Selmani: Përzgjedhja në Agjencinë e Medieve u bë pa transparencë – e konfirmon edhe Komisioni Evropian

Aktivistja e shoqërisë civile, Nafie Selmani, ka reaguar pas publikimit të Raportit të Progresit të Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se gjetjet e dokumentit ndërkombëtar konfirmojnë përvojën The post Selmani: Përzgjedhja në Agjencinë e Medieve u bë pa transparencë – e konfirmon edhe Komisioni Evropian appeared first on Flaka, në çdo lajm... .

Nëntor 5, 2025 - 19:00
 0
Selmani: Përzgjedhja në Agjencinë e Medieve u bë pa transparencë – e konfirmon edhe Komisioni Evropian

Aktivistja e shoqërisë civile, Nafie Selmani, ka reaguar pas publikimit të Raportit të Progresit të Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se gjetjet e dokumentit ndërkombëtar konfirmojnë përvojën e saj personale me përjashtimin e padrejtë nga Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale (AShMAA).

“Në raportin e progresit të Komisionit Evropian për RMV, në faqen 38 qëndron qartë: ‘Në muajin qershor përzgjedhja e anëtarëve të Këshillit të Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale është bërë pa transparencë, pa kritere të qarta dhe pa paanshmëri’,” ka deklaruar Selmani.

Sipas saj, ky konstatim i Komisionit Evropian pasqyron realitetin që ajo vetë e ka përjetuar.

“Këtë realitet unë e kam përjetuar në lëkurën time. Kam qenë e zgjedhur në këtë Agjenci si anëtare me maksimumin e pikëve dhe me 10 vota ‘për’. E më pas, në mënyrë tinëzare jam përjashtuar pa arsyetim, pa shpjegim dhe asnjë përgjegjësi – vetëm me një vendim të errët që u mor në prapaskenë nga disa burra,” ka theksuar Selmani.

Ajo shton se padrejtësia që dikur dukej personale, sot është vërtetuar nga dokumenti më zyrtar ndërkombëtar për vendin.

“Kjo dëshmon se si institucionet që duhet të jenë shembull i transparencës, profesionalizmit dhe pavarësisë, janë shndërruar në arenë interesash politike e personale,” ka nënvizuar Selmani.

Në vijim të reagimit, ajo ka kritikuar hapur fenomenin e nepotizmit dhe ndikimit politik në institucionet publike.

“Sot, raporti i KE-së vetëm e konfirmon atë që e dinim të gjithë – se nepotizmi, ndikimi politik dhe lojërat e interesit janë bërë standard, jo përjashtim. Kjo më nuk është çështje personale, por shembulli më i qartë i mënyrës se si pushteti politik e ka kapur çdo institucion,” ka deklaruar ajo.

Selmani shton se për sa kohë emërimet në institucione bëhen në “kafene politike” dhe jo përmes procedurave transparente, raportet e progresit të BE-së do të mbeten “raporte turpi”.

Në fund, ajo ka shprehur falënderim ndaj Komisionit Evropian për evidentimin e këtij rasti dhe për angazhimin në ndihmë të vendit.

“Ndjej falënderim ndaj KE-së që e ka evidentuar këtë rast dhe për përkushtimin e tij për ta ndihmuar vendin tonë,” ka përfunduar Selmani.

The post Selmani: Përzgjedhja në Agjencinë e Medieve u bë pa transparencë – e konfirmon edhe Komisioni Evropian appeared first on Flaka, në çdo lajm... .