Rreth 100 prokurorë në terren për mbrojtjen e votës së lirë

Prokuroria e Shtetit ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për garantimin e mbrojtjes së votës së lirë dhe ruajtjen e integritetit të procesit zgjedhor në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat po mbahen sot në mbarë vendin. Në kuadër të këtij procesi, janë angazhuar rreth 100 prokurorë të shtetit

dhjetor 28, 2025 - 14:00
 0
Rreth 100 prokurorë në terren për mbrojtjen e votës së lirë
Rreth 100 prokurorë në terren për mbrojtjen e votës së lirë

Rreth 100 prokurorë në terren për mbrojtjen e votës së lirë

Prokuroria e Shtetit ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për garantimin e mbrojtjes së votës së lirë dhe ruajtjen e integritetit të procesit zgjedhor në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat po mbahen sot në mbarë vendin.

Në kuadër të këtij procesi, janë angazhuar rreth 100 prokurorë të shtetit dhe zyrtarë të sistemit prokurorial, të cilët po qëndrojnë kujdestarë në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës deri në përfundim të procesit zgjedhor. Qëllimi i këtij angazhimi është procedimi i çdo parregullsie apo shkeljeje të mundshme që mund të ndodhë gjatë këtyre zgjedhjeve.

Prokurorët janë të sistemuar në zyrat e tyre në qytetet ku funksionojnë prokuroritë themelore, ndërsa në vendet ku nuk ka objekte të prokurorisë, ata janë vendosur në stacione policore. Në këto lokacione, në bashkëpunim të ngushtë me hetuesit e Policisë së Kosovës, ata po veprojnë për mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve.

Ndërkohë, koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokurorja Laura Pula, po mbikëqyr nga afër mbarëvajtjen e zbatimit të detyrave të koordinatorëve rajonalë, prokurorëve të angazhuar në terren, si dhe prokurorit me detyrë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit u bën thirrje qytetarëve të Republikës së Kosovës, subjekteve politike, institucioneve dhe organizatave të ndryshme që të denoncojnë në prokuroritë përkatëse çdo rast për të cilin dyshohet se po keqpërdoret apo manipulohet vota, në çfarëdo forme dhe nga kushdo qoftë.

Prokuroria e Shtetit mbetet e përkushtuar në zbatimin e ligjit dhe në garantimin e zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe demokratike në vend.