RMV, ka disa mënyra si të parandalohet korrupsioni në financimin e mediave onlajn me para shtetërore
Eksperti britanik për financimin e zgjedhjeve, njëherazi ligjërues në Universitetin e Bristolit, Sem Pauer, sot në brifing me gazetarë, në Shkup, të organizuar nga Fondacioni Metamorfozis dhe Fondacioni Ndërkombëtar për Sistemet Zgjedhore (IFES), ka prezantuar gjetjet kryesore të projektit “Paratë, Mediat dhe Zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut”, raporton Portalb.mk. Eksperti Sem Pauer, ka zbuluar se […]
Eksperti britanik për financimin e zgjedhjeve, njëherazi ligjërues në Universitetin e Bristolit, Sem Pauer, sot në brifing me gazetarë, në Shkup, të organizuar nga Fondacioni Metamorfozis dhe Fondacioni Ndërkombëtar për Sistemet Zgjedhore (IFES), ka prezantuar gjetjet kryesore të projektit “Paratë, Mediat dhe Zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut”, raporton Portalb.mk.
Eksperti Sem Pauer, ka zbuluar se financimi shtetëror i mediave gjatë një fushate nuk është plotësisht proporcional. Sipas tij, ka një mbikëqyrje të dobët rregulluese, në teori transparente, por jo edhe në praktikë.
“Në shumë fusha, Maqedonia e Veriut është në përputhje me standardet e BE-së. Por, jo edhe te rasti me financimin indirekt shtetëror nëpërmjet reklamave politike me pagesë. Financimi i mediave përmes fondeve shtetërore është e ngjashme me sistemet e vendeve si Butan, Kenia, Peru dhe Tajlanda”, sqaroi Pauer, duke veçuar shtetet ku është i ndaluar reklamimi: Brazili, Ishujt Komore dhe Zvicra, apo vendet si Spanja dhe Mbretëria e Bashkuar që sigurojnë termine papagesë për transmetim.
Për momentin në Maqedoninë e Veriut nuk ka një trup të veçantë për mbikëqyrjen e portaleve onlajn. Prandaj, Pauer konsideron se, nëse u japim mundësi njerëzve të sillen në mënyrë korruptive, nuk duhet të befasohemi kur bëhen të tillë.
“Ka shumë gjasa që fondet shtetërore të keqpërdoren nga politikanët në lidhje me portalet onlajn. Paratë janë thelbësore, por ato kanë fuqinë për të shtrembëruar demokracinë”, tha Pauer.
Eksperti Pauer, bazuar në gjetjet e tij, ka renditur 11-të rekomandime, në bazë të se cilave mëton rregullimin e transparencës së financimit të mediave në kohë të zgjedhjeve:
- Të rishikohen kriteret e alokimit për marrjen e mbështetjes (direkte dhe indirekte) shtetërore, në mënyrë që ajo të jetë e lidhur me votat dhe vendet e siguruara në zgjedhjet e mëparshme, në përputhje me standardet e BE-së.
- Të sigurohet në kohë shpërndarja e mjeteve dhe transparencë e metodologjisë së shpërndarjes së mjeteve, të caktohet organ përgjegjës për pagesën.
- Për të parandaluar që partitë e etabluara politike të bëhen shumë dominuese, transmetimet zyrtare (offline dhe online) duhet të balancohen sipas modelit irlandez.
- Caktoni një organ (me gjasë ASHMAA) për të monitoruar aktivitetin e portaleve onlajn dhe për të siguruar përputhjen me rregullat
- Nuk duhet të ketë përgjegjësi të përbashkëta të mbikëqyrjes dhe secila organizatë në ekosistemin rregullator duhet të ketë një rol të përcaktuar në mbikëqyrjen e elementeve të financave zgjedhore/politike
- Konsolidimi dhe harmonizimi i përgjegjësisë rregullatore ndërmjet ASHMAA, KSHPK, KSHZ dhe ESHR.
- Ndërtimi i integritetit të procesit zgjedhor duke investuar në burimet e duhura në ekosistemin rregullator.
- Rekomandimi për ndërtimin e transparencës në sistemin politik të Maqedonisë së Veriut dhe vënien në dispozicion të pagesave të shpenzimeve zgjedhore në formën e një baze të dhënash të kërkueshme lehtësisht dhe në kohë
- Në afat të gjatë, zbatoni një formë të mandateve specifike gjinore për mënyrën se si partitë përdorin fondet publike – qoftë duke mandatuar që një përqindje e caktuar t’i kushtohet promovimit të grave kandidate, duke kërkuar që një pjesë e fondeve të caktohen për promovim në kandidate gra, ose duke ofruar stimuj të përshtatshëm.
- Ndryshimi i Kodit Zgjedhor për të ndaluar shprehimisht gjuhën e urrejtjes në reklamat politike me pagesë.
- Futjen e dispozitave në Ligjin për Financimin e Partive Politike për të siguruar ndarje të drejtë të fondeve për fushata gjithëpërfshirëse.
Kujtojmë se, Fondacioni Metamorfozis ka hulumtuar fondet publike për fushatat zgjedhore në portalet onlajn. Hulumtimi ështër realizuar në 30 portale informative online të përzgjedhura, që paraqet mbi 10 përqind të numrit të përgjithshëm të uebfaqeve të paraqitura (251) në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve për reklama politike me pagesë. Në periudhën nga 15 prilli deri më 10 maj të vitit 2024 monitorimit i janë nënshtruar gjithsej 13.645 tekste për zgjedhjet.
Hulumtimi vërtetoi se shumica e portaleve të monitoruara kanë qenë të përqendruara te partitë/koalicionet kryesore parlamentare, ndërsa raportimi për partitë më të vogla ka qenë i kufizuar.
Konstatimet e hulumtimit tregojnë se sistemi i financimit të drejtpërdrejtë shtetëror të portaleve informative online mund të rishqyrtohet ose, nëse mbetet, duhet të prezantohen kritere të qarta dhe objektive në legjislacion që të mund të garantohet transparencë dhe llogaridhënie, si në përcaktimin e pranueshmërisë së portaleve informative online, ashtu edhe në përdorimin e parave shtetërore për reklama politike me pagesë.
Në hulumtim rekomandohet edhe përforcimi i standardeve profesionale për gazetarët përmes mbështetjes së siguruar për raportimin investigativ dhe analitik, pra përmes programeve të specializuara për trajnim për gazetarët për aftësi të avancuara investigative, udhëzime etike dhe praktika më të mira në gazetarinë investigative.