmërim të tillë nuk kemi nga mandatari, që është e drejta e tij. Ndërkaq, të gjitha ato deklarata subjektive të mëparshme të dhëna nga disa kolegë të mi – kryetarë komuansh, liderë ose përfaqësues të ndonjë partneri të koalicionit i cilësoj në nivel të politikave ditore dhe mbledhje të poenave të lirë politik. Unë si kryetar i ZNAM jam i kënaqur me punën e Ministrit të drejtësisë Fillkov dhe ai ka përkrahjen time të plotë”, tha Maksim Dimitrievski, Kryetar i Partisë “ZNAM”.
Kryeministri rikonstruimin e ka paralajmëruar më së voni në muajin qershor.
Sa i përket Fatmir Limanit, vet kryetari i partisë së tij Bilall Kasami, ka treguar se aktivistët janë të pakënaqur me komunikimin që kanë me të. Në rikonstruim pritet të përfshihen edhe ministra tjerë, ndërsa nuk përjashtohet edhe shkëmbim të ministrive në mes partnerëve të koalicionit.