Si u bënë gratë shtatzëna objekt i dezinformatave për vaksinat?
Shkup, 5 shkurt – Ndërsa institucionet shpesh tregojnë mungesë iniciative dhe reagim të dobët ndaj problemeve, diskursi publik në vend po ekspozohet gjithnjë e më shumë ndaj dezinformatave me bazë…
Shkup, 5 shkurt – Ndërsa institucionet shpesh tregojnë mungesë iniciative dhe reagim të dobët ndaj problemeve, diskursi publik në vend po ekspozohet gjithnjë e më shumë ndaj dezinformatave me bazë gjinore, të cilat nënvlerësojnë seriozitetin e dhunës ndaj grave, mjegullojnë problemet reale që lidhen me pabarazinë gjinore dhe krijojnë konfuzion rreth asaj se çfarë do të thotë në të vërtetë barazia mes gjinive.
Në vend që të përballen në mënyrë të menjëhershme dhe vendimtare me këto narrativa manipuluese dhe t’u ofrojnë qytetarëve informacione të sakta, institucionet shpesh mbeten pasive ose reagojnë në mënyrë jo mjaft efektive. Kjo lë hapësirë për përhapjen e stereotipeve, diskriminimit dhe polarizimit shtesë mes burrave dhe grave.
Këtë boshllëk në përgjegjësinë institucionale e konfirmon edhe analiza e re e Shoqatës për Avancimin e Praktikave Gazetareske “Media Inovative” dhe Institutit për Diversitet Mediatik – Ballkani Perëndimor, me titull “Hartëzimi i dezinformatave me shenjë gjinore në Ballkanin Perëndimor”.
Analiza zbulon se dezinformatat gjinore nuk janë raste të izoluara, por një fenomen sistemik me pasoja afatgjata. Gjatë pandemisë së COVID-19, një pjesë e madhe e dezinformatave ishin të drejtuara ndaj grave shtatzëna, me pretendime se vaksinat mund të shkaktonin dëme serioze tek fëmijët e tyre të palindur. Pas përfundimit të pandemisë, fokusi u zhvendos drejt narrativave antivaksinë, të cilat pretendojnë se vaksinat shkaktojnë infertilitet tek gratë.
“Në vitet 2021 dhe 2022, veçanërisht gjatë pandemisë, fushatat e dezinformatave ishin në masë të madhe të drejtuara ndaj grave shtatzëna, duke përhapur pretendime të rreme se vaksinat kundër COVID-19 do të shkaktonin dëme serioze tek fëmijët e tyre të palindur. Këto dezinformata nxitën frikë dhe pasiguri, duke minuar përpjekjet e shëndetit publik për mbrojtjen e nënave dhe foshnjave. Pas pandemisë, dezinformatat u zhvendosën drejt narrativave antivaksinë, me pretendime se vaksinat shkaktojnë infertilitet tek gratë”, thuhet në analizë.
Sipas analizës, gjatë viteve 2023 dhe 2024 numri i dezinformatave gjinore është rritur ndjeshëm, me ndikim veçanërisht negativ ndaj grave në politikë. Ato shpesh janë sulmuar mbi bazën e gjinisë së tyre, pamjes fizike apo jetës private, në vend të kompetencave profesionale, gjë që e minon drejtpërdrejt kredibilitetin dhe lidershipin e tyre. Analiza vëren se ky trend është intensifikuar pikërisht për shkak të shtimit të sulmeve ndaj politikaneve gra dhe përsëritjes së stereotipeve të dëmshme, duke thelluar më tej diskriminimin në hapësirën publike.
“Në vitet 2023 dhe 2024, numri i rasteve të dezinformatave u dyfishua, me një ndryshim të dukshëm të narrativit drejt diskreditimit të grave në politikë. Ky trend u bë më i theksuar për shkak të shtimit të sulmeve ndaj politikaneve gra, shpesh me fokus tek gjinia e tyre dhe përmes përsëritjes së stereotipeve të dëmshme për të minuar kredibilitetin dhe lidershipin e tyre”, thuhet në analizë.
Gjithashtu, është analizuar edhe mënyra e përhapjes së narrativave të rreme rreth Ligjit për Barazi Gjinore, të cilat krijuan konfuzion në publik, me pretendime se ligji mundëson që “me një nënshkrim një burrë të bëhet grua dhe anasjelltas”, duke shtrembëruar përmbajtjen reale të rregullativës ligjore.
Këta shembuj tregojnë qartë se pasiviteti i institucioneve nuk është vetëm një dështim, por kontribuon drejtpërdrejt në thellimin e diskriminimit dhe forcimin e stereotipeve gjinore. Pa një reagim të shpejtë dhe efektiv nga shteti, hapësira publike vazhdon të mbetet arenë për përhapjen e dezinformatave që relativizojnë pabarazinë gjinore dhe në mënyrë indirekte nxisin dhunën ndaj grave.
