Shtatë të dyshuar të rinj për transportimin e marihuanës nga Maqedonia në Serbi

Ecuria e deritanishme e hetimit, i cili që nga shkurti i këtij viti po zhvillohet në Prokurorinë Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PNKOK), për transport të organizuar të drogës narkotike marihuanë nga Maqedonia n...

gusht 19, 2026 - 17:00
Shtatë të dyshuar të rinj për transportimin e marihuanës nga Maqedonia në Serbi

Ecuria e deritanishme e hetimit, i cili që nga shkurti i këtij viti po zhvillohet në Prokurorinë Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PNKOK), për transport të organizuar të drogës narkotike marihuanë nga Maqedonia në Serbi, tregon për një numër më të madh personash të përfshirë në aktivitetin kriminal të organizuar, transmeton Portalb.mk.

Provat e siguruara nga veprimet hetimore të ndërmarra dhe bashkëpunimi ndërkombëtar me autoritetet kompetente të Serbisë kanë rezultuar me nxjerrjen e një Urdhri të ri për zhvillimin e procedurës hetimore ndaj edhe shtatë personave. Shtatë të dyshuarit akuzohen se, si pjesëtarë të një grupi të organizuar kriminal, kanë kryer të njëjtën vepër penale – “prodhim dhe lëshim i paautorizuar në qarkullim i drogave narkotike, substancave psikotrope dhe prekursorëve”, nga neni 215, paragrafi 3, në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal.

Sipas të dhënave, nga një periudhë ende e papërcaktuar gjatë vitit 2025 deri në fund të janarit 2026, në territorin e Maqedonisë dhe Serbisë, gjashtë personat ndaj të cilëve zhvillohet procedurë në Serbi, gjashtë personat e përfshirë në hetimin e PNKOK-ut që nga shkurti, shtatë të dyshuarit e rinj, si dhe persona të tjerë ende të paidentifikuar, janë bashkuar me qëllim të shitjes dhe shpërndarjes së paautorizuar të drogës narkotike marihuanë.

Secili prej tyre kishte një rol të përcaktuar, ndërsa vetë ose përmes personave të tjerë të paidentifikuar merrnin, mbanin dhe transportonin marihuanën me qëllim të shitjes dhe shpërndarjes së mëtejshme të paautorizuar në territorin e Republikës së Serbisë dhe vendeve të tjera.

Si mbulesë për aktivitetet e paligjshme është përdorur një subjekt juridik në Shkup, i cili kishte leje për kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore dhe leje për prodhimin e ekstrakteve të kanabisit për nevoja mjekësore.

Pronarët e subjektit juridik nga Shkupi, njëri prej të cilëve ishte edhe menaxher, së bashku dhe me marrëveshje paraprake kanë organizuar edhe persona të tjerë, ende të paidentifikuar, nga Serbia dhe Maqedonia, për të siguruar së bashku marihuanë dhe për ta transportuar në disa raste nga Maqedonia në Serbi.

Për këtë qëllim janë përdorur automjete transportuese dhe deklarata doganore, në të cilat paraqitej se po transportoheshin tekstile, produkte ushqimore dhe mallra të llojeve të tjera. Pasi droga kalonte kufirin shtetëror, organizohej magazinimi i saj në zonën e Konjuhit pranë Krushevcit, ku marihuana ripaketohej dhe shpërndahej për shitje të mëtejshme.

Sipas provave të siguruara deri tani, i njëjti modus operandi është përdorur në të paktën pesë transporte, për të cilat janë përdorur automjete të ndryshme pasagjerësh dhe transportuese.

Në automjetet transportuese, me mallrat e zhdoganuara dhe të vulosura paraprakisht, hiqej vula doganore dhe largohej një pjesë e mallit të deklaruar. Në vend të saj vendoseshin kuti me marihuanë, me peshë përafërsisht të njëjtë me peshën e mallit të hequr.

Më pas, automjeti transportues drejtohej drejt Pikës Kufitare Tabanoc, ndërsa ndiqej nga njëri prej të dyshuarve me automjet pasagjerësh. Në këtë mënyrë, marihuana transportohej e fshehur si produkte ushqimore, jastëkë dhe jorganë.

Më 21 korrik 2026, Prokuroria Publike e Serbisë për Krim të Organizuar ngriti aktakuzë ndaj gjashtë anëtarëve të një grupi të organizuar kriminal për transport ndërkombëtar të paligjshëm të marihuanës.

Sipas aktakuzës në Serbi, dy prej pronarëve të subjektit juridik nga Shkupi jepnin udhëzime dhe instruksione dhe koordinonin anëtarët e grupit kriminal, të cilët kishin për detyrë që në zonën e Konjuhit të pranonin dhe magazinonin marihuanën në hapësirat e magazinimit të një subjekti juridik, pronari dhe menaxheri i të cilit është gjithashtu i akuzuar.

Një pjesë e drogës më pas magazinohej në objektet ndihmëse në shtëpinë e tij në Konjuh, ku organizohej ripaketimi i saj për shitje të mëtejshme. Më pas, marihuana e destinuar për shitje në territorin e Beogradit i dorëzohej një anëtari tjetër të akuzuar të grupit.

Ndërkohë, në procedurën që zhvillohet pranë PPNKOK-ut, më 10 gusht 2026, Gjykata Themelore Penale Shkup ka marrë dy aktgjykime mbi bazën e marrëveshjeve të arritura me dy të dyshuar.

Me marrëveshjet, të dyshuarit pranuan se kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen. Atyre iu shqiptuan dënime me burgim prej tre vjet e gjashtë muaj, përkatësisht tre vjet e tetë muaj.


Burimi i lajmit: lajmpress.org
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.